Opozita në kërkim të katër votave për rrëzimin e qeverisë Haradinaj

0
41

Haxhiu: Vendi duhet të shkojë sa më shpejt në zgjedhje
Partitë opozitare të cilat vazhdimisht thonë se Qeveria e ka humbur shumicën, ende nuk kanë ndërmarr ndonjë hap konkret për rrëzimin e Qeverisë. Megjithatë, këto parti vazhdojnë të shfaqin bindjen e tyre se vendi duhet të shkojë në zgjedhje.
LDK dhe Vetëvendosje deklarohen se janë të gatshëm çdo herë për një mocion të tillë kundër Qeverisë.

Në anën tjetër partia Socialdemokrate ka shkuar një hap më tutje, duke mbledhur nënshkrimet për ngritjen e mocionit për rrëzimit e qeverisë Haradinaj.
Haxhiu: Na nevojiten edhe 4 vota të tjera

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka thënë se VV është çdo herë e gatshme për mocion kundër Qeverisë.

“Ne kemi dorëzuar nënshkrimet tona, kështu që besoj që edhe pjesa tjetër e opozitës është e gatshme për mocion kundër Qeverisë. Ne e kemi të pamundur ta sjellim në Kuvend mocionin përderisa nuk i kemi të siguruar ende votat për rrëzim të kësaj qeverie. Kurse sa i përket grupi PSD ata i kanë dorëzuar nënshkrimet, mirëpo ende si opozite jemi 57 deputet dhe tani na nevojiten edhe 4 vota të tjera. Kështu që në këtë drejtim mbetet të shihet se si ti bindim disa deputetë të koalicionit qeverisës, mirëpo edhe ata nuk po veprojnë lirshëm për shkak të presionit të vazhdueshëm që e kanë nga Qeveria. Ne konsiderojmë që vendi duhet të shkojë sa më shpejt në zgjedhje, sepse kjo është qeveri e skandaleve ku duhet angazhim dhe qasje serioze”, ka thënë deputetja Haxhiu për gazetën “Bota sot”.
Rrahmani: Nuk kemi rrugë tjetër

Ndërsa deputeti i LDK-së, Imet Rrahmani, konsideron se vendi duhet të shkoj në zgjedhje që të rikthehet legjitimiteti i institucioneve dhe të rivendosen në binar të gjitha proceset.

“Neve si opozitë na bie që të ngritim mocionin në Kuvend dhe të bëjmë përpjekje që t`i kemi votat për ndërprerjen e keq qeverisjes. Ne nuk kemi rrugë tjetër duhet provuar sa më herët aq më mire”, ka thënë deputeti Rrahmani.
Haziri: Nuk ka asnjë hap serioz në këtë drejtim

Ndërkaq, opinionisti Nexhat Haziri ka pohuar se për fat të keq opozita nuk ka asnjë plan se si ta ngrisë mocionin për rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Haradinaj, përkundër që kjo ka kohë që nuk e ka as shumicën e thjeshtë parlamentare.

“Kujtoj se deklaratat që vijojnë nga partitë opozitare lidhur me rrëzimin e qeverisë së koalicionit PAN, janë vetëm sa për konsum të politikës ditore dhe në shërbim të mbajtjes në gjendje aktive anëtarësitë e tyre. Nuk ka asnjë hap serioz në këtë drejtim, përpos deklaratave të tyre që i thamë më parë dhe për këtë mos gatishmëri apo mos veprim të opozitës si duket po ndikon edhe faktori kohë, si një ndër faktorët e shumtë”, ka thënë opinionisti Haziri.

Sipas tij, askush nga opozita nuk dëshiron që tani të shkojë në zgjedhje, sidomos kur kushtet klimatike nuk janë të favorshme për mbajtjen e zgjedhjeve, pasi po hymë në stinën e ftoftë të dimrit, ku edhe dita është më e shkurtër, dhe kjo përbën një rast ideal për vjedhje të votave.

“Ata që kanë harruar la ta kujtojnë vitin 2010 dhe zgjedhjet e mbajtura në atë kohë në muajin dhjetor dhe çfarë rezultati prodhuan si pasojë e vjedhjes industriale të votave nga PDK-ja. Këtë e shoh si faktor determinant që opozita po heziton që të ngreh mocion votëbesimi ndaj qeverisë dhe shkruajnë në zgjedhje në këtë periudhë kohore”, ka thënë opinionisti Nexhat Haziri.
Mehmeti: Rrëzimi i Qeverisë në interes të qytetarëve

Kurse, analisti Faton Mehmeti ka deklaruar se Qeveria Haradinaj është ende në pushtet falë mos unitetit të opozitës, përndryshe kjo qeveri ka herë do ishte rrëzuar.

“Është në interes jo vetëm të opozitës por edhe të Kosovës që kjo qeveri të bie. Kështu i pamundësohet kësaj mazhorance që në heshtje të mbështes presidentin Thaçi në aventurat e tij. Mungesa e vizionit të kësaj qeverie i jep vendit vazhdimësi të thellimit të krizës ekonomike dhe politike, e njëkohësisht nuk jep shpresë për të rinj se këtu mund të jetohet. Në këtë kuadër, veçanërisht mungesa e luftës ndaj korrupsionit nuk i mundëson Kosovës të lëviz pa viza, që është dështim i kësaj qeverie. Andaj, qytetarët dhe opozita nuk mund dhe nuk duhet të lejojnë që kjo qeveri e korruptuar të vazhdojë edhe më tutje në pushtet. Kjo qeveri do bie në momentin që opozita unifikohet, dhe sa më parë të ndodh kjo aq më mirë për vendin”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.