10 fakte që nuk i dini për Ibrahim Rugovën

0
695

Shumë mite dhe fjalë janë thënë e publikuar për Presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova. Por të paktë janë ata që i dinë mirë faktet rreth tij. Gazeta Metro, është kujdesur dhe ka biseduar me të afërmit e Rugovës, këshilltarë të tij, shokë të klasës fillore e të studimeve, për të sjellë fakte interesante që nuk dihen publikisht.

Ibrahim Rugova ishte shkrimtar, filozof e intelektual. Është një nga themeluesit e Republikës së Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), pa të cilin historia moderne e Kosovës nuk do të mund të shkruhet, pa e përmendur. Gazeta Metro ju sjell 10 fakte interesante për Rugovën, jetën dhe shijet e tij, që nuk i keni ditur deri tash.

1. Rugova ishte 9 vjeç, dhe jo 6 kur u regjistrua në klasë të parë të shkollës fillore. Ai ishte më i vjetri nga nxënësit e klasës për faktin se familja e vonoi të regjistrohet se nuk i kishte kushtet dhe mundësitë finaciare. Kjo i ndodhi pasi që babain dhe gjyshin e tij, e kishin pushkatuar partizanët komunistë, për një ditë, në afërsi të Istogut. Dhe nga prindërit, të gjallë e kishte vetëm nënën.

2. Rugova, nuk kishte pasion për pronën dhe botën materiale. Po ashtu edhe nga familja fillimisht nuk i trashëgoi hise. Pasi që ja vranë babën dhe gjyshin Presidenti Rugova është rritur fillimisht me mixhën e tij, deri sa fitoi bursën dhe një punë mësuesi për t’u shpërngulur në Prishtinë.

3. Ibrahim Rugova ishte edhe mësues. Menjëherë pas përfundimit të shkollës së mesme normale, ai punoi si mësues në shkollën fillore të Obiliqit, tash Kastriotit, që pas çlirimit kjo shkollë është riemëruar dhe mban emrin e tij, konfirmon Gazeta Metro. Ai kishte lindur më 2 dhjetor 1944, ditë kur edhe fëmijët e kësaj shkolle e festojnë ditëlindjen e tij, si ditë shkolle.

4. Presidenti Ibrahim Rugova ishte i varfër, por student i shkëlqyeshëm dhe bursist i merituar në Universitetin e Prishtinës. Këtë e siguroi jo nga simpatia e shtetit jugosllav të asaj kohe, por nga nota e lartë mesatare e studimeve. Më pastaj bursa e mirë e ndihmoi atë t’i vazhdojë studimet e veta deri në doktoraturë, duke e pasur parasysh se ishte i varfër dhe pa njërin prind, dhe se nuk mund t’i përballonte shpenzimet e studimeve. Rugova të gjithë shkollimin e kishte kryer me bursë duke mos shpenzuar nga buxheti i tij i varfër personal.

5. Student i shkëlqyer. Atëbotë Rugova e ka kryer Fakultetin Filozofik në afat rekord për tri vjet, në vend se katër, sa zgjatnin studimet normalisht, në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, që tashmë është pjesë e Fakultetit Filologjik, konfirmon Gazeta Metro.

6. Gjithmonë e mbante nënën me vete. Rugova në momentin e parë që krijoi mundësitë finaciare dhe fitoi bursën… u kujdes që nënën e vet ta marrë në Prishtinë, që ishte e veçantë dhe e rrallë në atë kohë për një student në Kosovë. Ai mori me qira një banesë, në lagjen Lakrishte në Prishtinë ku jetoi me nënën e vet përgjithmonë, edhe pasi u martua, deri sa ajo ndërroi jetë.

7. ‘Presidenti Legjendar’ i pinte mesatarisht ‘shtatë esspreso dopio’ në ditë. Dhe këtë e bënte në embëltoren e famshme ‘Elita’ që gjendet ende në qendren tregtare që atë kohë quhej “Boro Ramizi” në Prishtinë. Tavolina e tij, ende mbetet e njejta në këtë lokal ku ruhen legjenda të tilla për të.

8. Rugova i pinte deri katër pako duhan në ditë. Këtë duke e përcjellur kafen që shumë e preferonte e pastaj vazhdonte edhe me bisedat e gjata me miq e tij. Pinte lloje të ndryshme të duhanit gjatë studimeve dhe karrierës së tij. Por, marka e tij e preferuar e duhanit ishte ‘Dunhill’, që prodhohej atë kohë në Fabrikën e Duhanit në Gjilan.

9. Ibrahim Rugovës nuk i pelqente ‘whiskey’ ashtu siç është krijuar miti për të. Pija e tij e preferuar ishte vera e kuqe, të cilën e pinte me ritëm të ngadaltë dhe vazhdimisht. Pinte edhe ‘whiskey’ ndonjëherë, por kur i përket preferencës së tij personale, e para në listë për të ishte vera.

10. Nëse shumë kush në Kosovë sot e idhujzon Presidentin Rugova, le ta dijë se edhe ai i kishte idhujt e vet të letërsisë dhe poezisë. Ata ishin Frederiko Garcia Lorca dhe Sergej Aleksandrovic Jesenjin, të cilëve edhe ua dinte pothuajse të gjitha poezitë përmendësh, dhe nuk pritonte t’i recitonte para miqve të vet. Sidomos atyre të gjinisë femërore.