Thaçi i shqetësuar nga paralajmërimi i Listës Serbe për rrëzimin e Qeverisë

0
39

ThaçiPresidenti kërkon kujdes nga partnerët qeverisës, thotë se ndryshe mund të përballen me humbje të mazhorancës
Presidenti Hashim Thaçi e ka pritur me shqetësim paralajmërimin e Listës Serbe se do të sillet si opozitë në Parlamentin e Kosovës dhe do të mbështesë çfarëdo mocioni për rrëzimin e qeverisë aktuale që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj.

Presidenti ka nënvizuar se nëse kjo qeveri në këtë format tregohet e paaftë për të funksionuar, për ta ruajtur vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë instucionale, mund të kemi një ristrukturim të partnerëve qeverisës – rrjedhimisht një qeveri tjetër.

Të premten, përmes një komunikate për media, Lista Serbe e ka paralajmëruar qeverinë se nëse nuk hiqet taksa prej 10% në të gjitha produktet serbe që hyjnë në Kosovë, atëherë votat e saj do të jenë në mbështetje të një mocioni mosbesimi.

Meqenëse votat e këtij subjekti politik janë të domosdoshme për ta mbajtur funksional koalicionin qeverisës në këtë konstelacion, shefi i shtetit ka kërkuar që të kihet kujdes dhe të mos rrezikohet stabilitetit institucional, si pasojë e veprimeve të pamatura.

Qeveria Haradinaj është nën presion të madh për shkak të mungesës së votave, madje edhe të kuorumit në shumicën e seancave në kuvend, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka kohë që ka paralajmëruar një mocion mosbesimi, për ta rrëzuar dhe çuar vendin në zgjedhje, ndaj akoma më të vështirë vijimësinë e saj e bën pozicioni i ri i Listës Serbe.

Taksa shtesë prej 10% në të gjitha produktet serbe që importohen në Kosovë, u vu pas një vendimi të qeverisë, para tre ditësh, me arsyetimin se paraqet kundërveprim për fushatën agresive që po bën Serbia kundër Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.