Përgënjeshtrohet Enver Hoxhaj

0
27

Selim Daku ka thënë se deklarata e ish ministrit të jashtëm Enver Hoxhaj shihet si tentim për shfajësim të tyre në raport me situatën e cila potencialisht mund të krijohet në Kosovë.
Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, ka thënë se nëse liberalizimi i vizave nuk ndodh deri në fund të vitit 2018, Kosova s’do t’i besojë më Evropës.

Hoxhaj ka thënë se Kosova ka përmbushur edhe më shumë kritere se vendet tjera që tashmë kanë liberalizim vizash.
“Nëse nuk ka vendim pozitiv, s’kemi asnjë arsye t’i besojmë Evropës për asnjë gjë të vetme dhe të mundshme sepse ne kemi kryer punët”, ka thënë ai.

Selim Daku, drejtor Ekzekutiv i Qendra Kosovare për Diplomaci – KCD ka thënë për gazetën “Bota sot” se deklarata e ish ministrit të jashtëm Enver Hoxhaj shihet si tentim për shfajësim të tyre në raport me situatën e cila potencialisht mund të krijohet në Kosovë.

“Bazuar në informacionin publik zyrtarisht skepticizëm për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës ka shprehur kancelari Austriak në Prishtinë, ndërkaq për shtetet tjera ka rrjedhje të informacioneve jozyrtare të cilat nuk mund ti llogarisimin si të mirëqena. Megjithatë, fakti se është bërë temë çështja e skepticizmit të BE-së për dhënien e mundësisë për lëvizje pa viza në zonën Schengen për qytetarët e Kosovës ka krijuar alarm shoqërorë. Të gjithë e dimë që Komisioni Evropian ka konstatuar që Kosova ka plotësuar kriteret dhe kriteret shtesë për liberalizim të vizave, dhe një vendim negativ për këtë çështje do të ishte jashtë çdo standardi të punës së kësaj organizate dhe do të paraqiste precedentë të keq për të ardhmen e saj” ka thënë ai.

Tutje, Daku ka shtuar se qeveria e Kosovës është fajtori kryesor për vonesë në procesin e liberalizimit të vizave, por, nuk është fajtori nëse në këtë moment nuk liberalizohen vizat.

“Siç theksoni ju deklarata e z.Hoxhaj, është e moderuar në krahasim me opinionin i cili do të krijohej për BE-në dhe udhëheqësit e politikës së jashtme të Kosovës nëse nuk do të ketë një vendim për liberalizimin të vizave në këtë vit kalendarik. Deklaratat sikurse kjo e z. Hoxhaj dhe udhëheqësve tjerë të institucioneve të Kosovës, në këtë periudhë kohore i shoh si tentim për shfajësim të tyre në raport me situatën e cila potencialisht mund të krijohet në Kosovë. Edhe pse, duhet të bëjmë dallim të momenteve, qeveria e Kosovës është fajtori kryesor për vonesë në procesin e liberalizimit të vizave, por, nuk është fajtori nëse në këtë moment nuk liberalizohen vizat. Kjo për faktin se vetë Komisioni evropian ka konstatuar që shteti i Kosovës ligjërisht ka plotësuar kriteret e liberalizimit dhe se vendimi i mundshëm negativ nuk do të jetë i varur nga puna e institucioneve të Kosovës por nga situata dhe rrethanat në të cilat ndodhet vetë BE-ja” ka përfunduar Selim Daku.