Presidenti Thaçi nuk e mbështet vendimin e Qeverisë për taksën ndaj prodhimeve serbe

0
96

Por, rreth këtij vendimi po qëndron në heshtje presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Presidenti i Kosovës, i cili ka raporte të shkëlqyeshme me Presidentin serb, edhe më tutje nuk ka thënë asgjë për vendimin e Qeverisë, për t’u vënë taksë prej 10 për qind të gjitha prodhimeve serbe…

Qeveria e Kosovës, në një mbledhje të saj, të mbajtur sot, ka marrë vendim që t’i taksojë mallrat e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës me 10 për qind, duke i përjashtuar vetëm brendet ndërkombëtare që prodhohen në dy shtetet përkatëse.

Ndaj këtij vendimi të qeverisë së vendit, të udhëhequr nga Ramush Haradinaj, ka reaguar Bashkimi Evropian, por edhe Serbia, që kanë kërkuar tërheqjen e këtij vendimi menjëherë.

Por, rreth këtij vendimi po qëndron në heshtje presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Shefi i shtetit të Kosovës, i cili ka raporte të shkëlqyeshme me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk e ka thënë ende asnjë fjalë për vendimin e Qeverisë, për t’u vënë taksë prej 10 për qind të gjitha prodhimeve serbe.

Thaçi as nuk është deklaruar për media, e as nuk ka bërë ndonjë postim për këtë çështje, në llogaritë e tij zyrtare, në rrjetet sociale, në internet.

Duket se Presidenti nuk e mbështet vendimin e Qeverisë për taksën ndaj prodhimeve serbe, duke bërë që të thellohen dallimet mes tij dhe Kryeministrit të vendit.

Në reagimin e saj ndaj vendimit të Qeverisë, zëdhënësja e BE’së, Maja Kocijançiq, ka kërkuar sqarim të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për vendimin e marrë sot në mbledhjen e saj për tarifën e 10 për qindëshit për importet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Ajo, masat e marra nga Qeveria e Kosovës i ka cilësuar si shkelje ndaj obligimeve të Kosovës sipas CEFTA-s, duke konsideruar se ky vendim minon bashkëpunimin rajonal.

Ndërkaq, drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se me vendimin e saj, e Prishtina ka bllokuar dhe ka parandaluar vazhdimin e dialogut me Beogradin në Bruksel.

Ai ka shtuar se Beogradi nuk do të vazhdojë dialogun me Prishtinën, derisa kjo e fundit ta tërheqë atë që ai e ka quajtur vendim “të paligjshëm”, dhe të cilin e ka cilësuar të motivuar politikisht dhe në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet e arritura.

Pas reagimeve nga BE’ja e nga Beogradi, ministri i Tregtisë i Kosovës, Endrit Shala, në një prononcim për Gazetën Express, ka hedhur poshtë mundësinë e tërheqjes së këtij vendimi nga Qeveria e Kosovës.

“Ne nuk do të tërhiqemi derisa Serbia dhe Bosnje e Hercegovina do ta trajtojnë Kosovën si çdo shtet tjetër. Këto masa nuk përbëjnë asnjë shkelje të CEFTA, apo diçka të tillë” , ka thënë ai.