Rugova nuk ka nevojë për dekoratë nga Thaçi

0
364

Hipokrizia në rastin më të thjeshtë ndeshet kur njerëzit nuk veprojnë ashtu siç thonë, konkretisht tek politikanët është më e theksuar. Në veçanti tek presidenti aktual i Kosovës, i cili jo njëherë, por shumë herë ka dëshmuar talentin e tij prej mashtruesi. Derisa dikur e akuzonte rënd presidentin historik Ibrahim Rugova për “ tradhti”, këtë të enjte e dekoroi me Medaljen presidenciale jubilare të dhjetëvjetorit të Pavarësisë.

Natyrisht se presidenti Rugova e meriton çdo lavdatë dhe medalje për veprimtarin e tij kolosale, e cila ishte jetike për mbijetesën e shqiptarëve të Kosovës në kohërat e tyre më të vështira. Rugova u shfaq si një profet në një kohë të vdekur, ku një popull po luftonte për ekzistencë jo vetem fizike, por edhe etnike. Rugova arriti të vret armiqtë pa plumb, me fjalën e tij prej profeti duke e bërë të njohur çështjen e Kosovës në zyrat më të fuqishme të botës. Duhet shumë kohë për të folur për veprën e Rugovës, e cila edhe pse është e ditur, por asnjëherë s’do të jetë e mjaftueshme për t’u studiuar. Gjithsesi duhet t’i rikthehem medaljes që ia ndau Hashimi, jo për të bërë paralelizëm mes Rugovës dhe Hashimit, pasi kjo nuk ndodh derisa Rugova gjendet me mijëra vite dhe kilometra larg me vepra se Thaçi. S’më habit fare hipokrizia e Hashimit, por duhet t’i rikujtohet se ishte pikërisht Hashim Thaçi i cili gjatë luftës e kërcënonte Rugovën se do të dënohej rënd për veprimet e tij antikombëtare. Pas luftës në një miting në Malishevë, Hashimi iu bënte thirrje qytetarëve që të “mos votoni atë që është përqafuar me Millosheviçin”, duke aluduar në Rugovën. Pastaj, në librin e tij autobigorafi e ofendon rënd presidentin Rugova me epitete si pijanec etj. Jo vetëm kaq, por shumë herë Hashimi e ka ofenduar Rugovën, aq sa me ndihmën e tij disa vagabontë në emër të UÇK-së e patën shpallur “tradhtar të kombit”.

Me të gjitha përpjekjet e tij, Thaçi asnjëherë nuk mundi dot të njolloste figurën e Rugovës. Dhe kjo ia shtoi edhe më tepër peshën e inferioriteti karshi figurës markante të presidentit historik, duke ia shkaktuar një sëmundje xhelozie të pashërueshme. Nisur nga kjo filloi edhe të imitonte Rugovën në të gjitha mënyrat, një kopje e zbehur e cila e bënte të dukej karikaturist. Xhelozia që asnjëherë nuk arriti dot të krahasohet me Rugovën, është kompleksi më i madh nga i cili Hashimi vuan dhe kjo duket. Ndonëse e urren me shpirt, ndjehet i detyruar për ta dekoruar, duke u munduar të maskohet përpara popullit, i cili në fakt ia njeh fytyrën e vërtetë.

Rugovën nuk e nderon dekorata nga Thaçi, në fakt Rugova s’ka nevojë për asnjë dekoratë. Emri dhe vepra e tij janë gdhendur në zemrat dhe historinë e Kosovës, që do të qëndrojë aty gjithnjë. Ndërsa, Hashimi do mbetet me faqe të zezë, si njeriu që nuk arriti asnjëherë në lartësinë e presidentit historik.