Pozita tallet me LDK’në e VV’në: Lëni tryezat e kota, nëse i keni votat rrëzojeni Qeverinë

0
261

Pushteti aktual po e sfidon opozitën dhe fuqinë e saj që të nis mocionin për ta rrëzuar Qeverinë Haradinaj. Kësisoj tryezat e vazhdueshme, fillimisht nga LDK e pastaj edhe nga VV po i konsiderojnë të kota dhe të paarsyeshme. PDK po e sheh të palogjikshme thirrjen e tryezës për të biseduar shkuarjen në zgjedhje. Ia kujtuan opozitës se nëse i kanë 61 vota, Parlamenti është vendi ku rrëzohet Qeveria.

Koalicioni qeverisës i përbërë nga PDK-AAK-Nisma dhe partitë tjera të vogla po tallen me LDK’në dhe Vetëvendosjen dhe thirrjen e partive politike nëpër tryeza. Veçanërisht kërkesën e tyre për të diskutuar rreth datës se kur vendi të shkojë në zgjedhje.

Shefat e grupeve Parlamentare të PDK’së, AAK’së e Nismës u shprehen të gatshëm t’i bashkëngjitën tryezës së thirrur nga Albin Kurtit. Por nuk shkuan aty të flasin apo gjejnë konsensus për datën e zgjedhjeve.

“Ju sot keni thirrë tryezë për me organizu zgjedhje. Kuvendi është organ që vendos për zgjedhje, e jo tryezat. Urdhëroni, niseni mocionin nëse përnjëmend doni zgjedhje”, tha Memli Krasniqi në tryezën e mbajtur të premten.

Ai tha se PDK’ja është kundër zgjedhjeve në këtë periudhë por theksoi se janë të gatshëm kurdo që vendoset për to.

Njësoj ia dha përgjigjen opozitës edhe Blerim Kuçi i AAK-së, duke ia bërë të ditur atyre se Parlamenti është ai ku rrëzohet Qeveria dhe jo tryezat. “Qeveria nuk rrëzohet në tryeza, nëse i keni 61 vota bëjeni në Parlament”, u shpreh zyrtari i AAK’së.

Kjo deklaratë e Kuçit u bë pasi lideri i VV-së Albin Kurti tha se ka një tendencë që tryezat e tilla ta zëvendësojnë Kuvendin.

Ndërkaq, Bilall Sherfifi nga Nisma it ha opozitës se kjo është hera e fundit që marrin pjesë në temën për zgjedhje sepse mendon që kurdo që opozita i ka numrat për ta rrëzuar Qeverinë prapë do shkojnë me idenë që ta zgjasin pak dhe të zgjedhin që të shkohet në zgjedhje pas tre muajsh apo 6 muajsh./Express