“Testamenti i fundit” i Smajl Hajdarajt, ja çfarë kishte shkruar deputeti i LDK një muaj para se të vritet

0
1453

Smajl Hajdaraj, ish deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës u vra më 17 janar të vitit 2002. Kjo vrasje, si shumë vrasje të pasluftës është cilësuar si vrasje politike.

Kur kanë kaluar 16 vite nga ajo vrasje, djali i Smajl Hajdarajt, Shpëtimi, në faqen e tij në facebook, ka ndarë një letër që ish deputeti i LDK-së e kishte shkruar rreth një muaj para vrasjes.
Ky është postimi i plotë i Shpëtim Hajdarajt:

“Testamenti i fundit ” i Smajl Hajdarajt. Rreth një muaj para vrasjes.

Mendim

Edhe pse fillimi i luftës çlirimtare më gjeti udhëheqës partiak (Kryetar i LDK-së për Rugovë) nuk jam hamendur fare por me tërë potencialin tim politik dhe autoritativ i jam bashkangjitur luftës së shenjtë çlirimtare.Kështu ndodhi edhe me një pjesë të aktivistëve të LDK-së dhe me pjesën më të madhe të anëtarësisë.
Që nga fillimi i veprimit të Shtabit Rajonal të Rugovës (komandant i të cilit isha deri më 14 janar 1999) e deri me ranjën e Rugovës si teritor (me 21 prill 1999) Rugova dhe Rugovasit bënë një luftë karakteristike dhe shumë përmbajtësore:

Image
Letra e shkruar nga Smajl Hajdaraj
FOTO GALERI
a) Teritori i Rugovës u mbajt teritor i lirë (Rugova ra me 21 prill 1999)
b) Gjatë tërë kohës bëmë pranimin,strehimin dhe përcjelljen e dhjetëra mijëra të ikurve nga zona e Rrafshit të Dukagjinit.
c) Bëmë pranimin ,strehimin dhe sistemimin e ushtarëve të përzënë nga Rrafshi i Dukagjinit.Pjesa më e madhe e tyre kërkuan përcjelljen gjë të cilën ua kemi mundësuar.
d) Teritori i Rugovës dhe ushtria e saj u vunë në shërbim të përhershëm për kalimin dhe furnizimin e zonave të Kosovës me armatim dhe municion të domosdoshëm.

Mendoj se këto të vërteta dhe këto punë nuk duhet të harrohen nga askush , e aq më parë nga hierarkia ushtarake e UÇK-së.Vlenë te theksoj se organizimin ushtarak dhe luftën e mirëfilltë gjithnjë e ka penguar një grup që për koncept ushtarak e kishin konceptin jashtëinstitucional.Ushtrinë çlirimtare donin ta familjarizojnë,ta privatizojnë dhe shfrytëzojnë për interesa karieriste dhe thjeshtë personale.Këtë e ka dëshmuar edhe koha.Lufta e tyre më e madhe ishte kundër atyre pak institucioneve të krijuara dhe ndaj pjesëtarëve të LDK-së (lexo shumica rugovase). Më në fund .Jam tepër i emocionuar për lirinë e fituar dhe njëherit bëj apel që të angazhohemi të gjithë së bashku për ndërtimin e Pavarësisë së Kosovës-qëllim yni i tanishëm.

Ismail Hajdaraj
ish Kom. i Shtabit Rajonal të UÇK-së për Rugovë