Caktohet data e vazhdimit të gjykimit ndaj Azem Sylës

0
324

Gjykimi ndaj ish- komandantit të UÇK- së dhe ish deputetit të PDK-së, Azem Syla, dhe të akuzuarve tjerë në lidhje me tjetërsimin e pronave në rastin e njohur si “Toka”, do të vazhdojë në muajin qershor.

Lajmin për Kallxo e konfirmoi, Mirlinda Gashi zëdhënëse e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

“Lënda ku i akuzuar është A.S, etj. seanca është caktuar të mbahet më 29.06.2018, ora 09.00”, tha Gashi.

Syla u lirua nga paraburgimi më 12 mars, pak kohë  pasi EULEX-i hoqi dorë nga gjykimi i tij dhe të tjerëve, duke ua lënë rastin vendorëve.

Kjo është seanca e parë qysh pas transferimit të rastit “Toka”, nga EULEX-i te vendorët. Gjyqtari Beqir Kalludra do ta gjykojë Rastin “Toka”.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.

Sipas aktakuzës, anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

Kallxo siguroi edhe aktakuzën prej 264 faqeve ndaj Sylës dhe të tjerëve ndërsa të gjitha raportimet lidhur me këtë rast mund t’i gjeni në këtë link.

Në dhjetor të vitit 2016, Azem Syla ishte deklaruar i pafajshëm.