Oaza milionëshe e Zyrës së Presidentit

0
123

Të punosh në zyre të Presidentit do të thotë të punosh në një oazë milionëshe, ku të mirat nuk kanë fund. Pagat e larta, meditjet, udhëtimet zyrtare, puna qoftë edhe si ushtrues detyre dhe pushimet e mëdha, qoftë edhe të jashtëligjshme, janë vetëm disa nga të mirat që kjo zyre ua ofron punëtorëve të saj.

Zyra e Presidentit të Kosovës, vazhdon të jetë lidere sa i përket të mirave materiale që i posedon. Të punosh në kabinetin e presidentit, është sikur një “parajsë në tokë”. Me një buxhet mbi dy milionësh, shumica e së cilit shkon për paga dhe meditje, rastet kur në këtë zyre punojnë njerëz si ushtrues detyre dhe rehatia e jashtligjshme për punëtoret lehona, janë vetëm disa nga të gjeturat e Auditorit për vitin 2017.

Në vitin e kaluar, Zyra e Presidentit Thai ka shpenzuar 2,168,142€ apo 97% të buxhetit total të këtij institucioni, nga të cilat 892,399 euro në paga dhe meditje për stafin punues. 1,248,189 në mallra dhe shërbime, 70,000 në subvencione dhe transfere, 15,000 në Investime Kapitale dhe 6,700 në shërbime komunale. Këto shpenzime janë shumë më të mëdha krahasuar me vitet e kaluara, shkruan Insajderi.

Në vitin 2015, Zyra e Presidentit kishte buxhet prej 1,615,564 eurosh, 722,484 nga të cilat ishin destinuar për paga dhe meditje të stafit të presidencës. Nga kjo rrjedh se krahasuar me vitet e kaluara, në vitin 2017 buxheti final për paga dhe mëditje ishte rritur për 123,177€ me rishikim të buxhetit, ndërsa ishte zvogëluar për 3,091€ vetëm me njoftim nga MF. Buxheti për paga dhe mëditje ishte shpenzuar 99.7%;

Rritja e buxhetit final për mallra dhe shërbime ishte për 57,769€, prej të cilave 45,769€ ishin të hyrat nga donatorët e jashtëm, si dhe 12,000€ me rishikim të buxhetit. Buxheti për mallra dhe shërbime ishte shpenzuar 96.4%; Buxheti për shërbime komunale ishte reduktuar për 12,000€ pas kërkesës së ZP me rishikim te buxhetit. Kjo shumë ishte alokuar për mallra dhe shërbime.

Shpenzimet e Zyrës së Presidentit gjatë viteve 2015, 2016 dhe 2017

Image

Buxheti për kategorinë e mallrave dhe shërbimeve ishte 1,248,189€, ndërsa ishin shpenzimet 1,203,130€. Pjesa më e madhe e shpenzimeve në këto kategori përfshijnë shpenzimet e udhëtimeve zyrtare, furnizimet për zyrë, shërbimet kontraktuese dhe drekat zyrtare.

Të punosh në zyre të Presidentit, nuk ke nevojë të mendosh për largim nga puna, ani pse mund të jesh në fuksionin e ushtruesit të detyrës.

Në zyre të Presidentit Thaçi tashmë janë tre ushtrues detyre. Madje, këta e kishin tejkaluar afatin e lejuar për mbajtjen e kësaj pozite.

Pozita e Drejtorit të Departamentit të Informimit dhe Komunikimit me Publikun mbulohet me ushtrues detyre, që nga  16 qershori i vitit 2016. Pozita e Sekretarit të Zyrës së Presidentit, funksionon me ushtrues detyre që nga 4 Prilli i vitit 2017. Po ashtu, për këtë pozitë katër herë ishte anuluar konkursi për zgjedhjen e sekretarit të ZP-së. Edhe Divizioni për Buxhet dhe Financa mbulohet me ushtrues detyre që nga data 11.04.2017.

Lënia e këtyre pozitave me ushtrues detyre për një kohë të gjatë, shkel nenin Neni 30 i LSHC nr.03L/149, i cili  përcakton se, në rast të mbetjes së një pozite të lirë në shërbimin civil, ushtruesi i detyrës (U.D) nuk mund të emërohet më gjatë se tre (3) muaj.

Sipas këtij raporti, Zyra e Presidentit Hashim Thaçi ka paguar stafin mbështetës të tij sikurse të ishin punëtorë të shërbimit civil. Përpos kësaj, ky staf mbështetës ka marrë edhe shtesa.

Auditori ka gjetur edhe raste kur janë dhënë fatura për mirëmbajtje të veturave, për pjesët që nuk kanë qenë të parapara në kontratë.

“E gjetura ZP në vitin 2017, kishte kontrata me dy OE për mirëmbajtjen e veturave zyrtare. Në të dy rastet me kushtet të kontratave lejohej që për pjesët të cilat nuk ishin përfshirë individualisht por që janë pjesë e vargut zingjiror të prishjeve të cilat evidentohen me diagnostikim elektronik pagesat për ato pjesë realizohen vetëm pas vlerësimit të komisionit të caktuar dhe duke u bazuar në çmime të tregut. ZP me datë 22.06.2017, kishte realizuar një pagesë në vlerë 2,292€ për mirëmbajtjen e veturës, ku 80% e kësaj fature (1,843€) ishte realizuar për pjesët të cilat nuk ishin të parapara në kontratë (dirigjues komplet, zingjirë komplet etj), dhe për të njëjtat nuk ishte formuar komisioni për vlerësim të diagnostikimit elektronik, për më tepër nuk kishte dëshmi se është bërë analizë e çmimeve të tregut. Rast i njëjtë ishte edhe për pagesen e pjesës ‘’Bond & Lens” e cila ishte ndërruar vetëm me diagnostikim elektronik. Furnizimet e shumta jashtë kontratave për ketë lloj shërbimi janë si pasoj e specifikacioneve të mangëta tek kontratat për mirëmbajtje të automjeteve”, thuhet në publikimin e Auditorit.

Të punosh në zyre të Presidentit do të thotë të punosh në një oazë milionëshe, ku të mirat nuk kanë fund. Pagat e larta, meditjet, udhëtimet zyrtare, puna qoftë edhe si ushtrues detyre dhe pushimet e mëdha, qoftë edhe të jashtëligjshme, janë vetëm disa nga të mirat që kjo zyre ua ofron punëtorëve të saj.