“Yryshi” i Xhavit Halitit ndaj deputetëve të LDK-së dhe frika nga Specialja

0
166

Avdyli: Jemi të gatshëm ta mbrojmë veten
Legjislaturat e Kuvendit të Kosovës në vazhdimësi janë përballur me përplasje të fuqishme. Veç përplasjeve verbale, të cilat, pothuajse e përcollën secilën legjislaturë prej tyre, kjo e fundit, e gjashta me radhë, është kthyer edhe në një arenë përplasjesh fizike.

Pas tensioneve dhe fjalëve të rënda që kishin shkëmbyer mes vete, Xhavit Haliti nga PDK dhe Arben Gashi nga LDK, këta të fundit, i kanë matur forcat dhe janë ndeshur, derisa po votonin për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Përleshjet fizike, moment për ta rritur kuotën para elektoratit?

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, e quan të gabuar shfrytëzimin e forcës fizike nga ana e PDK-së, si moment për t’i rritur kuotat e saj para elektoratit. Sipas tij, ky mentalitet tribal do të refuzohet në masë nga qytetarët e Kosovës. Po ashtu, ai thotë se kjo sjellje e eksponentëve të LDK-së vjen si frikë nga aktakuzate Gjykatës Speciale, ku PDK do të goditet më së shumti.

Lidhja Demokratike e Kosovës, sulmin e bërë ditë më parë në Kuvend ndaj deputetit Arben Gashi e përkufizon si një mendësi të rrezikshme, në të njëjtën kohë, për këtë deklarojnë se kjo formë është praktikuar edhe më parë. E, në anën tjetër, nga PDK këto përleshje po i konsiderojnë si të pahijshme dhe të ngutshme.

“Nuk fitohen poenë politik, duke sulmuar mbrapa shpine”

Image
Haxhi Avdyli
FOTO GALERI
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Haxhi Avdyli, njëherit edhe kryetari i degës së LDK-së në Prizren, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, deklaron se sulmi i bërë ditë më parë në Kuvend ndaj deputetit Arben Gashi tregon edhe një herë mendësinë e tyre të rrezikshme.

Avdyli thotë se ka kaluar koha që Haliti dhe shokët e tij e kanë frikësuar dikë në LDK.

“Xhavit Haliti, si nënkryetar i Kuvendit, si një person me një moshë aq të pjekur bën sjellje fëmijërore nuk kam koment. Sulmi i tij tregon edhe një herë atë mendësinë e vet që këta persona janë dhe kanë qenë të rrezikshëm. Tek e fundit e ka sulmuar dhe prapë po fshihet, kinse nga ajo që ka qenë duke u rrëzuar. Kjo tregon që këta njerëz gjithmonë janë fshehur nga aktet e veta kriminale të cilat i kanë bërë”, shprehet deputeti i LDK-së Haxhi Avdyli.

Sipas Avdylit, tashmë ka kaluar koha Ka kaluar koha që Xhavit Haliti dhe shokët e tij e kanë frikësuar dikë në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Mendoj se Kuvendi nuk duhet bërë arenë për t’i qëruar hesapet sepse aty jemi për diçka tjetër. Ne jemi aty për të diskutuar dhe për t’u ballafaquar, por jo edhe për të qëruar hesapet. Ne si LDK nuk i frikësohemi askujt, nuk e kemi as në plan t’i frikësohemi. Ka kaluar koha që Xhavit Haliti dhe shokët e tij e kanë frikësuar dikë në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ka kaluar koha, pasi që tani është një gjeneratë e re dhe nuk e ka në plan t’i frikësohet askujt, as Xhavit Halitit dhe as shokëve të tij”, është shprehur deputeti Avdyli.

Tutje, deputeti i LDK-së, thotë se nuk do të lejojnë nëpërkëmbjen e asnjë deputeti, pasi që, sipas tij, ka kaluar ajo kohë kur me frikësime e me vrasje kanë arritur për të frikësuar dikë.

“Ne jemi aty për diçka tjetër, jemi për ligje, jemi për diskutime, jemi për iniciativa ligjore, por nuk do të lejojmë nëpërkëmbjen e asnjë deputeti sepse ka kaluar ajo koha kur këta me frikësime e me vrasje kanë arritur për të frikësuar dikë”, tha ai.

Në fund, Avdyli thotë se Partia Demokratike e Kosovës (PDK), më shumë ka humbur me veprimet e fundit, po ashtu, ai thotë se ky subjekt edhe e ka gabuar strategjinë e tyre.

Deputeti nga Prizreni gjithashtu bën me dije se nuk i dëshirojnë këto skena në Kuvend, mirëpo thotë se do të jenë të gatshëm ta mbrojnë vetveten kurdoherë.

“Mendoj se Xhavit Haliti dhe PDK-ja më shumë kanë humbur, se që kanë fituar, nuk fitohen poenat politik duke sulmuar mbrapa shpine njerëzit të cilët presin në radhë për të votuar. Ata e kanë gabuar strategjinë e tyre dhe reagimi i përgjegjshëm i shoqërisë këtu ishte tepër negative ndaj këtyre dukurive dhe mendoje që ne si LDK duhet të jemi të kujdesshëm, por në të njëjtën kohë të dimë ta mbrojmë veten nga çdo sulm verbal, por edhe fizik prej çdo kujt që vjen dhe në këtë drejtim. Ne nuk i dëshirojmë këto skena, mirëpo jemi të gatshëm ta mbrojmë vetveten”, përfundoi deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, për gazetën “Bota sot”.

Deputeti i PDK-së: Veprime të pahijshme

Image
Fadil Beka
FOTO GALERI
Në anën tjetër, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Fadil Beka, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, shprehet se veprimet e deputetëve Haliti dhe Gashi ishin të ngutshme dhe të pahijshme për Kuvendin e Kosovës.

“Ishin veprime të tepërta, nuk ka diskutim se ishin veprime të pamatura nga të dyja anët. Ishin veprime të pahijshme dhe të panevojshme. Mirëpo për ndonjë ndëshkim, zakonisht vendoset gjatë seancës kur ka ndonjë sjellje të pahijshme. Është e udhës të merret ndonjë vendim brenda seancës, siç është rasti kur përjashtohet nga seanca”, tha Beka.

Ndërsa, i pyetur se a ishin veprimet e fundit vetëm për të fituar poena politik, Beka i PDK-së tha se këtë nuk e di.

“Nuk kam ndonjë mendim rreth kësaj pyetje, nuk e di. Por, e theksojë edhe një here se sjellja e asnjërit, si ajo ditë më parë edhe kjo fizikisht nuk me kanë pëlqyer, thjeshte nuk kanë qene në rregull”, u shpreh deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Fadil Beka, për gazetën “Bota sot”.

“Aktakuzat e para nga Specialja, nervozizëm te PDK-ja”

Image
Nexhat Haziri
FOTO GALERI
Ndërsa, analisti politik, Nexhat Haziri, duke i komentuar zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës, konsideron se Partia Demokratike e Kosovës (PDK), nuk e ka zgjedhur formën më të mirë për të arritur kuotën e saj.

Haziri në një prononcim për gazetën “Bota sot”, shprehet se me këto forma nuk frikësohen kundërshtarët politik, e as qytetarët e vendit.

“Nëse po iu referoheni për përplasjes së fundit në mes deputetëve Haliti dhe Gashi, them se Partia Demokratike e Kosovës nuk e ka zgjedhur formën më të mirë për ta arritur kuotën e saj para elektoratit. Pasi ky mentalitet tribal i tyre do të refuzohet në masë nga qytetarët e Kosovës. Ka ikur koha e kërcënimeve dhe me këto forma nuk frikësohen kundërshtarët politik e as qytetarët e Kosovës”, është shprehur Haziri.

Sipas Hazirit, ky yrysh i eksponentëve të PDK-së, më shumë është si pasojë e nervozizmit të tyre në prag të fillimit të punës së Gjykatës Special, pasi që aktakuzat e para nga kjo gjykatë pritet ta godasin këtë parti.

“Kujtojë se kjo përplasje dhe ky yrysh i eksponentëve të PDK-së, më shumë është si pasojë e nervozizmit të tyre në prag të fillimit të punës së Gjykatës Special, pasi që aktakuzat e para nga kjo gjykatë priten ta godasin vetë Partinë Demokratike të Kosovës”, përfundoi njohësi i zhvillimeve politike në vend, Nexhat Haziri, për gazetën “Bota sot”.