“Plani 4+1” i Kurtit për dialogun me Serbinë, pa përfshirjen e Thaçit e Tahirit

0
284

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka deklaruar se është i domosdoshëm plani 4+1 para çfarëdo dialogu dhe me çfarëdo dialogu me Serbinë, derisa ka thënë se nevojitet pajtueshmëri shoqërore e nacionale për temat, parimet, strategjitë dhe përfaqësimi në dialog nuk mund të përfshijë emrat e Hashim Thaçit dhe Edita Tahirit.

Në një konferencë për media i pari i Vetëvendosjes, ka paraqitur katër pika që sipas tij janë të domosdoshme para një dialogu të ri me Serbinë.

Kurti: Është i domosdoshëm plani 4+1

“Është i domosdoshëm plani 4+1 para çfarëdo dialogu e në lidhje me çfarëdo dialogu. Edhe një herë të bëhet bilanci shtetëror i dialogut 2011-2017, të raportohet në Kuvend dhe të kemi debat parlamentar. Pika e dytë, të realizohet dialogu i brendshëm, i hapur e demokratik, në institucionet dhe shoqërinë tonë. Pika e tretë, të zhvillohet një dialog me Bashkimin Evropian (BE) për dialogun me Serbinë, për natyrën, përmbajtjen dhe qëllimin e atij dialogu. Pika e katërt, të pajtohemi që të mos ketë asnjë shmangie në Kosovë nga prioretizimi i punësimit dhe drejtësisë, si dhe nga dialogu me serbët e Kosovës dhe pakicat tjera për zhvillim. Dhe 4+1 e fundit pajtueshmëria jonë shoqërore e nacionale për temat, parimet, strategjitë dhe përfaqësimin në dialog nuk mund të përfshijë emrat e Hashim Thaçit dhe Edita Tahirit”, tha Kurti.

Kurti u shpreh se në asnjë moment, rrethanë apo rol kjo pajtueshmëri nuk mund t’i përfshijë emrat e Hashim Thaçit dhe të Edita Tahirit, ku për të parin ka radhitur një sërë arsyesh se pse duhet të lihet jashtë dialogut.

Image

Albin Kurti

FOTO GALERI

Kurti: Nuk e ngriti çështjen e të pagjeturve

“Në asnjë moment, rrethanë apo rol kjo pajtueshmëri nuk mund t’i përfshijë emrat e Hashim Thaçit dhe Edita Tahirit. Njëriu i cili në dialog me Serbinë nuk e ngriti çështjen e të pagjeturve, të krimeve të luftës të ndarjes së Mitrovicës e të shfrytëzimit të Trepçës, të shqiptarëve të shtypur në Presheve, Medvegjë e Bujanoc, të 1 mijë e 200 artefakteve kulturore të plaçkitura nga Serbia, të kontributeve pensionale dhe depozitave bankare të vjedhura, të 172 pronave të Kosovës që janë nëpër ish-Jugosllavi. Njeriu i cili për gjashtë vjet e heshti çështjen e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit të Serbisë në Kosovë dhe nuk e paditi Serbinë për to. Njeriu i cili frikësohet tejet shumë aktakuzës së mundshme nga Gjykata Speciale, të cilën për interes personal u orvat ta sulmoj në natën e 22 dhjetorit 2017. Njeriu i cili është protagonist i aferës Pronto, të gjithë e mbajmë mend se si i quante qyte tarët e Malishevës dhe ish-krye parlamentarin Jakup Krasniqi”, tha Kurti.

Për presidentin Thaçi, Kurti tha se është njeriu i cili vendosi lule dhe bëri nderime te pllaka përkujtimore e strukturave të Serbisë në Kosovë, ku shkuan viktimat e terrorizmit shqiptar dhe të agresionit të NATO-së.

Ndërsa, tha se është njeriu që mbanë përgjegjësinë kryesore për mos anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, ky njeriu nuk mund të udhëheq më apo të përfaqësojë në këtë proces.

Sa i përket pikës së parë, që të bëhet bilanci shtetëror i dialogut 2011-2017, Kurti u shpreh se nuk ekziston asnjë dokument zyrtar qeveritar që vlerëson dialogun dhe që ai dokument është dashur moti të vije në Kuvendin e Kosovës.

Kurti: Të raportohet në Kuvend dhe të kemi debat parlamentar

“Të bëhet bilanci shtetëror i dialogut 2011-2017, të raportohet në Kuvend dhe të kemi debat parlamentar. Ka pasur shumë investim pa kthim dhe pak transparencë. 33 marrëveshje i ka nënshkruar Kosova me Serbinë në dialogun gjashtë vjeçar, shumica dërrmuese e tyre nuk janë realizuar. Në veçanti duhet theksuar bllokimi që na e bënë Serbia në fushën e energjisë elektrike, në urën mbi Ibër në Mitrovicë, në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe në reciprocitetin e njohjes së diplomave.  Në anën tjetër kemi edhe marrëveshje pa efekt, si për shembull zyrtarët ndërlidhës në Prishtinë e Beograd që nuk kanë kurrfarë roli. Apo kemi edhe marrëveshje të arritura me kundër efekt, si për shembull fusnota në emërtimin e shtetit, Serbia na lufton njësoj kur duam të anëtarësohemi në organizata ndërkombëtare. Nuk ekziston asnjë dokument zyrtar qeveritar që vlerëson dialogun gjashtë vjeçar dhe marrëveshjet e tij. Ai dokument moti është dashur të vij në Kuvendin e Kosovës”, tha ai.

Në propozimin e Vetëvendosjes është edhe pika që të realizohet dialogu i brendshëm, i hapur e demokratik, në institucionet dhe shoqërinë tonë. Kurti u shpreh se debate në Kuvend duhet të ketë para dialogut e për dialogun me Serbinë, për parimet dhe agjendën, për qëllimet dhe formatin.

Gjithashtu, ai tha se dialogu që është zhvilluar në vitet 2011-2017 ka qenë dialog sipas kushteve të Serbisë, ndërsa tha se dialogu i brendshëm duhet zhvilluar me kategoritë e ndryshme shoqërore dhe grupet e interesit, si dialog prej poshtë. Kurti propozoj që të ketë dialog me me shoqatat e familjeve të të pagjeturve, shoqatën e ish të burgosurve politikë, komunitetin e biznesit, kryetarët e komunave të Kosovës, pakicat kombëtare etj.

I pari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, potencoi se duhet të zhvillohet dialog edhe me Bashkimin Evropian për dialogun me Serbinë për natyrën, përmbajtjen dhe qëllimin e atij dialogu.

Kurti: Dialog me Bashkimin Evropian për dialogun me Serbinë

“Të zhvillohet një dialog me Bashkimin Evropian për dialogun me Serbinë për natyrën, përmbajtjen dhe qëllimin e atij dialogu. Nuk mund të vazhdohet më dykuptimësinë kreative me ç’rast për vetë emërtimin e dialogut, pra për normalizimin e marrëdhënieve në Prishtinë, në Beograd dhe në Bruksel kemi së paku tri kuptime të ndryshme. Po ashtu, vetë procesi herë quhej dialog teknik, e herë politik, herë bisedime e madje edhe negociata. Duhen sqaruar shprehjet dhe objektivat, si dhe përfitimet e Kosovës në integrimin euroatlantik, ndërlidhja me procesin e Berlinit dhe kalimi nga normalizimi i marrëdhënieve tek fqinjësia e mirë. Dialogu paraprak me Bashkimin Evropian është i nevojshëm edhe për vetë Bashkimin Evropian që ka shprehur interesim të ripërtërirë për integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe ka filluar të mendoj për kalendarin përpara të gjashtë vendeve të Ballkanit të cilat ende ngelin jashtë Bashkimit Evropian”, u shpreh Kurti.

Ndërsa, pikë e katërt ishte që të ketë një pajtim që të mos ketë asnjë shmangie në Kosovë nga prioritetizimi i punësimit dhe drejtësisë si dhe nga dialogu me serbët e Kosovës dhe pakicat tjera për zhvillim.

Vetëvendosje konferencë për media (Drejtpërdrejt)

Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media në të cilën do të flas kryetari i Lëvizjes Albin Kurti.