Kurti kujton protestat e vitit 1968, thotë se për padrejtësitë e sotme duhet protestuar sot

0
84

Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti përmes nja shkrimi të gjatë postuar në profilin e tij në Facebook, ka kujtuar protestat e vitit 1968 në Paris dhe Pranverën e Pragës.

Në këto protesta, siç ka kujtuar Kurti punëtorët kanë fituar të drejta më të mëdha.

Kurti ka tërhequr një paralele mes asaj kohe kur në Francë lideri edhe pse sado autoritar, nuk pranoi kurrë që të arrestonte Sartre-in i cili qe vendosur në ballë të protestave, një gjest që duket i pamundur për udhëheqësit tanë të sotmë.

Shënimi i plotë i Albin Kurtit

Gjysëmshekulli nga Maji i Parisit dhe Pranvera e Pragës

Viti 1968 ka hyrë në histori si viti i protestave të studentëve dhe grevave të punëtorëve në shumë vende të botës, në luftë kundër pabarazive shoqërore, me kërkesa direkte për liri individuale e për rritje të kujdesit social, kundër pushteteve autoritare të lindjes e të perëndimit, kundër luftërave agresore e kolonizuese.

Fryma e ‘68 ndoshta më së miri përmblidhet tek fjalët e Sartre-it i cili i kundërvihej qoftë gaulle-istëve ashtu edhe stalinistëve duke argumentuar se synimi i lumturisë së nesërme nuk mund të mbërrihet përmes durimit të padrejtësive e shtypjes, shfrytëzimit e mjerimit të sotmë. Moti e dimë se edhe premtimi i kapitalizmit autoritar e korporativ, edhe premtimi i socializmit të centralizuar sovjetik, nuk dolën të ishin parajsa që premtohej, andaj edhe Sartre-i në thelb pati të drejtë. Asnjë premtim e plan, sado joshës për të ardhmen, nuk mund të heshtë dhe të justifikojë padrejtësitë e së tashmes. Për padrejtësitë e sotme duhet protestuar sot.

Në perëndim viti 1968 u shënua sidomos nga ngjarjet në Francë, në atë që mbahet mend si “Maji ‘68”, ku miliona studentë e punëtorë, të përkrahur nga intelektualë të shquar, dolën në demonstrata të zhgënjyer nga koalicioni i Partisë Komuniste me konservatorët e De Gaulle-it.

Siç dihet, studentët kërkonin luftimin e diskriminimit klasor dhe heqjen e kontrollit burokratik e politik nga universiteti; punëtorët kërkonin rritje page e mbrojtje sociale; liberalët kërkonin liri individuale dhe luftim ndaj diskriminimeve seksuale e gjinore; dhe, intelektualët, të cilët nuk ndenjën të paanshëm, denoncuan shtypjen policore e dolën edhe vetë në protesta duke i dhënë një kuptim politik rolit të tyre shoqëror.

Protestat e demonstratat, grevat e okupimet e fabrikave dhe universiteteve u bënë të papërballueshme, duke e detyruar presidentin Charles De Gaulle që ta braktisë vendin fshehurazi e të kërkojë mbështetjen e ushtrisë për të vendosur kontrollin. Megjithatë, sado autoritar, De Gaulle-i nuk pranoi kurrë që të arrestonte Sartre-in i cili qe vendosur në ballë të protestave. “Nuk arrestohet Volteri” i kishte thënë De Gaulle-i ministrit të brendshëm që kërkonte arrestimin e filozofit, në një gjest që duket i pamundur për udhëheqësit tanë të sotmë.

Në fund kërkesat e protestuesve u plotësuan, policia u tërhoq nga universitetet, studentët u liruan nga përndjekja, punëtorët morën një rritje të pagës minimale me 25% dhe rritje të pagës mesatare me 10%. Liritë individuale dhe barazia e identiteteve gjinore nisi të bëhej gjithnjë e më e pranueshme në publik, e kështu u hodhën themelet e forta të socialdemokracive evropiane, në planin ndërkombëtar të dedikuara kundër kolonializmit dhe imperializmit.

Sigurisht, arritjet nuk ishin të përjetshme, pasi në fund të viteve të ’70-ta neoliberalizmi filloi t’i rrëzojë arritjet politike e sociale të socialdemokracisë, duke ruajtur vetëm idenë e lirive individuale e personale dhe barazive formale gjinore. Paradoksalisht, me shkatërrimin e shkollave e të punësimit prej reformave neoliberale, sot gjendemi në një periudhë të ringjalljes së tradicionalizmave shtypës e të punëdhënësve gjithnjë e më shfrytëzues.

Nuk duhet harruar se momenti emancipues e përparimtar liberal i 1968 erdhi si pasojë e investimit serioz në universitete e në punësim, në Evropën perëndimore të pasluftës së dytë. Papunësia dhe shndërrimi i universitetit në treg diplomash prodhon veç mendje të mbyllura dhe njerëz që kanë frikë prej tjetrit.

Në lindje po ashtu pati protesta e lëvizje në shumë vende në vitin 1968, ndër to edhe Kosova, ku në protestat e 1968 për herë të parë u shqiptua parulla “Kosova Republikë!”, por ku kërkesat kryesore ishin për Vetëvendosje, Universitet dhe Flamur.

Në shkallë globale, ‘68 e bllokut lindor u shënua më së shumti nga ajo që njihet si “Pranvera e Pragës”. Pas vdekjes së Stalinit vendet e Traktatit të Varshavës hynë në procese që u quajtën “destalinizim”, gjatë viteve ‘50 e ‘60. Në Çekosllovaki këto reforma u prinë nga Antonin Novotni. Megjithatë destalinizimi nuk prodhoi demokratizimin dhe liritë e kërkuara prej njerëzve.

Në fillim të vitit 1968 Novotni u zëvendësua prej Vladislav Dubçekut, një ish-luftëtari antifashist, i cili nisi reforma të vërteta me synim realizimin e asaj që ai e quajti “Socializëm me fytyrë njerëzore”. Ndër ndryshimet e para që realizoi, ishte eleminimi i secilës formë të censurës, në mars ’68. Më pas ai vazhdoi reformat për të instaluar lirinë e shtypit, lirinë e fjalës, lirinë e lëvizjes, si dhe liberalizimin e prodhimit dhe tregtimit të mallrave e përmirësim të kushteve ekonomike të punëtorëve. Ndër synimet e tij ishte edhe avancimi gradual drejt pluralizmit, si edhe federalizimi i Çekosllovakisë në dy republika të barabarta për të dy kombet, atë çek dhe atë sllovak.

Ndryshimet në Çekosllovaki ngjallën shpresë në shumë prej popujve të vendeve të lindjes, por njëkohësisht ngjallën frikë në qendrën e perandorisë sovjetike. Me urdhër të Leonjid Brezhnjevit, në gusht ’68 ushtritë e Paktit të Varshavës e pushtuan Çekosllovakinë, duke i dhënë fund Pranverës së Pragës. Brezhnjevi është farkëtari i konceptit të sovranitetit të kufizuar për vendet e Traktait të Varshavës.

Si “Pranvera e Pragës” ashtu edhe “Maji ‘68 i Parisit” ishin ngjarje të organizuara e të çuara përpara nga bashkëpunimi i studentëve dhe punëtorëve, por ato u mbështetën masivisht edhe nga njerëz të kulturës e të shkencës, duke prodhuar kështu rolin e intelektualit të angazhuar, figurë kyç për një shoqëri të demokracisë e të barazisë. Vetëdjegia e studentit Jan Palak kundër pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë nuk mbeti akt i vetmuar proteste, ai u pasua me disidencën e Milan Kunderës, Pavel Kohoutit, Ivan Klimës, Jan Nemeçit, Jan Proçazkës e shumë intelektualëve të shquar çekosllovakë. Ndërsa në Paris Jean Paul Sartre-i, Michel Foucault, Gilles Deleuze etj. i kundërviheshin autoritarizmit të De Gaulle-it pa u ndarë prej studentëve e punëtorëve protestues.

Shpallja e universitetit dhe e fabrikës si vend politik, është shpallja e hyrjes në skenë të atyre që më parë ishin të përjashtuar. Kjo solli trazim të status-quosë, dhe përbën ngjarjen e vërtetë të vitit 1968. Protestat e demonstratat prodhuan avancim të shtetit të mirëqenies sociale në Evropën perëndimore, me përmirësim të kushteve ekonomike për punëtorët dhe me rritje të mbështetjes për universitetet. Ndërsa në Evropën lindore, ku u shtypën shumë më egërsisht, ngjarjet e 1968 prodhuan themelet e ndryshimeve që do të ndodhnin dy dekada më vonë, e që fillojnë me rënien e murit të Berlinit.