Haradinaj tregon si do ta shpëtojnë Telekomin nga bankrotimi dhe kur marrim vlerësimin për vizat

0
368

(E plotësuar) – Ramush Haradinaj është pyetur sërish rreth mundësisë për heqjen e vizave për qytetarët e vendit, e sërish ai e ka përmendur fundvitin si kohë të mundshme.

Mirëpo, kryeqeveritari ka përmendur qershorin si muajin kur BE-ja do të japë vlerësimin për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e vendit.

Ndërkaq, Haradinaj ka sqaruar edhe procedurat që do të jenë pas këtij vlerësimi dhe ka përmendur fundin e vitit si kohë të mundshme për t’u liberalizuar vizat.

“Po shkojmë në disa hapa. Në qershor na jepet vlerësimi i BE-së. Por ky vlerësim prapë do të kalojë nëpër institucionet e BE-së. Pastaj secili shtet do të japë mendimin veç e veç. Këto procedura përputhen me këtë periudhë, dhe besoj se para fundit të vitit do të lëvizim pa viza”, ka thënë Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë.

Ndërkohë, ndonëse u pyet se a ka pasur diskutime për këtë çështje në Sofje, Haradinaj nuk e përmendi fare asnjë takim që mund të ketë ndodhur në Samitin e Sofjes.

Ndryshe, Haradinaj e bëri të ditur se Komisioni i BE-së që ishte para dy javësh në Kosovë do ta japë vlerësimin e tij në muajin qershor.

Haradinaj: Nuk kemi dëshirë t’ua ulim pagat, por duhet ta shpëtojmë Telekomin nga bankrotimi

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka folur pas mbledhjes së Qeverisë për krizën që është aktualisht Telekomi i Kosovës.

Ai tha se Qeveria nuk ka dëshirë të ulë pagat e askujt, por duhet të shpëtohet kompania.

Sipas tij bankrotimi eventual është lajm i keq për këtë kompani.

Ai tha se do të bëjnë gjithçka që është e mundur, reduktimin e shpenzimeve të tepërta, të ndalen humbjet edhe njëkohësisht mundësi të uljes së pagave.

“Punëtorëve ndoshta nuk iu bjen shumë të ulen, por menaxhmentit. Nuk besoj 40 përqind, por nëse kërkohet për 10 përqind për punëtorët e  20 përqind për menaxhment, është në të mirën e tyre, në mënyrë që të mos bankrotojë. kur të kthehen në këmbët e veta, mund të kthehen pagat prapë”, tha Haradinaj.

Kryeministri përsëriti se në qershor do të ipet  besimi pozitiv për liberalizimin e vizave.

Sipas tij ky vlerësim do të kalojë prapë nëpër institucionet e BE-së dhe nevojitet aprovimi i vendeve veç e veç.

“Kemi porosi të qarta që qytetarët e vendit e meritojnë lëvizjen e lirë. Unë iu them të gjitha vendeve të BE-së, prej Kosovës nuk ju vjen krim, nuk ju vijnë azilantë. por vetëm lëvizje dhe shkëmbime. Pra po bëhet fjalë për shkëmbim, jo për emigrantë apo krim. Unë mendoj që vetëm qytetarët e rregullt, studentet, rinia, kultura, sporti, biznesi, ata do të udhëtojnë”, tha kryeministri Haradinaj.

****

Kryeministri Ramush Haradinaj mban konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë, e cila u mbajt nga ora 09:00.

Në këtë mbledhje qeveria emëroi dy anëtarë të rinj të Bordit të Ndërmarrjes Publike Ibër Lepenc,  Ejup Visokën dhe Mehmet Ballazhin.