Frika nga Thaçi dhe zgjidhja e dhimbshme për Kosovën

0
965

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ditë më parë ka deklaruar se procesi i ardhshëm për dialogun e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë nuk do të jetë fare i lehtë dhe askush nuk do të fitojë 100 për qind, duke theksuar se Kosova do ta ruajë integritetin dhe sovranitetin e vet territorial.

“Fundi i dialogut do t’i mundësojë Kosovës njohjen nga Serbia dhe anëtarësimin në OKB”, u ka thënë ai gazetarëve në Sofje, pas takimit me Federica Mogherinin.

Ai ka thënë se në takimin e mbajtur me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq me iniciativë të Mogherinit, është folur rreth hapave konkretë e konstruktivë në procesin e ardhshëm të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, në mënyrë që të ndërtohen marrëdhënie të mira fqinjësore.

“Jemi pajtuar që faza përfundimtare e dialogut të fillojë në të ardhmen e afërt me ndërmjetësimin e Mogherinit dhe përkrahjen e SHBA-së, e të shteteve tjera që duan të na ndihmojnë”, ka thënë Thaçi. “Jemi të vetëdijshëm se askush nuk do të fitojë 100 për qind, por e sigurt është se Kosova dhe Serbia me arritjen e marrëveshjes detyruese ligjore do të bëhen pjesë e familjes evropiane”.

Një deklaratë e tillë e presidentit të Republikës se Kosovës Hashim Thaçi është komentuar në mënyra të ndryshme, duke lenë të kuptohet se Kosova edhe mund të humb shumë nga dialogu.

Frika nga Thaçi

Image

Rexhep Selimi

FOTO GALERI

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, Rexhep Selimi, në një deklaratë për “Bota sot”, ka frikë nga kompromisi që presidenti Thaçi mund të bëjë më Serbinë, e që sipas Selimit mund të jetë vetëm për përfitim në territorin e Kosovës.

“Thënia se “as Kosova as Serbia nuk do të fitojnë 100%” është ekuivalente më parimin e ndarjes se fatit të se ardhmes se Kosovës ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Pra, pikërisht ky ishte qëllimi i Serbisë që më bisedime ta rikthente gjysmën e asaj që e kishte humbur në luftë. Kompromiset në mes Kosovës dhe Serbisë janë e lëndojnë Lirinë e fituar më gjak e më sakrificë. Kurse për Serbinë, kompromisi është përfitim vetëm në terrenin tonë”, ka thënë Selimi.

Deputeti Selimi ka shtuar se Kosova po vazhdon të mbahet peng nga Serbia, e cila ka përfituar nga Kosova si gjatë kohës së okupimit por edhe tash në kohën e negociatave.

“Çmimi që po paguan Kosova është i dyfishtë kurse përfitimi i Serbisë po ashtu është i dyfishtë. Kosova edhe është përgjakur në luftë edhe po mbahet peng sot, kurse Serbia edhe ka përfituar nga ne sa na mbante nen okupim dhe po ashtu po përfiton sot për aq sa na mban në negociata. Që të shpëtojmë nga ky proces duhet që ta ndalim menjëherë. Në të kundërtën, epilogu i këtij procesi është i dizajnuar në Serbi dhe i destinuar për dëmin e shtetit të Kosovës”, ka përfunduar për “Bota sot”, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje ne Kuvendin e Kosovës, Rexhep Selimi.

Zgjidhja e dhimbshme për Kosovën, ja pse Serbia po kërkon ndarjen

Image

Enver Bytyçi

FOTO GALERI

Kurse sipas profesorit ndërkombëtar, Enver Bytyçi, sipas të gjitha gjasave në harkun kohor të një viti apo pak më shumë, Serbia dhe Kosova do të bien dakord për një zgjidhje përfundimtare, me të cilën Serbia do ta pranojë Kosovën dhe anasjelltas.

“Aktualisht Kosova është nyja më e vështirë për t’u zgjidhur. Presidenti i Serbisë, ministri i Jashtëm i saj kanë dhënë mesazhe të qarta se çfarë zgjidhje ata pranojnë. Formula e tyre është “Nuk mundet që njëra palë të humbasë gjithçka dhe pala tjetër të fitojë po ashtu gjithçka”, duke nënkuptuar se Serbia nuk pajtohet me humbjen. Të njëjtën formulë e kishte ndjekë edhe kryeministri nacionalist i viteve 2000, Vojisllav Koshtunica. Por me një ndryshim. Ndërsa Koshtunica e kushtëzonte këtë formulë me mbajtjen e sovranitetit serb në Kosovë sa i përket politikave të jashtme dhe të sigurisë, Vuçiç e Daçiç kërkojnë diçka tjetër, ndarjen e Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas profesorit Bytyci, vetëm ndarja e Kosovës është dhimbje për Prishtinën, dhimbje për të cilën ka filluar të flasë edhe Thaçi.

“Asnjë formulë tjetër që njeh pavarësinë e saj nuk është aq e dhimbshme sa ndarja. Beogradi këtë e dëshiron për dy arsye: Së pari dhe kryesore për shkak të pasurive të Kosovës dhe së dyti për të “shpëtuar fytyrën” para popullit serb, dmth për të mos humbur kredibilitetin politik e elektoral të partive që sundojnë pashallarët ballkanas të Beogradit.  Pashallarët politikë të Prishtinës dhe të Tiranës, me Thaçin dhe Edi Ramën në krye, e konsiderojnë nder dhe lavdi faljen e territoreve, mjafton që Merkel, Macron e Junker t’u rrahin shpatullat e t’u thonë se “Ju bëtë histori”! Vdesin ta “bëjnë historinë”! Pavarësisht se me falje territoresh! Prandaj dhe Rama përqafohet përzemërsisht me presidentin e Serbisë dhe ky i fundit nuk le rast pa ngritur në qiell kryeministrin e Shqipërisë me lëvdata  e çoka politike. Prandaj dhe Thaçi nuk e lëshon kryesimin e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë”, ka thënë për “Bota sot”, profesori ndërkombëtar Enver Bytyci.

Reciprocitet me Serbinë

Image

Blerim Burjani

FOTO GALERI

Ndërsa, analisti politik, Blerim Burjani, ka thënë se nëse fiton diçka Serbia, atëherë duhet të fitojë edhe Kosova dhe shqiptarët e luginës se Preshevës, pra duhet të ketë reciprocitet dhe nëse nuk ka atëherë mbetet gjendja e njëjtë.

“Serbia s’mund të fitojë asgjë sa i përket territorit të Kosovës. Kosova duhet ta fitojë ulësen në OKB dhe njohjen nga Serbia, mos të harrojmë ky dialog nuk është për statusin dhe territoret e Kosovës por është dialog teknik, pra duhet në thelb të ruhet dialogu teknik nga pala kosovare. S’ka asgjë tjetër as fitues e as humbës, ky dialog i nxitur nga OKB që quhet teknik thjesht duhet të jetë në frymën e të menduarit nga dokumenti i OKB-së për dialog teknik , këtu duhet të përfundojë çdo gjë , andaj të gjitha gjerat tjera për Kosovën janë të pa pranueshme të rrezikshme dhe kundër integritetit territorial”, ka përfunduar Burjani.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here