9 KOSOVARË SHPALLEN FAJTORË – KËSHTU PLANIFIKUAN TA SULMONIN EKIPIN IZRAELIT TË FUTBOLLIT NË SHKODËR

0
135

Ishte dymbëdhjetë nëntori i 2016-tës kur nëntë kosovarë u arrestuan nga operacioni i autoriteteve kosovare, pasi dyshohej se grupi i përbërë nga këta persona kishin planifikuar një sulm terrorist në Shkodër, kundër kombëtares së Izraelit në ndeshjen futbollistike për kualifikimet e Botërorit Rusi 2018.

Sot, Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli fajtorë këta persona, duke i ngarkuar me akuza se të njëjtit gjatë asaj kohe, kanë pranuar thirrje nga Lavdrim Muhaxheri, ish-udhëheqës i shqiptarëve në ISIS.

Prokuroria Speciale e Kosovës i ngarkon të akuzuarit Visar Ibishi, Burim Istrefi, Leotrim Vojvoda dhe Flamur Gashi se nëpërmjet aplikacionit “Telegram” që supozohet se është i padëgjueshëm nuk mund të përgjohet)me dashje kanë pranuar thirrjen e Lavdrim Muhaxherit, ish-udhëheqësit të shqiptarëve në ISIS, për të sulmuar lojtarët dhe tifozët e Izraelit.

Të akuzuar në këtë proces gjyqësor janë Visar Ibishi, Burim Istrefi, Leotrim Vojvoda, Flamur Gashi, Lulzim Gashi, Arton Ahmeti, Kenan Plakaj, Leotrim Musliu dhe Besart Peci.

Visar Ibishi është dënuar me 10 vjet burg dhe 1,800 euro gjobë, Burim Istrefi është dënuar me 3 vjet burg, Leutrim Vojvoda me 5 vjet, Flamur Gashi me 5 vjet, Kenan Plakaj me 1 vjet e gjashtë muaj dhe 1,800 euro, Arton Ahmeti me 1 vjet e 6 muaj, Lulzim Gashi me 6 vjet burg, Leutrim Musliu me 3 vjet e 6 muaj, Besart Peci me 2,500 euro gjobë.

Arton Ahmeti e Lulzim Gashi akuzohen për përgatitje të veprave terroriste në Kosovë ndaj ndërkombëtarëve, ose institucioneve të sigurisë, ndërsa Kenan Plakaj për import, eksport, furnizim, transportim apo prodhim të paautorizuar të materieve plasëse, ndërsa për armëmbajtje pa leje ngarkohen Leotrim Musliu dhe Besart Peci, shkruan Insajderi.

Në fillim të aksionit lista e të arrestuarve ishte me më shumë persona, me gjithsej tetëmbëdhjetë.

“Visar Ibishi (1990), Liridon Morina (1988), Bujar Brahimi (1985), Burim Istrefi (1988), Kenan Plakaj (1986), Leotrim Vojvoda (1995), Leotrim Musliu (1994), Lulzim Gashi (1990), Arton Ahmeti (1993), Argjend Shatri (1994), Besart Peci (1983), Mexhid Shkreta (1985), Leotrim Syla (1997), Arber Krasniqi (1984), Hajdar Rushiti (1988), Arianit Metallati (1999) dhe Flamur Gashi (1993)”, ishin arrestuar nga autoritet kosovare në fillim të aksionit.

Kryetari i trupit gjykues, Hamdi Ibrahimi, sot e arsyetoi vendimin me të cilin gjykata i ka shpallur fajtorë ta akuzuarit për këtë rast.

“Ky aktgjykim është në emër të popullit dhe veprimet për të cilat të akuzuarit u shpallën fajtorë janë fuqishëm të papranueshme për Kosovën”, tha Ibrahimi gjatë leximit të aktgjykimit.

Ibrahimi ka thënë se njëri nga të akuzuarit ka thënë se po ndiqet për shkak të besimit mysliman, por, Ibrahimi ka thënë se asnjë fe dhe as Islami nuk predikon, e nxitë thirrje për kryerje të veprave terroriste.

“Një i akuzuar këtu ka thënë se po ndiqet vetëm për shkak se është i besimit mysliman por ne që dimë sado pak nga kjo fe e dimë që asnjë fe e as islami nuk predikon, nxitë apo thërret për kryerjen e veprave për të cilat akuzohen”, tha Ibrahimi. /Insajderi.com

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here