Ndërkombëtarët po e shpëtojnë Kosovën nga idetë e rrezikshme të “Gjarprit”

0
1119

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili thuhet të jetë në dijeni e në pajtim për idenë e ndarjes së Kosovës dhe shkëmbimit të territoreve me Serbinë, pas takimit me kancelaren gjermane Angela Merkel, ka thënë se nuk do të ketë ndarje dhe shkëmbim të territoreve me Serbinë, kështu që është tërhequr nga kjo ide.

Kujtojmë se, zyrtarisht Thaçi nuk e ka pranuar kurrë se ka biseduar me Vuçiqin për këtë gjë.

Tërheqje e radhës nga presidenti Thaçi. Kjo pasi edhe në të kaluarën kemi raste të tilla, siç është rasti kur tentuan ta shfuqizojnë Gjykatën Speciale, mirëpo presioni Amerikan dhe i shteteve Perëndimore, i detyroi Thaçin dhe të tjerët që të tërhiqen në heshtje, e me deklarata diplomatike.

Thaçi ka theksuar se debatet për shkëmbim të territoreve janë të kota dhe pa kurrfarë kuptimi. Ai ka theksuar se ide të tilla nuk i sjellin të mira as vendit dhe as paqes në rajon, duke shtuar se ide të tilla nuk janë të institucioneve të Kosovës.

Ai ishte aq i bindur dhe i sigurt, sa që ka thënë se “Serbia i është kthyer sërish skenarit të vjetër për ndarje të Kosovës dhe shkëmbim territoresh”, duke u distancuar tërësisht dhe duke u paraqitur si “viktimë” në këtë rast.

Mirëpo, në anën tjetër edhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Milovan Dreçun, ka thënë se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është duke u përpjekur që nën tavolinë t’i propozojë Beogradit shkëmbim territoresh.

Sipas tij, Thaçi po do shkëmbim të territoreve me Serbinë, duke ia dhënë Serbisë veriun e Kosovës, saktësisht Mitrovicën Veriore, dhe duke marrë një pjesë të Serbisë Jugore, saktësisht Luginën e Preshevës.

Ai ka thënë se, është e sigurt që do të ketë ndërrim të kufijve në Ballkan.

Iniciativa e tillë do të mund të bllokonte përfundimisht njohjen e Kosovës si shtet nga OKB, BE, OSBE dhe NATO-ja, sepse nuk kanë pse ta njohin një shtet që ka dalë në “treg”. Më e pritshme do të ishte tërheqja edhe e njohjeve të deritashme, shkruan “Bota sot”.

Një ide e tillë nëse do të realizohej, me shumë gjasa do të mund të sillte trazira në vend dhe në rajonin e Ballkanit në përgjithësi.

Millaku: Shkëmbimi i territorve dëshirohet nga Serbia dhe Hashim Thaçi

Image

Drita Millaku

FOTO GALERI

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, thotë për “Bota sot” se është fati i mirë që NATO dhe veçanërisht SHBA-të, janë mekanizma sigurie të tërësisë territoriale, ndërsa thotë se shkëmbimin e territoreve e dëshiron vetëm Serbia dhe Hashim Thaçi.

“Tërësia territoriale e Kosovës, është e siguruar nga NATO e veçanërisht nga SHBA-të dhe ky është fati ynë i madh. Për sa i përket shkëmbimit të territoreve me Serbinë, kjo dëshirohet nga Serbia dhe Hashim Thaçi, i cili ka shkuar larg në biseda sekrete me Serbinë, por kjo është vërejtur nga SHBA-të dhe shtetet e perëndimit e sidomos Gjermania e cila është lidere e politikës Evropiane dhe ata i kanë ndaluar këto plane për të penguar interesat Serbe në Ballkan”- shprehet Millaku.

Ajo e quan Thaçin levë e politikës shoviniste serbe, ndërsa Gjermaninë si një shtet që kujdeset për  interesat tona në raport me Serbinë.

“Pra, siç po shihet është shteti Gjerman që kujdeset në ruajtjen e interesave tona në raport me Serbinë dhe është Thaçi ai i cili pretendohet që të jetë levë e politikes shoviniste Serbe dhe interesave të saja në Ballkan. Lëvizja Vetëvendosje i ka ditur këto prirje të Hashim Thaçit dhe për këtë arsye ka qenë kundër zgjedhjes së tij për president. Sa më shumë që Thaçi do të qëndroj në atë pozitë aq më keq do t’i ketë punët Kosova”- thekson Millaku.

Ndërkaq, eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava, vlerëson se Thaçi ka lënë përshtypje pas takimeve me Vuçiqin se mund të ketë ndarje të territoreve me Serbinë, e tërheqja e Thaçit nga kjo ide sipas Tërnavës, është për shkak të mos mbështetjes të vendeve Evropiane dhe SHBA-ve.

Image

Hajrullah Tërnava

FOTO GALERI

“Thaçi si kryetar i Kosovës që është tani, po i udhëheqë bisedimet mes Kosovës e Serbisë, që më parë kryetari i Kosovës nuk i ka pasur këto kompetenca. Edhe që para disa ditëve në bisedat të më hershme disa javshe, shpesh herë kur u takonte me Vuçiqin, kryetarin e Serbisë, dinte me lënë përshtypje dhe me nënkuptuar se edhe ndarja apo këmbimi i territoreve është i mundur. Duke e vërejtur këtë qëndrim, Amerika me aleatët e saj, e sidomos Gjermania, haptas doli me qëndrimin e ashpër dhe të prerë, se nuk mund të ketë ndarje apo këmbim të territoreve me Serbinë. Tani kur e ka kuptuar Thaçi këtë qëndrim të të fortëve, edhe ky ka filluar të sillet ashtu dhe të mbaj qëndrim, se nuk do të ketë ndarje apo këmbim te territoreve me Serbinë. Thaçi tani deklaron dhe mban qëndrim, sepse e di që pa mbështetje të të fortëve si Amerikës, Britanisë dhe gjithsesi të Gjermanisë, ai nuk është në gjendje ta mbaj këtë qëndrim të tij, sepse gjithherë e ka parasysh se është edhe kandidat si i dyshuar i Gjykatës Speciale, që në bazë të deputetit zviceran, Dick Marti, në parlamentin Evropian është miratuar ky propozim për formimin e Gjykatës Speciale, dhe si protagonist kryesor në këtë parlament u apostrofua Hashim Thaçi, të cilin e mundon fakti se mund herë do kurdo të përfundoj në po atë Gjykatë si i akuzuar, prandaj çdo udhëheqje të bisedave të pavarura për Kosovën nga Thaçi, janë të rrezikshme se mund të bëjë edhe pazare në dëme të Kosovës për ta shpëtuar lëkuren e tij”- tha për “Bota sot” Tërnava.

Gjermania do të jetë garantuesi i tërësisë territoriale të Kosovës

Sipas tij, po të mos ishin Evropianët dhe Amerika, ideja e Thaçit dhe Serbisë do të realizohej dhe do të kishim territore të këmbyera.

“Sa u zhvillonin bisedat mes Vuçiqit dhe Thaçit, serbët  lavdëroheshin se dy presidentët në fjalë po i avancojnë bisedat, por sipas deklarimeve të zyrtarëve serb, po të mos ishin perëndimorët, shpejt do të merreshin vesh për kufijtë mes Serbisë dhe Kosovës. Gjermania si shteti më i fort i Evropës, dhe duke i pasur të njohura edhe të kaluarën e Ballkanit, ata mbajnë qëndrim se nuk ka ndryshim të kufijve mes këtyre dy shteteve, se po të ketë ndryshime të kufijve, do të pasojnë edhe luftëra të tjera në Ballkan e gjetiu, sepse këtë na e konfirmon e kaluara jo e moçme, sepse të gjitha shtetet e Ballkanit kanë marrë pjesë në strukjen-copëtimin apo shkurtimin e territoreve shqiptare. Në bazë të kësaj që e thash më lartë, del të nënkuptohet se Gjermania është i forti i Evropës dhe si i tillë do të jetë garantuesi i tërësisë territoriale të Kosovës”- potencoi Tërnava.

E analisti politik Ilir Vata, thotë për “Bota sot” se, Serbia nuk ka të ardhme pa njohur shtetin e Kosovës dhe lidershipi i Serbisë tashmë është e bindur për këtë fakt, madje dhe presidenti Serb, Vuçiq në një farë mënyrë e ka pranuar pavarësinë dhe mëvetësinë e Kosovës.

Image

Ilir Vata

FOTO GALERI

“Shtegun e kalimit për në Evropë, Serbia e ka nga Kosova. Kosova tashmë është një shteti i pavarur, madje ka mbështetjen e Evropës, vendeve aleate të NATO-s dhe kryesisht të SHBA. Asnjë intrigë, apo kuisë nga do që të vijë nga dashakeqësit e Kosovës qofshin brenda apo jashtë territorit të saj nuk mund të tjetërsojë pavarësinë institucionale dhe territoriale të sovranitetit të saj. Serbia nuk ka të ardhme pa njohur shtetin e Kosovës dhe lidershipi i Serbisë tashmë është e bindur për këtë fakt, madje dhe presidenti Serb, Vuçiq në një farë mënyrë e ka pranuar pavarësinë dhe mëvetësinë e Kosovës në një shtet të pavarur dhe kjo lidhet me faktin se Serbia po vazhdon në procesin e integrimit evropian, që shtegun e kalimit për në Evropë, Serbia e ka nga Kosova, pra nuk mundet të pranojë Evropa që një shtet që vjen me intrigat e të shkuarës gjakatare, siç është Serbia. Lufta e Serbisë ndaj Kosovës e kriminalizuar shteti Serb, si Hitleri shtetin Gjerman, por sot Gjermania është një nga yjet e ndritshme të BE-së, sepse dënoi krimet naziste dëmshpërbleu shtetet e dëmtuara dhe qasi paqen Evropiane dhe botërore duke u bërë një ndër shtete paqeruajtëse në Evropë dhe më gjerë”- është shprehur Vata.

Vata: Kosova është çelësi i integrimit të Ballkanit Perëndimor

Sipas tij, Kosova është çelësi i integrimit të Ballkanit Perëndimor, pa integrimin e saj, rajoni nuk integrohet sepse Kosova është dëshmia e padrejtësisë që u është bërë shqiptarëve dhe bota modern kërkon një rajon në paqe dhe paqja vjen nga Kosova.

“Kosova është çelësi i integrimit të Ballkanit Perëndimor, pa integrimin e saj, rajoni nuk integrohet sepse Kosova është dëshmia e padrejtësisë që u është bërë shqiptarëve dhe bota modern kërkon një rajon në paqe dhe paqja vjen nga Kosova”-përfundoi Vata për “Bota sot”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here