Haradinaj vs Merkel

0
239

Angela Merkel, është kancelare e Republikës Federale të Gjermanisë me më shumë se 80 milionë banorë, shtetit më të fortë në Evropë dhe të katërtit në botë, por ajo bënë një jetë modeste krahasuar me politikanët tanë në Kosovë.

Së bashku me burrin e saj, ajo jeton në Berlin në një banesë prej 80 metrave katrorë.

Nga ana tjetër, Ramush Haradinaj, është kryeministër i Kosovës me 1 milion e 700 mijë banorë, vendi më i varfër në Evropë, ku çdo ditë qytetarët e Kosovës në mënyra të ndryshme po e braktisin vendin për shkak të vështirësive për mbijetesë.

Por, pavarësisht kësaj, Haradinaj duket se e ka një jetë shumë më luksoze, krahasuar me kancelaren.

Në formularin për deklarimin e pasurisë në webfaqen e Agjencisë Kundër Korrupsion për vitin 2017, shihet se Haradinaj posedon patundshmëri në vlerë prej mbi 800 mijë euro.

I pari i ekzekutivit posedon një shtëpi banimi në Lagjen “Arbëria” prej 950 metra katrorë, të cilën e ka të lëshuar me qira, që vlen 300 mijë euro.

Në deklarimin e pasurisë shihet se Haradinaj posedon edhe një shtëpi të re në “Marigona Residence” me 500 metra katrorë, ku ka deklaruar se e ka blerë me kredi në vitin 2016 e që i ka kushtuar 202 mijë euro.

Por, Haradinaj e tejkalon me luks kancelaren, Angela Merkel edhe sa i përket pushimeve dimërore.

Kancelarja që përfaqëson shtetin me një buxhet prej 330 miliardë euro, pushimet dimërore që dhjetë vite, i kalon në Pontresina në kantonin Graubünden të Zvicrës.

Fshati turistik Pontresina është modest, pasi që në të i bëjnë pushimet edhe njerëzit e rëndomtë.

Ndërkaq, i pari i Qeverisë së Kosovës për festat e fund vitit ka qëndruar me familjen e tij në hotelin “Carlton” në Sant Moritz të Zvicrës. Sant Moritz është fshati turistik më i shtrenjti në botë.

Kryeministri ka qëndruar në “Carlton” nga 25 dhjetori 2017 deri më 2 janar 2018.

Ai është vendosur në suitën e quajtur “Czar” prej 160 metrash katror. Ndërkaq, mediat vendore kanë raportuar se në atë kohë të pushimeve, çmimi i kësaj suite për shtatë ditë, ka qenë fiks 40 mijë e 600 franga.

Haradinaj në një deklaratë për media pati raportuar se pushimet i ka bërë me parat e veta personale dhe shumë e tyre në total që ai ka shpenzuar është 7 mijë euro.

Se sa para personale i ka shpenzuar Kryeministri në pushimet e fundit dimërore mbetet për t’u parë, ndoshta kjo shumë mund edhe të mos zbulohet kurrë, por një gjë është e sigurt se bazuar në këto të dhëna, Haradinaj si kryeministër e shtetit më të varfër në Evropë, ai po bënë një jetë luksoze krahasuar me kancelaren Merkel që shteti i saj është në listën e top pesëshes më të fuqishme në botë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here