PUNONJËSIT AKUZOHEN PËR ZHVATJE TË QINDRA EUROVE BRENDA DITËS NË SHPELLË TË GADIMES

0
84

Shpella e Gadimes gjithmonë ka punuar deri në orën 15:00 të pasdites, ndërsa pas kësaj ore, prej korrikut të vitit të kaluar, në ambientet e saj po ndodhte diçka e pazakontë. Dyert e shpellës mbylleshin vetëm zyrtarisht, ndonëse në të dy punonjës lejonin vizitorët që të futeshin brenda saj, madje edhe pa bileta duke e mbajtur pazarin për vete. Krejt kjo është pasquar në një shkresë të 5 punonjësve tjerë të Shpellës të cilët kolegët që i akuzojnë për zhvatje i kanë lajmëruar tek organet kompetente.

Në korrikun e vitit të kaluar, pesë punëtorë të Shpellës së Gadimes i kishin vërejtur disa dallavere të cilat po i bënin dy kolegë të tyre, e që cilësohen si keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Këta dy persona, punonjës së Shpellës së Gadimes, po akuzohen se kanë keqpërdorur buxhetin e shtetit në vlerë prej mijëra eurosh. Zyrtari i Financave në Gadime, Oso Gjinovci, si dhe zyrtari tjetër i kësaj shpelle Valon Zymeri, ka afro një vit që punojnë pa orar në këtë shpellë. Këta të dy për dy orë të punës kishin marrë nga 200 euro para shtesë.

Por, kjo punë nuk po bëhet në pajtim me ligjin. Zyrtarët në fjalë prej korrikut e deri në muajin prill të këtij viti kishin lejuar që vizitorë të ndryshëm të futen në shpellë pas orës 15:00, ndonëse shpella punonte vetëm deri në atë kohë.

Për t’i rënë shkurt, këta të dy zyrtarë qe një vit po akuzohen për keqpërdorim të buxhetit të shtetit, duke zhvatur kështu mijëra euro nga manipulimet me bileta për vizitorët të cilët futeshin në Shpellën e Gadimës.

Në një shkresë të cilën e posedon Gazeta Express, e cila mban vulën e pesë punonjësve të Shpellës së Gadimës – Besim Limani, Emin Tasholli, Januz Ejupi, Brahim Asllani dhe Vigan Ejupi, jepen detaje rreth dallavereve të këtyre dy zyrtarëve rreth zhvatjes së parave të cilat janë të destinuara për këtë pasuri natyrore të Kosovës.

Madje, punëtorët thonë se dy kolegët e tyre i kanë shantazhuar ata duke u kërkuar që të mos tregojnë për manipulimet që bënin.

“Mbledhja e biletave që janë shitur nga zyrtari financiar deri në ora 3 në fillim është bërë vet nga këta persona, më pas na kanë detyruar neve si ciceron dhe sigurim me presion që mbledhjen e biletave ta bëjmë na pastaj ato bileta janë shitur disa herë”, thuhet në ankesën e pesë punëtorëve të Shpellës së Gadimës, e cila u është dorëzuar edhe zyrtarëve të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Sipas ankuesve, nga buxheti i shtetit prej orës 15:00 deri në ora 17:00, për çdo ditë pune këta dy zyrtarë kanë keqpërdorur minimum 200 euro në ditë, kurse gjatë pushimit të zyrtarit të financave janë keqpërdorur rreth 700 euro në ditë.

Por, këto nuk janë keqpërdorimet e vetme që këta dy zyrtarë i kanë bërë. Ata edhe veturës zyrtare që kishte qenë në dispozicion të shpellës ia kishin hequr targat dhe e kishin vozitur jashtë orarit të punës.

“Të premten me datë 20.04.2018 zyrtari financiar ka qenë për barazim mujor dhe për furnizim me bileta, dy autobusa kanë ardh nga Shqipëria për vizitë personi që e zëvendëson zyrtarin e financave O.Gjinovci, ka keqpërdorur detyrën duke marrë para dhe duke mos i jap biletat dhe mjetet financiare i ka mbajtur për vetë si dhe neve na ka detyruar nën presion për ta mbajtur nën vëzhgim drejtoreshën dhe larg ngjarjes ku ka ndodhur keqpërdorimi i detyrës zyrtare”, thuhet në ankesën e pesë punonjësve të Gadimës.

E për këtë punë, këta pesë punëtorë të Shpellës, e kanë njoftuar edhe Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor zyrtarët e sektorit për monumentet e rëndësisë së veçanta si dhe kryeshefin ekzekutiv të AMMK.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here