S’ka datë se kur lëshohet për qarkullim ura mbi Ibër, jugu fajëson Rakiqin

0
125

Veturat tashmë lëvizin lirshëm në rrethrrotullimin tek Ura e Ibrit, por qasja është e bllokuar për pjesën tjetër që lidh jugun dhe veriun e Mitrovicës.

Rivitalizimi i urës që ka nisur në vitin 2016, vazhdon të mbetet punë e pakryer, raporton KTV.

Shumë premtime dhe afate kohore janë dhënë për hapjen e Urës së Ibrit, por kjo urë vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullim të veturave.

Aktualisht është duke u rregulluar rrethrrotullimi që do të mundësonte qarkullimin në të dyja anët e qytetit.

Qytetarët e Mitrovicës kanë mendime të ndryshme rreth hapjes së Urës së Ibrit.

Nënkryetari i Mitrovicës së Jugut, Faruk Mujka, fajëson kreun e Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq për bllokimin e punimeve në pjesën veriore në afërsi të urës.

“Ne i kemi kryer të gjitha obligimet tona. Të gjitha vonesat dhe sabotimet kanë ardhur nga Goran Rakiqi. Tek e fundit, ky ka qenë projekt i BE-së dhe është obligim i tyre ta shtyjnë punën deri në fund, por është interesi ynë madhor ta mundësojmë lirinë e plotë të lëvizjes për qytetarët në të dyja anët e Lumit Ibër”, ka thënë Mujka.

Zyrtarë të Mitrovicës së Jugut nuk e dinë datën se kur do të mund të hapet kjo urë për qarkullim.

Ngjashëm ishte shprehur ditë më parë edhe shefja e Zyrës së BE’së Nataliya Apostolova.

Rivitalizimi i Urës së Ibrit është projekt i Bashkimit Europian, si rezultat i marrëveshjes së Brukselit, por që punimet me urdhër të palës serbe janë ndërprerë disa herë.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here