Juristi i njohur: Ka fakte të mjaftueshme për hetime ndaj shumë politikanëve

0
1833

Gjatë javës së kaluar ishte marrë vendimi nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës që të hidhet poshtë kallëzimi  penal për Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte paditur nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi për “tradhti kombëtare”, lidhur me çështjen e Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi.

Sipas vendimit të marrë nga prokurori Sylë Hoxha, thuhet se kallëzimi penal nuk mund të vërtetohej, meqë Thaçi në kohën e nënshkrimit të marrëveshjes nuk ka pasur postin e Presidentit të Republikës.

Millaku: Askush mbi ligjin” në Kosovë nuk qëndron

Lidhur me këtë vendim të Prokurorisë, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, Drita Millaku, ka thënë për “Bota sot” se, parimi askush mbi ligjin nuk qëndron dhe se gjyqësori është i dikuar nga politika.

Image

Drita Millaku

FOTO GALERI

“Fillimisht kjo tregon qartë se parimi “askush mbi ligjin” në Kosovë nuk qëndron. Si pikë e dytë  bëhet qartë se gjyqësori nuk është i pavarur, por përkundrazi është i ndikuar nga politika dhe kjo është një e metë serioze dhe fondamentale”, ka deklaruar deputetja Millaku.

“Pra, që Kosova humb territor kjo u vërtetua, ndërsa hieroglifët e Thaçit dhe Haradinajt se kufiri me Malin e zi do të rishikohet kjo me dekretimin  të marrëveshjes nga presidenti nuk do të ndodhë pasi që kjo është lojë fund e krye e Thaçit e ndihmuar nga partitë që e përkrahë  këtë marrëveshje. Unë mendoj  se është koha e fundit që populli t’i shoh këto gjëra dhe me votën e tij t`i ndëshkojë përfundimisht të gjithë ata që gojën e kanë plotë “shtet e sovranitet” e tërë ditën punojnë kundër”, ka përfunduar deputetja e VV-së , Millaku për “Bota sot”.

Kelmendi: Miratimi i marrëveshjes nga Kuvendi i jep bazë ikjes nga përgjegjësia penale

Kurse, njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi i ka hedhur “fajin” Kuvendit të Kosovës pasi që miratimit nga ky i fundit i jep bazë ikjes nga përgjegjësia penale, pasi që është bërë pa ndryshime kushtetuese.

Image

Muhamet Kelmendi

FOTO GALERI

“Çështja e mos hetimit të Thaçit, sikundër edhe të disa politikaneve tjerë, që kanë marrë pjesë në  nënshkrimet e ndryshme, tipike antikushtetuese, vjen nga mos kryerja e detyrave kushtetuese nga ana e Kuvendit të Kosovës. Fakti se Kuvendi i Kosovës i ka miratuar të gjitha marrëveshjet e nënshkruara nga Thaçi dhe Mustafa, lidhur me demarkacion dhe asociacion, i jep bazë ikjes nga përgjegjësia penale. Kuvendi ka aprovuar marrëveshjet e ndryshme. Ai ka miratuar pa ndërrime kushtetuese Gjykatën Speciale, ka aprovuar dhe dhënë lejen për Listën Serbska, natyrisht se tash e miratoi edhe demarkacionin”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Ai për më tepër, për “Bota sot” ka dhënë faktet me të cilat mund të bëhet hapja e hetimeve për politikanët, por një gjë e tillë nuk bëhet.

“Këto janë fakte. Po më së qarti del çështja me Marrëveshjen e vitit 2015 për Asociacion. Ajo u gjete si antikushtetuese në 25 baza dhe askush nuk po përgjigjet për të. Dua të them se ka fakte të mjaftueshme për hapjen e hetimeve ndaj shumë politikaneve, por ajo nuk do të bëhet.  Pse? Sepse e kemi thjeshtë kapjen e organeve të sistemit të drejtësisë nga politika dhe nuk pritet pa një spastrim të gjerë që çështja të ligjësohet. Ne nuk do të kemi procedure hetuese ndaj askujt dhe pavarësisht nga shkeljet”, ka shpjeguar Kelmendi për “Bota sot”.

Burjani: Gjasat janë zero që të rifillojnë negociatat nga Mali i zi

Ndërkaq, njohësi tjetër i çështjeve juridike dhe politike, Blerim Burjani, ka thënë për “Bota sot”, se çështja e nënshkrimit të marrëveshjes për demarkimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, është çështje teknike dhe jo politike.

Image

Blerim Burjani

FOTO GALERI

“Kjo nuk është çështje politike, ajo ishte çështje teknike, VV ka bërë dhe bënë politizim të gjithçka çfarë ndodhë, nuk ka nevojë të ketë për gjithçka politike të merret gjykata kushtetuese apo gjykatat e rregullta”, ka deklaruar Burjani .

Ai ka thënë, se gjasat janë zero që të rifillojnë negociatat nga Mali i Zi.

“Ju e dini mirë që atë marrëveshje nuk e ka përfunduar Hashimi, ai vetëm e ka nënshkruar e ka aprovuar Kuvendi. Pra Kuvendi ka miratuar marrëveshjen, kjo nuk do të thotë se nuk do të rishikohet edhe pse gjasat janë zero nga Mali i Zi të rifillohet negociatat për këtë temë mezi të përmbyllur nga Kuvendi i Kosovës”, ka përfunduar Burjani për “Bota sot”.

“Gabimi” në ushtrimin e padisë

Ndërsa, politologu, Gurakuç Kuçi, ka thënë për “Bota sot” nënshkrimi i padive duhet të bëhet në mënyrë profesionale, sikurse në rastin e Thaçit të cilit është bërë në cilësinë e Presidentit.

Image

Gurakuq Kuqi

FOTO GALERI

“Ushtrimi i padive duhet pasur parasysh që duhet bërë në mënyrë profesionale, pasi edhe një gabim teknik mund ta hedhë poshtë, andaj edhe padia në fjalë i është bërë z. Thaçi në cilësinë e Presidentit dhe jo në cilësinë e mandatit që e kishte në momentin e nënshkrimit”, ka deklaruar ai.

Për më tepër, ai ka shtuar se nga kjo na del që padia nuk ka shpallë pafajësinë e Thaçit si ish- ministër i punëve të jashtme dhe zëvendëskryeministër, por e ka shpallë të pafajshëm në cilësinë e Presidentit.

“Ka shumë rëndësi që gjëra të tilla të bëhen nga grupe profesionale dhe jo nga një individ, sepse në fund të fundit individi mund të jetë i gabueshëm sado që ka aftësi juridike. Element i rëndësishëm në këtë vendim është edhe hedhja poshtë nga ana juridike nga organe shtetërore, pasi nga të tjerët është e qartë, se marrëveshja e nënshkruar mes dy presidentëve, është vetëm marrëveshje politike pa efekte juridike, dhe që nënkupton edhe një herë fuqishëm se ka qenë për konsum politik të brendshëm dhe hedhje hi syve popullit”, ka deklaruar Kuçi për “Bota sot”.

Në fund, Kuçi ka thënë theksuar se korrigjimi i kufirit, është harruar tashmë nga të gjithë ata që dikur e kundërshtonin, e me ndryshimin e qeverisë as që do të merret kush më me të.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here