Eksklozive: Zbulohet Si e humbi Presidenti Thaçi miqësinë gjermane

0
3249

Ditë më parë Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është pritur në takim nga kancelaria e Gjermanisë, Angela Merkel. Në këtë takim, Thaçi edhe njëherë mori mesazhet e shtetit gjerman, të cilat ishin të qarta, luftojeni korrupsionin dhe krimin e organizuar, ndërsa çështja e liberalizimit të vizave nuk u përmend fare.

 

 

Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, nuk iu organizua pritja shtetërore ashtu siç iu organizua kryesuesit e Kryesisë së Bosnjë e Hercegovinës, Bakir Izetbegoviq, pasi nga takimi Thaçi e Merkel nuk u pa Garda ceremoniale ushtarake siç u pa në takimin Izetbegoviq- Merkel.

“Historia e Thaçi me Berlinin, daton prej arrestimit të agjentëve gjermanë në Kosovë”

Image

Faik Krasniqi

FOTO GALERI

Duke u nisur nga kjo, analisti politik, Faik Krasniqi ka thënë për ” Bota sot”,  se Bashkësia Ndërkombëtare nuk i merr seriozisht drejtuesit tanë shtetërorë, madje as shtetin dhe qytetarët e Kosovës.

 

 

Sipas tij, kjo dëshmohet me mos heqjen e regjimit të vizave edhe pse jemi shtet në Evropë.

“Si pasojë edhe po ndëshkohemi keq nga BE-ja, por jo edhe politik-bërësit tanë që janë të korruptuarit dhe të kriminalizuarit e këtij vendi, kushti i fundit i BE-së për liberalizim të vizave. Prandaj edhe nuk organizohet pritje shtetërore, siç iu bëjnë liderëve të shteteve të tjera. Mirëpo historia e Presidentit Thaçi me Berlini zyrtar, daton prej arrestimit të agjentëve gjermanë në Kosovë. Gjermanët janë popull që nuk e harrojnë kurrë as të mirën e as të keqen. Imazh aspak i mirë për Kosovën kur njeriu më i lartë i shtetit nuk merret seriozisht, edhe pse për më shumë se një dekadë ndërkombëtarët e konsideronin si njeriun më bashkëpunues dhe më të duhurin, pavarësisht se e njihnin biografinë dhe të bëmat e tij!”, ka thënë politologu Krasniqi.

Analisti politik Skender Zogaj, ka thënë se, udhëheqja e Kosovës i ka bërë një varg gabimesh ndaj Gjermanisë që është mikja tradicionale e shqiptarëve.

Image

Skender Zogaj

FOTO GALERI

Sipas tij, miqësia gjermane është e bazuar në korrektësi dhe saktësi raportesh serioze mirëkuptimi e bashkëpunimi.

“Gjermania të mirën dhe të keqen nuk i harron sepse Kosova është larg këtyre parimeve. Para disa vitesh, në Kosovë janë arrestuar “kotnasikoti” (si për inati) dy emisarë të shërbimit inteligjent të Gjermanisë dhe ky gjest e ka prekur indinjatën gjermane, e cila nuk e ka fshehur pakënaqësinë për rastin në fjalë. Nuk është vetëm kjo, janë edhe shumë arsye të tjera në politikën zyrtare gjermane dhe hezitimet e saj. Andaj, pikërisht për këtë mendoj se edhe kjo është edhe arsyeja e pritjes së “ftohtë” të Presidentit Thaçi nga zonja Merkel, që e kurseu ceremonialin e Gardës ushtarake, e cila është e zakonshme me rastin e pritjes së personaliteteve të larta shtetërore të vendeve mike. Prandaj, mungesa e Gardës në pritje është njëfarë mesazhi që duhet të kihet parasysh nga drejtuesit tanë shtetëror, të cilët duhet që të angazhohen më seriozisht për të forcuar dhe ruajtur me dashamirësi miqësinë gjermane, e cila është faktorë e rëndësisë së jashtëzakonshme për fatin historik të shqiptarëve”, ka thënë analisti politik Zogaj.

Shahu: Merkel nuk e vlerësoi aq sa duhet Thaçin

Image

Rexhep Shahu

FOTO GALERI

Ndërsa, analisti politik, Rexhep Shahu, ka vlerësuar se në këtë rast janë ngatërruar dy ndjenja rreth pritjes së Presidentit të Kosovës nga kancelaria e Gjermanisë.

“Nga njëra anë ndjej në shuplakë syve për shkakun se Presidenti i Kosovës Thaçi nuk u prit siç u prit përfaqësuesi i Bosnjës Izetbegoviq dhe në njërën anë ndjehem i prekur nga kjo mënyrë e pritjes nga kjo mënyrë vlerësimi jo siç e ka protokolli i pritjeve. Pastaj ngushëlloj veten duke thënë se Merkel e konsideroi Thaçin si të vetin, si të shtëpisë, meqenëse Gjermania është prezentë në Kosovë si asnjë shtet tjetër i Evropës dhe shqiptarët janë prezent në Gjermani si në asnjë shtet tjetër të botës. Por, është ka më shkon një mendje tjetër me këtë mënyrë pritje që ju bë Hashim Thaçit, sikur Merkel nuk e vlerësoi aq sa duhet Thaçin dhe se nuk e konsideroi aspak apo më saktë, Merkel e qortoi dhe e kritikoi me këtë mënyrë pritje që shihet edhe si nënvlerësuese. E gjithsesi, ne nuk jemi në mendjen e stafit të protokollit të pritjes në Gjermani, pasi u pa që boshnjaku u prit më mirë se shqiptari”, ka thënë analisti politik Rexhep Shahu.

Edhe njohësi i çështjeve politike dhe juridike Blerim Burjani, ka thënë se mesazhi i zonjës Merkel, ishte i qartë për Thaçin dhe këtë klasë politike që e udhëheqin shtetin e Kosovës në këtë fazë kohore.

Image

Blerim Burjani

FOTO GALERI

“Arsyeja e “mirëpritjes” tashmë po dihet, pasi Thaçi e di shumë mirë se mesazhi nga Merkel ishte që të luftohet korrupsioni dhe të ulet papunësia në mënyrë që të punohet  në drejtim të zhvillim ekonomik. Pra, ka shumë gjëra dhe punët bëhen si dhe të mos japin premtime të gatshme se do të bëhet liberalizimi i vizave. Kjo do të varet shumë nga komisioni vlerësues i BE rreth luftës kundër korrupsionit, nëse nuk ka gatishmëri dhe nuk ka pas rezultat në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë që buron nga këta njerëz të pa shkollë që përfitojnë para dhe pasurohen pa ndal atëherë fatkeqësisht nuk do të kemi as liberalizim të vizave”, ka thënë Burjani.

Mesazhi ishte për Thaçin

Sipas tij, Kosovës i duhet një klasë e re politike për të ecur përpara në Integrime Evropiane.

“Këta njerëz nuk mund të dërgojnë shtetin në BE apo integrojnë në BE me përplot probleme korruptive, përfituese këtyre njerëzve herët apo vonë duhet të iu konfiskohet pasuria”, është shprehur Burjani.

Kurse, sipas njohësit të çështjeve politike Ismet Haziri, ajo që u pa në mjetet e informimit vizuale dhe të shkruara është fakt se në protokollin e pritjes kishte dallime për Presidentin Thaçi dhe Presidentin Izetbegoviç.

Image

Ismet Haziri

FOTO GALERI

“Nga këndvështrimi emocional si qytetar i Kosovës nuk na bënë të ndihemi mire, ngase Thaçi në Gjermani ishte presidenti i jonë, por nga këndvështrimi real konsideroj se kancelarja Gjermane- Merkel, nuk e ka pasur mesazhin për popullin e Kosovës, por, mendoj se mesazhi ka qenë pikërisht për Presidentin Thaçi dhe për të gjithë ata që janë dhe pretendojnë të vinë në qeverisje së për të qenë partner bilateral me Gjermaninë dhe BE duhet të përmbushët minimumi i disiplinë i të qenurit personalitet i shtetit, për të respektuar ligjet dhe rregullat demokratike , për të qenë luftëtar i denjë i luftimit të dukurive negative në shtet dhe shoqëri, për të dhënë prova dhe dëshmi se po luftohet korrupsioni dhe kriminaliteti dhe një element krucial për Gjermaninë dhe shtetet e BE-së, është respektimi i të drejtave të njeriut”, ka thënë Haziri.

Kosova nuk po mbetet vetëm

Ai konsideron, se këtu  ka të bëjë me dobësim dhe mos respektim të shtetësisë së Kosovës, por një sinjal alarmues për të gjithë ata që i kanë punët keq me Gjermanin dhe zonjën Merkel, që të rishikojnë veten, veprimet e veta dhe eventualisht nëse ju duket se nuk janë në rregull dhe të rrëfehen në vendin e duhur.

“E rëndësishme për Kosovën është se nuk po mbetemi vetëm në këto procese të rënda të bisedimeve me Serbinë dhe duke qenë me pak provoja diplomatike e me shkathtësi të mangëta politike, po na gjinden miqtë më të fuqishëm si Gjermania, SHBA-ja, Anglia etj. Konsideroj se ruajta e një situate të këtillë me Serbinë po na merr shumë kohë dhe energji, prandaj vizita e Thaçit në Gjermani dhe ditë më parë e Vuçicit,  janë edhe fillimi i fundit të bisedimeve dhe përmbyllja e marrëveshjeve kapitale që do të nënkupton përcaktimin e Serbisë për pranimin e Kosovës ose qëndrimi i saj në mjerimin e lindjes”, ka thënë njohësi i çështjeve politike, Ismet Haziri.

Ndryshe, Zyra për informim e Presidencës së Kosovës, nuk ka kthyer përgjigje për gazetën, lidhur me çështjen e pritjes së Presidentit Thaçi në Gjermani.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here