KRYEMINISTRIA DEL KUNDËR PROPOZIMIT TË MINISTRIT LLUKA QË T’U VENDOSET TAKSË MALLRAVE SERBE

0
146

Qeveria e Kosovës nuk po e përkrah kërkesën e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, që mallrave serbe t’u vendoset një taksë.

Një kërkesë e tillë, e bërë në një nga mbledhjet e Qeverisë, ka për qëllim rritjen e presionit ndaj palës serbe për të zhbllokuar marrëveshjen e energjisë, raporton KTV.

Mirëpo, një kërkesë e tillë për Qeverinë nuk duket e përshtatshme në këto rrethana.

Këshilltari i kryeministrit, Haki Shatri, i ka thënë KTV-së se vendosja e taksave bëhet vetëm në atë moment kur lidhet me efektet ekonomike, ndërsa marrëveshja për energjinë është politike.

Si shpresë tjetër, MZHE-ja po e sheh takimin e 29 majit në Bruksel.

Por, profesori Agron Dida, ka një propozim për autoritetet kosovare për mënyrën e zhbllokimit të kësaj marrëveshjeje.

Ai thotë se, pavarësisht lojërave, Serbia nuk mund të aneksojë liqenin e Ujmanit.

Zyra e BE-së në Kosovë i ka thënë KTV-së se pret nga të dyja palët që të angazhohen për zbatimin e marrëveshjes, e sidomos Serbia në veçanti që e ka detyrimin për të ecur përpara me zbatimin e saj.

Sipas të dhënave të Operatorit të Sistemit dhe Transmisionit-KOSTT, niveli i shpenzimit të energjisë në pjesën veriore të vendit është në rënie.

Ndërsa, përpos 1 milionëve të dhënë kohë më parë nga Qeveria, shpenzimi i energjisë në atë pjesë nuk po subvencionohet më.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here