“POLITIKA SERBE NDËRHYRI BRUTALISHT NË SPORT”

0
86

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka reaguar ndaj veprimeve të autoriteteve të Serbisë rreth ndalimit të sportistëve kosovarë për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të Karatesë në Novi Sad.

MKRS-ja ka thënë se kjo është ndërhyrje brutale e politikës në sport.

“Pamundësimi i pjesëmarrjes së karateistëve të Kombëtares së Kosovës në Kampionatin Evropian të Karatesë që do të mbahet në Novi Sad të Vojvodinës, ku autoritetet serbe kanë ndaluar hyrjen e karateistëve tanë në pikën kufitare në Merdarë, është një veprim i cili dëmton sportin në përgjithësi dhe tregon ndërhyrjen brutale të politikës në sport nga ana e shtetit serb”, thuhet në reagimin e MKRS-së.

Sipas MKRS-së, kjo tregon se Serbia ende nuk është larguar nga mendësia e vjetër.

“Përpos që tregojnë që shteti serb nuk është reformuar dhe ndryshuar nga mendësia e vjetër, ajo kundërshton normat e frymën sportive që institucionet sportive evropiane e botërore e kanë instaluar. Me ndalimin e karateistëve kosovarë duke ua pamundësuar të marrin pjesë në një garë të organizuar nga Federata Evropiane e Karatesë, ajo ka dëmtuar emocionalisht dhe ka shuar ëndrrën e karateistëve tanë që të barabartë të garojnë me karateistë të shteteve tjera”, vazhdon reagimi.

Kjo Ministri u ka bërë thirrje autoriteteve sportive evropiane të karatesë të marrin masa ndaj Serbisë.

“Si Ministri e Sportit, me këtë rast, i bëjmë thirrje autoriteteve sportive evropiane e botërore të karatesë dhe sporteve tjera që marrin masa ndaj Serbisë që të ndalojë njëherë e përgjithmonë në ndërhyrjen në sport kur ka të bëjmë me sportistët kosovarë. Nëse Serbia nuk është e gatshme dhe e aftë të organizojë gara e ngjarje sportive në të cilët marrin pjesë edhe sportistët dhe njerëzit tjerë të sportit nga Kosova, atëherë e drejta e organizimit të këtyre ngjarjeve mos t’i jepet fare Serbisë. Përfundimisht, Serbia duhet të disiplinohet nga autoritetet sportive botërore e evropiane në raport me sportin e Kosovës. Sporti është dhe duhet të mbetet e ndarë nga politika”, theksohet në reagim.

Megjithatë, MKRS-ja thotë se veprimet e Serbisë i kanë dëmtuar sportistët kosovarë.

“Është ndjenja më e keqe e mundshme kur një sportisti, i cili është përgatitur dhe shpreson që të korrë suksese në garat që pritet të marrë pjesë, e kjo e drejtë t’i pamundësohet nga ndërhyrjet politike me sfond nacionalist. Karateistët tanë, përmes këtij ndalimi të pjesëmarrjes në garën në Novi Sad, janë dëmtuar në shumë aspekte, emocional, psikologjik dhe në instancë të fundit edhe për kualifikime të mëtejme që mundësojnë marrjen pjesë në lojërat evropiane e olimpike”, shkruan tutje në reagim.

“Ne si Ministri e ndalimin e karateistëve tonë e konsiderojmë shkeljen dhe diskriminimin më flagrant që bën Serbia me sportistët tanë që njëherësh është edhe shkelje e të drejtave të njeriut”, përfundon reagimi./Insajderi.com

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here