Tahiri: Serbia po e pengon renovimin e shkollës shqipe në Bujanoc, vazhdon me mentalitet hegjemonik dhe qasje anakronike

0
234

Shtatë muaj pasi janë ndarë paratë për renovimin e një shkolle fillore në fshatin Somolicë të Bujanocit, projekti është bllokuar nga shteti serb. Këtë gjë e ka bërë të ditur përmes një statusi në rrjetin social Facebook ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili ka qenë edhe iniciator për renovimin e kësaj shkolle.

“Para shtatë muajve Qeveria e Republikës së Kosovës e pat miratuar një propozim që kisha bërë në një mbledhje të kabinetit qeveritar për ndarjen e 40 mijë eurove për renovimin e një shkolle fillore në fshatin Somolicë të komunës së Bujanocit.

Ideja për këtë propozim më kishte lindur gjatë një vizite zyrtare që kisha zhvilluar dy ditë më herët në këtë komunë. Gjatë takimeve me kryetarin e Bujanocit, z.Shaip Kamberin, pata rastin të dëgjoj shqetësimin e tij të thellë për nevojën e menjëhershme që e kanë si komunë për renovimin e asaj shkolle me qëllim përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të domosdoshme për mbarëvajtjen e procesit edukativ dhe mësimor.

Mirëpo, edhe pse janë ndarë mjetet dhe çdo gjë është përgatitur në detaje për zbatimin sa më efikas të këtij vendimi, përsëri shteti Serb, që nga ajo kohë nuk ka lejuar transferimin e mjeteve financiare të sipërpërmendura në Komunën e Bujanocit. Që nga ajo ditë e deri më sot, autoritetet zyrtare të Serbisë e kanë stopuar implementimin e kësaj iniciative” ka shkruar Tahiri.

Sipas ministrit Tahiri, ky është edhe një tentim i shtetit serb për të pamundësuar mësimin shqip, pasi më parë ka ndaluar edhe pajisjen me tekste shkollore të dhuruara nga Kosova.

“Ky qëndrim bllokues i shtetit serb, besoj më shumë se asgjë tjetër, tregon për politikën zyrtare diskriminuese që Beogradi ndjek në vazhdimësi në raport me shqiptarët e Luginës së Preshevës. Kjo politikë segreguese tenton që ta dekurajojë dhe pamundësojë mësimin e nxënëseve të Luginës në gjuhën e tyre amtare, edhe përkundër faktit se një e drejtë e tillë është e garantuar me normat dhe standardet më të avancuara ndërkombëtare. Prandaj, ky shtet e pengon pajisjen e nxënëseve të këtyre komunave me tekste shkollore të dhuruara falas nga shteti i Kosovës” ka vazhduar më tej Tahiri.

Serbia, sipas Tahiri, vetëm nënshkruan marrëveshje e nuk i zbaton ato, siç është edhe rasti i njohjes reciproke të diplomave universitare.

Për më shumë, sipas Tahiri, kjo e dëshmon qasjen anakronike e hegjemonike të politikës serbe, që ende ka trashëgimtarë të Millosheviqit në pushtet.

“Ky mentalitet hegjemonik dhe qasje anakronike flasin edhe për pamundësitë e politikës serbe për t’u çliruar nga kthetrat e të kaluarës së saj nacionaliste. Serbia ka mbetur ajo që ka qenë në gjatë viteve ‘90. Nuk ka ndryshuar asgjë. Nuk ka arritur të distancohet nga vorbulla e logjikës së saj antidemokratike. Të gjithë e dimë se si regjimi i Milosheviqit e ushtronte këtë politikë, duke dëbuar nxënësit dhe studentët shqiptarë nga objektet shkollore dhe universitare si dhe si e pat instaluar një diskriminim total në arsim mbi baza etnike. Ndërkaq trashëgimtarët e tij ideologjikë që ndodhen sot në pushtet në Serbi, si Aleksandër Vuciq dhe Ivica Daciq, për shkak të pamundësisë që këtë strategji ta zbatojnë në Kosovë, të paktën kanë vendosur që këtë qëndrim antishqiptar ta realizojnë aty ku kanë mundësi, sikurse në Luginën e Preshevës. Natyrisht këtë projekt konstant drejtuese aktuale politike serbe tani e bënë në mënyrë më tinëzare dhe më te sofistikuar. Sepse nëse në vitet ’90 i dëbonin shqiptarët nga objektet shkollore duke tentuar t’ua mohojnë të drejtën për shkollim dhe arsimim, ata sot e pengojnë investimin dhe përmirësimin e infrastrukturës shkollore, si në rastin e fundit e pengimit të investimeve në shkollën fillore ne Somolicë, me qëllim që ta pamundësojnë zhvillimin normal të procesit mësimor’ ka shkruar me tej Tahiri.

Ajo që mbetet shqetësuese për Tahiri është papërgjegjshmëria e BE-së dhe mosndëshkimi i një shteti që shpërfill parimet themelore demokratike, por në të kundërtën, sipas Tahiri, edhe pse shqiptarët e Luginës janë më të diskriminuarit në Evropë , Serbisë i është mundësuar intensifikimi i negociatave të anëtarësimit në BE.

“Të gjitha këto fakte flasin qartë se shqiptarët e Luginës sot janë komuniteti kombëtar më i diskriminuar në Evropë. Dhe paradoksalisht veprime të tilla ndodhin në një vend që tashmë i ka intensifikuar negociatat për t’u anëtarësuar në kuadër të Bashkimi Evropian. Mbase ka ardhur koha që edhe vetë Brukseli t’ia shtrojë vetes një pyetje serioze se a lejohen të integrohen në kuadër të BE-së shtete që shpërfillin në mënyrë skandaloze parimet themelore demokratike të këtij entiteti?” ka përfunduar Tahiri.

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/tahiri-serbia-po-e-pengon-renovimin-e-shkolles-shqipe-ne-bujanoc-vazhdon-me-mentalitet-hegjemonik-dhe-qasje-anakronike-533153/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here