Kurti e Pacolli injorojnë tryezën e Kadri Veselit

0
168

Të paktën dy parti politike do të injorojnë Tryezën e partive politike të thirrur kësaj radhe nga PDK’ja, të martën e ardhshme. Rexhep Selimi ka thënë se s’kanë pse të shkojnë në tryezën e Veselit derisa Pacolli ka thënë se tryezat e tilla janë të kota dhe për qëllime politike.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Kosovën e re do ta bojkotojnë tryezën e radhës të partive politike, e thirrur, për të martën nga Kadri Veseli i PDK’së.

Kështu, pjesë e kësaj tryeze pritet të jenë LDK, AAK, NISMA dhe Grupi i Deputetëve të Pavarur. Megjithëse, këta të fundit nuk kanë dhënë ndonjë sqarim nëse sigurt do të jenë pjesë e takimit të radhës të thirrur nga Veseli.

Rexhep Selimi, deputet i VV’së, ka konfirmuar para disa ditësh, për T7, se nuk do të marrin pjesë në tryezën e PDK’së. Sipas tij, Veseli po dëshiron të përfitojë kohë për të qëndruar në pushtet.

Ndërkohë, Behgjet Pacolli, kishte deklaruar se tryezat e Partive janë të kota dhe po bëhen për qëllime personale të liderëve.

Madje, Pacolli ka deklaurar se Veseli, Haradinaj e Mustafa po bëjnë gara politike në mënyrë të heshtur, përmes prezantimit të dokumenteve, që nuk kanë qëllim zgjidhjen e problemeve.

“Unë besoj se është një konkurrencë e heshtur në mes të liderëve partiakë që më tepër të thonë diçka se secili prej tyre i e di se nuk ka ofruar asnjë gjë e cila do t’i ndihmonte kauzës tonë”, ka thënë Pacolli, të shtunën për Express.

“Platformat janë për interesat e tyre. Ka më tepër show se substancë”, ka shtuar ai.

Reagimi i Pacolli ka ardhur pas prezantimit të Platformave dhe Tryezave të mbajtura nga PDK, LDK e AAK.

Në këto dokumente e takime janë përmendur disa tema që duhet çuar përpara. Zgjedhjet nuk janë opsion.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ditë më parë, ka prezantuar edhe propozim-platformën për konsensus rreth këtyre temave.

Takimi i parë ishte thirrur nga LDK’ja, ku kishin marrë pjesë shumica e partive politike.

Ky cikël takimesh kishte nisur me idenë që të ketë konsensus nacional për disa tema si integrimet, ushtria e zgjedhjet.

Partitë në pushtet kanë mohuar mundësinë që të shkohet në zgjedhje shpejt.

Por, Behgjet Pacolli e ka përmendur mundësinë që vitin tjetër të ketë zgjedhje nëse kryhen disa tema si reforma zgjedhore, integrimet, ekonomia e ushtria.

Aktualisht, Qeveria e Kosovës, ka vetëm 52 deputetë pasi Lista Sprksa ka ikur nga koalicioni. As opozita nuk i ka siguruar 61 vota për ta rrëzuar Qeverinë, pasi Grupi i Pavarur i Deputetëve, ka paralajmëruar se nuk do të bëhet pjesë e rrëzimit të Qeverisë nëse në të njëjtën nismë është edhe Lista Srpska.

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/kurti-e-pacolli-injorojne-tryezen-e-kadri-veselit-533118/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here