Abrashi thotë se LDK’ja po i mungon Kosovës në Qeveri

0
248

Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar sot 28 vjetorin e themelimit të degës së saj në Mitrovicë. Arban Abrashi nga Kryesia Qendrore e LDK’së, tha se kjo parti sot në skenën politike po i mungon Kosovës në Qeveri.

Sipas tij, të gjithë së bashku i duhen akoma LDK’së, në mënyrë që t’i kultivojnë vlerat e mirëfillta të demokracisë dhe vlerat tjera partiake, për një jetë më të mirë të të gjithë qytetarëve.

“Sot po e shohim skenën tonë politike. LDK’ja po i mungon Kosovës në Qeveri. LDK’ja po jep kontributin e saj në Kuvendin e Kosovës. Keni parë edhe tryezat e fundit të cilat po i udhëheqë LDK’ja në funksion të proceseve të mëdha që po e presin Kosovën, qoftë integrimi në BE, qoftë ushtria etj. Prandaj, ne dhe ju i duhemi ende LDK’së që t’i kultivojmë vlerat e mirëfillta të demokracisë dhe vlerat tjera partiake në shërbim të jetës më të mirë të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Abrashi.

Në anën tjetër, kryetari i LDK’së në Mitrovicë, Safet Kamberi, ka bërë thirrje për një fuqizim akoma më të madh të strukturave të kësaj partie, në mënyrë që LDK’ja, siç tha, të bëhet subjekt i rëndësishëm dhe determinues i politikave lokale, por edhe i atyre nacionale.

“Kjo në një formë neve duhet të na nxitë që strukturat tona, angazhimi ynë të jetë edhe shumë më i madh, të fuqizohen strukturat edhe më tutje në vazhdimësi, në mënyrë që LDK’ja të bëhet subjekt i rëndësishëm dhe determinues i politikave qoftë atyre lokale, qoftë nacionale”, theksoi Kamberi.

Ky përvjetor është shënuar përmes një ekspozite me 28 fotografi, që korrespondon me 28 vjetorin e themelimit të LDK’së, përmes të cilave u përkujtuan siç u tha, gjithë ato aktivitete dhe vite të lavdishme të LDK’së për Kosovën, Mitrovicën, dhe njerëzit që kanë dhënë shumë për Mitrovicën

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/abrashi-thote-se-ldk-ja-po-i-mungon-kosoves-ne-qeveri-533237/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here