Përveç veturës, ja edhe çfarë u gjet në lumin Lepenc lidhur me dy policët e zhdukur

0
545

Në kërkim të dy policëve që dyshohet se ranë në lumin Lepenc, pothuajse dhjetëra ekipe janë angazhuar për gjetjen e tyre. Përfshirja e tërë këtyre ekipeve, megjithatë, nuk dihet se e ndihmon këtë aksion apo e vështirëson atë
Shumica e qytetarëve dhe zyrtarëve që po marrin pjesë në kërkimin e dy policëve të zhdukur në Lepenc, janë duke e bërë këtë punë në formë vullnetare.

AME-ja, njësitet e FSK-së, njësitet e ndryshme të kërkimit të shpëtimit, ekipe të zhytësve, KFOR si dhe zyrtarë policorë vullnetarë, ekipe të ndryshme vullnetarë, zhytës, alpinistë dhe qytetarë, kanë zënë vend në kërkimet që po bëhen për dy policët që u zhduken të shtunën mbrëma, por që po dyshohet se si pasojë e një aksidenti kanë rënë në lumin Lepenc.

Pjesëmarrjen e tërë këtyre grupeve, personave, zyrtarëve etj, e ka konfirmuar për Gazetën Express, Policia e Kosovës përmes një përgjigjeje zyrtare.

“Ashtu siç është bërë e ditur deri me tani menaxhmenti i lartë i PK-së, në vendin e ngjarjes kanë angazhuar menjëherë të gjitha njësitë relevante të Policisë së Kosovës, duke përfshirë edhe koordinimin, bashkëpunimin dhe angazhimin e menjëhershëm me te gjitha institucionet tjera përgjegjëse si: Prokuroria, AME-ja, njësitet e FSK-së, njësitet e ndryshme të kërkim-shpëtimit, ekipe të zhytësve, KFOR si dhe zyrtarë policorë vullnetarë, ekipe të ndryshme vullnetare, zhytës, alpinist, qytetarë etj., të cilët me përkushtimin më të madh të pakursyer për ditë me radhë janë vënë në kërkim të kolegëve tanë, çka edhe është qëllimi primar i yni”, thotë policia në përgjigjen për Expressin.

Por, sa po e ndihmojmë këtë aksion përfshirja e tërë këtyre grupeve në kërkime?

Zhytësi i njohur, Ismail Kasumi, i cili përgjatë 50 viteve ka nxjerrë më shumë se 500 trupa nga ujërat, në emisionin “Pressing” ka thënë se përfshirja e shumtë e njerëzve në kërkime, mund edhe të shkaktojë probleme dhe më shumë bën dëm sesa që ndihmon.

Pos kësaj, ai potencoi edhe disa gabime trashanike që po bëhen nga ekipet ose nga ata që po i udhëheqin.

Sot për Gazetën Express, Ismail Kasumi tregoi se Policia e Kosovës i ka bërë ftesë të marrë pjesë në kërkime, por këtë do ta bëjë nga dita e nesërme.

Nuk janë të vetmit këto grupe që i përmendëm se po marrin pjesë në kërkime. Të pranishëm në kërkime, me tesha të zhytjes u pa edhe deputeti nga VV-ja, Liburn Aliu dje, por edhe sot këngëtari i njohur MC Beka.

Nga ana tjetër, deri tani nuk ka asgjë të re rreth kësaj çështjeje.

Malësor Dashi e Armend Trena, mbrëmjen e së shtunës, në krye të detyrës u zhdukën në mënyrë enigmatike.

Përveç veturës së dy policëve, T7 mëson se deri më tani janë gjetur disa pajisje të punës të njërit nga policët, prangat, arma, spreji, një këpucë si dhe blloku i shënimeve të Armendit.

Sot është dita e katërt që po vazhdojnë të kërkohen trupat e policëve të cilët ditën e shtunë u aksidentuan afër Lepencit në Kaçanik në rrethana ende të paqarta.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here