KUSARI-LILA: KËRKESA E HARADINAJT NDAJ LUMEZIT RREZIKON PAL LEKAJN

0
182

Kërkesa e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj ndaj kryeprokurorit Aleksandër Lumezi mund ta rrezikojë ish-kryetarin e Komunës së Gjakovës (AAK), Pal Lekaj, i cili aktualisht është ministër i Infrastrukturës.

Kërkesa e Haradinajt ndaj Lumezit ka të bëjë me nisjen e hetimeve për projektin e ndërtimit të memorialit në Meje të Gjakovës.

“Kërkoj nga ju, që në kuadër të mandatit tuaj kushtetues dhe ligjor, menjëherë të filloni hetimet në koordimin me Policinë e Kosovës për të qartësuar shqetësimet e shprehura të banorëve për keqpërdorime të mundshme, rreth ndërtimit të Memorialit në Meje të Gjakovës”, thuhet në vendimin e kryeministrit drejtuar kryeprokurorit Lumezi.

Por ky projekt ishte nënshkruar në kohën e ish-kryetarit Pal Lekaj.

Megjithatë, ish-kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, të cilës iu desh ta vazhdonte këtë projekt, jep detaje nga ky rast.

Ajo ka thënë për Gazetën Insajderi se kontrata për ndërtimin e Memorialit të Mejës, ishte nënshkruar para zgjedhjeve lokale të vitit 2013 prej të cilave doli humbës ish-kryetari Lekaj.

Sipas saj, kontrata kishte vlerën 1 milion e 50 mijë euro. Prej kësaj vlere, siç ka thënë ajo, ‘qeverisja Lekaj’ kishte zotuar vetëm 50 mijë euro.

“Ky projekt është tenderuar në kohën e qeverisjes së Pal Lekajt dhe vlera ka qenë diku 1 milion e 50 mijë euro. Në këtë projekt kanë qenë të zotuara vetëm 50 mijë euro, e cila në fakt ka qenë skandaloze, sepse ka pasur diskrepancë të madhe mes vlerës së nënshkruar të kontratës dhe të mjeteve të ndara nga komuna. Me ato 50 mijë euro ata i patën çelë disa kanale, disa punime të vrazhda dhe ka qenë pothuajse e pakalueshme”, ka thënë për Insajderin Kusari-Lila.

Pas ardhjes së saj në krye të Komunës së Gjakovës, Kusari-Lila thotë se i ka ndarë edhe 240 mijë euro për ta vazhduar projektin. Ajo thotë se këto mjete nuk mjaftuan për këtë projekt dhe i kishin bërë kërkesë Agjencionit për Mbikëqyrjen e Komplekseve Memorialeve për t’u ndarë mjete shtesë.

Nga kërkesa për mjete shtesë, e cila nuk i kujtohet, por ka thënë se janë të dokumentuara në Komunë, Agjencioni ua kishte ndarë një pjesë, dhe më vonë pjesën tjetër.

Por, pas ndarjes së mjeteve shtesë për herë të dytë, Kusari-Lila ka thënë se Agjencioni kërkoi që punimet të ndërpriten dhe menaxhimin ta merrte vetë ajo.

“Ne kemi pasur vazhdimisht kërkesa për mjete shtesë. Kur janë miratuar mjetet shtesë nga Agjencioni për Mbikëqyrjen e Komplekseve Memoriale, atëherë ata me një vendim të veçantë ia kanë aloku komunës disa mjete shtesë, ndërsa kur janë ndarë mjetet tjera shtesë (për herën e dytë), atëherë ata (Agjencioni) ka kërkuar që komuna t’i ndërpresë të gjitha punët me operatorin dhe m’i menaxu ata projektin”, ka thënë tutje ish-kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, e cila aktualisht është deputete e Kuvendit të Kosovës nga partia Alternativa.

Pavarësisht situatës së krijuar, Kusari-Lila ka thënë përgjegjëse për këtë është vetë kryeministri me partinë e tij pasi kontrata është nënshkruar në kohën e qeverisjes së tyre.

“Në fakt, përgjegjësi duhet të ndiejnë kryeministri me partinë e vet, po e them publikisht, sepse projekti është nisur në kohën e Pal Lekajt, është nënshkruar në kohën e tij. Unë jam e vetmja kryetare që më së shumti kam investuar në kompleksin e Mejës”, ka deklaruar ajo për Insajderin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here