SINDIKATA KËRKON ZBATIMIN E LIGJIT TË PUNËS EDHE PËR SEKTORIN PRIVAT

0
115

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Sektorit Privat, në “Express Intervistën” në KTV, ka thënë se kryeministri Ramush Haradinaj nuk ishte i informuar për gjendjen e punëtorëve privat, por i ka kërkuar qeverisë së tij që ta zbatojë marrëveshjen kolektive dhe ligjin e punës edhe për sektorin privat.

Azemi ka thënë se në Kosovë në sektorin privat janë të punësuar 220 mijë persona dhe sipas llogarive, 100 mijë prej tyre nuk kanë kontrata të rregullta pune.

“Kryeministri nuk është i njoftuar për gjendjen e punëtorëve privat. Mbi 70 për qind të marrëveshjes kolektive dhe ligjit të punës nuk aplikohet në Kosovë. Sindikata ka mospajtueshmëri për këtë ligj, por kërkojmë që qeveria ta zbatojë atë”, ka thënë Azemi në “Express Intervistë”.

“Zbatueshmëria e marrëveshjes kolektive dhe ligjit të punës besoj se është e kënaqshme, por gjëja më elementare është se nuk kanë kontrata pune dhe [punëtorët] janë komplet të zhveshur nga ligjet dhe të drejtat që u takojnë. Punëtori privat duhet të niset nga elementarja që është paga, të cilën nuk e marrin pagën me kohë, kanë pagë 250 euro. Edhe ata që kanë kontratë pune, 60 për qind e kompanive nuk paguajnë trustin pensional”, ka theksuar ai.

Ai ka kërkuar që të fillohet zbatimi i marrëveshjes kolektive dhe ligjit të punës edhe në praktikë, pasi gjendja e punëtorëve privatë po vjen e përkeqësohet.

“Edhe nëse punon 5 ditë sigurisht se punon 6 ditë. Asnjë punëtor në sektorin privat nuk punon tetë orë, por dhjetë orë. Në shumicën e rasteve, në markete dhe në ndërtimtari edhe fundjava është ditë pune”, ka thënë veç të tjerash Azemi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here