PËRGJIGJA NGA GJYKATA SPECIALE DHE RRËFIMI I DJALIT TË SMAJL HAJDARAJT: “BABAI E DINTE SE DO TA VRISNIN”

0
143

Kur së shpejti pritet të ngritën aktakuzat e para nga Dhoma e Prokurorit të Specializuar të Kosovës – organi i ngritjes së akuzave për Gjykatën Speciale – Fetah Rudi, një ish-mësues dhe aktivist politik, shpreson se kjo Gjykatë do të sjell drejtësi për atentatin ndaj tij para 17 vitesh.

Aktivisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka mbetur në karrige me rrota që prej dhjetorit të vitit 2000, kur persona të armatosur ende të paidentifikuar i kishin shkarkuar atij 14 plumba në stomak dhe në shpatull, në një incident që kishte ndodhur në afërsi të fshatit Rud.

Atij i kanë humbur shpresat për t’u çuar sërish në këmbët e veta, mirëpo Gjykata Speciale për Krime Lufte ia ka kthyer shpresën.

“Gjykata Speciale është mundësia e fundit për ta liruar popullin tonë”, i tha Rudi gazetës amerikane New York Times tri javë më parë.

Mandati i Gjykatës Speciale përkufizohet kryesisht në hetimet dhe gjykimet e rasteve të pretenduara të krimeve të luftës nga ana e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve, që përfshin periudhën kohore nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000. Për këtë fakt, Rudi mban shpresat tek Gjykata.

Mirëpo, vrasjet politike në Kosovë kanë vazhduar edhe pas dhjetorit të vitit 2000. Një prej vrasjeve më tronditëse të pasluftës ka ndodhur më 17 janar të vitit 2002, kur ish-deputeti i LDK-së Smajl Hajdaraj ishte qëlluar për vdekje në hyrje të banesës së tij në Pejë.

Atë e vranë persona që ende nuk janë identifikuar dhe rasti vazhdon të bredhë nëpër institucionet vendore të drejtësisë.

Për dallim nga rasti i Fetah Rudit, vrasja e deputetit dhe ish-Komandantit të UÇK-së për rajonin e Rugovës, Smajl Hajdarajt, nuk futet në mandatin e përcaktuar të Gjykatës Speciale pasi ka ndodhur pas dhjetorit të vitit 2000, i cili është afati i fundit për hetimin e lëndëve.

Djali i Smajl Hajdarajt, Shpëtimi, 39-vjeç, e ka ende të pashëruar plagën që ia shkaktoi vrasja e babait të tij. Atij i ka humbur durimi tek institucionet vendore të drejtësisë, që pas më shumë se 16 vitesh nuk i kanë kthyer asnjë përgjigje lidhur me vrasjen e babait.

Shpëtim Hajdaraj thotë se “nuk ka pasur hetime serioze dhe të mirëfillta” lidhur me rastin e atentatit ndaj të atit, teksa pohon se nuk ka marrë asnjëherë, asnjë përgjigje nga EULEX-i apo organet e drejtësisë në Kosovë.

Nëqoftëse vrasja e babait të tij nuk do të hetohet nga Gjykata Speciale, siç specifikohet në Ligjin për Gjykatën Speciale për Krime Lufte, Shpëtimit do t’i humb edhe shpresa e fundit që e mbante për zbardhjen e krimit të kryer ndaj babait.

“Mozamakeq për ne”, thotë Shpëtim Hajdaraj për Insajderin, teksa vendos duart mbi tavolinë dhe kërcet me duar një kapak shisheje. “Nuk di çfarë fjale apo çfarë termi tjetër të përdor”.

Hajdaraj thotë se kishte mbajtur shpresa tek një raport i realizuar “para se të formohej Gjykata Speciale nga prokurori special [Clint] Williamson.”

“E kam lexuar raportin dhe megjithëse tërthorazi aty përmendeshin vrasjet e kundërshtarëve politik paslufte, unë kam shpresuar se së paku një apo dy raste zbulohen, atëherë fillon zinxhiri, sepse kanë shumë lidhshmëri rastet ndërmjet vete”, shprehet Shpëtimi.

Shpëtimi, i cili është i punësuar si inxhinier i ndërtimtarisë në institucionin e burgjeve Shërbimin Korrektues të Kosovës (ShKK), është i këmbëngulur për të kërkuar drejtësi për vrasjen e babait dhe për t’i vendosur prapa grilave kryesit e aktit.

Smajl Hajdaraj (majtas) në një takim me ish-presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova

“Unë nuk do të ndalem asnjëherë. Gjykata Speciale ka qenë shpresa jonë e fundit, por nëse edhe kjo nuk i trajton atëherë me të vërtetë…”, shprehet Shpëtimi.

Ai dhe babai nuk ishin parë në dy javët e fundit para mbrëmjes së 17 janarit të 2002-s kur Smajl Hajdaraj ishte zënë në pritë para hyrjes së banesës së tij, para se të qëllohej për vdekje në moshën 51-vjeçare. Shpëtimi ndodhej në studime në Prishtinë.

“Unë kam qenë student. Ka qenë ditë e enjte, kam qenë në ligjerata atë kohë gjatë ditës dhe pasi që jam kthyer në mbrëmje, unë si student i ndërtimtarisë kam pasur shumë llogaritje, detyra; interesant atë natë nuk pata dëgjuar ende asgjë”, rrëfen Shpëtimi. “Diku kah mëngjesi i 18 janarit kanë ardhur disa studentë nga Peja, të cilët kanë studiuar në Prishtinë. Më thanë: ‘Hajde me shku në Pejë’”.

Asokohe, Hajdaraj sapo kishte filluar punën e tij si deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Kuvendin e Kosovës. Kishin kaluar më pak se një muaj ditë që prej fillimit të punës së Kuvendit, raporton Insajderi.

Para se të vritej Hajdaraj, rreth 40 aktivistë dhe anëtarë të LDK-së ishin vrarë gjatë viteve të luftës 1998/99 dhe rreth dhjetë të tjerë ishin plagosur. Të gjitha dyshohet se kanë lidhje me aktivitetet politike të tyre.

Këto vrasje të kryera gjatë luftës dhe në vitet e para të pasluftës që i paraprinin njëra-tjetrës, kishin krijuar një klimë të tensionuar gjatë atyre viteve në Kosovë. Madje, Shpëtimi thotë se babai i tij kishte parandjerë aktin e kryer ndaj tij.

“Kur ndodhte ndonjë vrasje paraprake, për shembull siç janë ato të Shaban Manajt, Xhemajl Mustafës e pastaj Ismet Rracit, babai me fjalë thoshte: ‘A thua cili nga ne tash e ka radhën për t’u vrarë?’”, e citon Shpëtimi të atin, teksa shprehet se “këto fjalë i kam dëgjuar nga babai me veshët e mi”.

Ai tregon se babai i tij ishte ftuar për një “bisedë informative” në vitin 2001 nga Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Shpëtimi e cilëson të dyshimtë dhe jomiqësore këtë ftesë, që kishte ardhur në adresë të babait të tij vetëm një vit e gjysmë pas luftës. Ai kishte qenë Komandant i UCK-së, dhe kjo e bën të dyshimtë për Shpëtimin këtë ftesë.

Shpëtimi thotë se ftesa i kishte ardhur nga Faton Mehmetaj, i cili kishte qenë bashkëpunëtor i afërt i Ramush Haradinajt dhe pjesë e Zonës Operative të UCK-së në Dukagjin. Mehmetaj, pas luftës ishte epror i lartë i TMK-së në rajonin e Pejës.

“Nuk ka qenë klimë miqësore. Kjo është dëshmi se këta njerëz nuk kanë qenë kurrë shokë të babait”, thotë Shpëtimi.

Ndërkaq, nëse institucionet kosovare të drejtësisë nuk arrijnë t’i zbardhin kurrë këto raste, Shpëtimi thotë se atëherë “i bie që ka dështuar shteti”. “Konsideroj që janë vrarë njerëz me funksione publike dhe në njëfarë forme kanë qenë njerëz të shtetit dhe nëse nuk merret edhe prokuroria e jonë me këto raste, i bie që dështon shteti”, thotë Hajdaraj.

Insajderi ka tentuar të bisedojë me disa familjarë të tjerë të aktivistëve apo zyrtarëve të LDK-së, të vrarë pas luftës, por shumica prej tyre nuk kanë dashur të flasin zyrtarisht. Njëri nga familjarët ka pasur vërejtje të mëdha sepse shteti i Kosovës i mbështet të akuzuarit e mundshëm nga Gjykata Speciale, ndërsa nuk i mbështet në asnjë lloj mënyre viktimat

Insajderi ka pyetur edhe Dhomën e Prokurorit të Specializuar lidhur me lëndët që ky institucion do t’i hetojë dhe nëse do të hetohen vrasjet politike që kanë ndodhur në Kosovë pas dhjetorit të vitit 2000.

Zëdhënësi i Dhomës së Prokurorit të Specializuar, Christopher Bennett, ka kthyer përgjigje të prerë lidhur më këto vrasje. Ka thënë se krimet e kryera pas dhjetorit të vitit 2000 nuk do të jenë pjesë e hetimeve të këtij institucioni.

“Ju keni identifikuar saktësisht kufirin e mandatit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Neni 7 i Ligjit mbi Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar ka të bëjë me juridiksionin e përkohshëm dhe thotë: Dhomat e Specializuara kanë juridiksion mbi krimet brenda juridiksionit të lëndës që kanë ndodhur mes periudhës së 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetor 2000.”, thuhet në përgjigjen e Dhomës së Prokurorit të Specializuar.

Ligji për Gjykatën e Posaçme është hartuar nga Bashkimi Evropian, duke përfshirë shumë pak nga vërejtjet e kërkuara nga Prishtina e që kishin të bënin me formulime ku ishte përfshirë edhe fjala gjenocid.

Ligji është miratuar më 3 gusht të vitit 2015 nga Kuvendi i Kosovës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here