Obduksioni nuk tregon nëse Art Kurti u vra apo u vetëvra

0
2207

Ka një javë prej se Art Kurti, 23 vjeçar, nga Gjakova ka vdekur në rrethana ende të panjohura. Organet e hetuesisë kosovare këtë rast e kanë cilësuar si vetëvrasje. Ndërkohë që raporti i autopsisë i bërë nga Mjekësia Ligjore, nuk saktëson nëse Arti ka kryer apo jo vetëvrasje. Ekzaminime të tjera nga ana e Prokurorisë lidhur me këtë rast pritet që të nisin së shpejti

Vendi ku Art Kurti dyshohet se kreu vetëvrasje, fshati Goden, për një kohë të gjatë kishte qenë vendi i tij i preferuar. Ai kohë pas kohë e vizitonte atë vend duke u kënaqur me pejzazhin e qytetit të Gjakovës, të cilin ia ofronte pamja nga lart. E ishte pikërisht Godeni, vendi ku Arti dyshohet se i mori jetën vetes me një plumb në kokë.

Por, një javë pas kësaj ngjarje ende nuk dihet shkaktarët që e çuan 23 vjeçarin drejt këtij akti. Raporti preliminar i autopsisë së kryer në trupin e tij nuk saktëson nëse ai ka kryer vetëvrasje.

Kështu i ka thënë Gazetës Express, kryeprokurori në Prokurorinë Themelore në Gjakove, Ali Selimaj.

“Ne jemi në fazën e hetimeve. Ende nuk e kemi marrë me shkrim raportin. Por me gojë ata na kanë thënë se nuk shkruan në raport nëse është vrasje apo vetëvrasje. Thuhet se vdekja ka ndodhur nga depërtimi i plumbit”, ka thënë Selimaj, duke paralajmëruar edhe hetime të tjera lidhur me këtë çështje.

Gazeta Express, javën e kaluar ka raportuar se Prokuroria Themelore në Gjakovë, nuk e përjashton mundësinë që ish-aktori i ‘O Sa Mirë’, Art Kurti të jetë vrarë.

Ndërkohë që përveç raportit të Mjekësisë Ligjore, prokuroria e shtetit do të punojë edhe për një ekspertizë tjetër e cila do të sqarojë nëse gëzhoja dhe plumbi i gjetur në trupin e Art Kurtit, përkon me armën e cila është gjetur në vendin e ngjarjes.

E ndërkohë familjarët e të ndjerit para disa ditëve janë intervistuar nga ana e hetuesve të policisë. Burime të Express brenda policisë, bëjnë me dije se familjarët kanë thënë se nuk kanë parë asnjë shenjë shqetësuese, apo brengë tjetër tek Arti ditëve të fundit.
Prokuroria e shtetit për këtë rast ka marrë disa prova materiale.

Art Kurti u gjet i vdekur në orët e hershme të mëngjesit të së martës në fshatin Goden të Gjakovës. Ai kishte dalë nga shtëpia e tij të hënën pasdite. /GazetaExpress/

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/obduksioni-nuk-tregon-nese-art-kurti-u-vra-apo-u-vetevra-531257/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here