Amaneti i Azem Galicës që ta varrosnin në një vend të fshehtë, që trupin mos t’ia gjenin serbët

0
443

Nëse Serbia e mbajti për afro 100 vjet Kosovën, gjatë këtij shekulli ajo tokë është larë me gjakun e burrave dhe grave që luftuan me armë në dorë kundër reprezaljeve dhe gjenocidit. Kështu ndodhi atë të martë të nxehtë të 22 korrikut të vitit 1924, kur plumbi i dalë nga pushka e një serbi e plagosi rëndë Azem Galicën për t’i shkaktuar vdekjen 4 ditë më vonë.

Skena e vrasjes

Pas mesit të natës së 21 korrikut 1924, rreth 2 mijë ushtarë të shoqëruar me 12 topa të ushtrisë jugosllave ia behën në Kosovë duke sulmuar fshatrat Galicë, Mikushnicë dhe Lybavec. Objektivi ishte asgjësimi në masë i shqiptarëve që i kishin rezistuar pushtetit serb.

Mes tyre objektivi kryesor ishte vrasja e Azem Galicës dhe trimave të tij, prandaj rrethimi i kullës së tij ishte pjesa më e rëndësishme e planit të këtij sulmi. Por edhe pse të papërgatitur, rezistenca e Azem Galicës dhe e gjithë trupave të tij, të mbështetur nga e gjithë popullsia e zonës ishte heroike. Gjatë luftimeve një plumb e goditi në shpatullën e djathtë, por plaga nuk ishte e rëndë dhe ai vazhdoi luftimet, edhe pse ishte plagosur.

Pas 8 orë luftimesh me 84 trima të vrarë kundrejt 94 serbëve të vrarë, Azem Galica me bashkëshorten e tij, Shoten, dhe trimat, arrijnë të gjejë një shteg për t’iu shmangur rrethimit. Ishte ora 16.00 e 22 korrikut 1924 kur dy xhandarë po e ndiqnin nga pas, duke qëlluar në drejtim të tij.

Një plumb tjetër goditi gjerdanin e fishekëve rezervë që mbante në brez dhe kjo shkaktoi shpërthimin e barutit të disa fishekëve, duke i sjellë dëmtim të rëndë të shtyllës kurrizore. Që nga ky moment Azem Galica ishte i paralizuar.

I ndodhur në këtë gjendje, shokët e transportuan duke e vendosur në një barrelë të përgatitur me mjete rrethanore. Pas tri ditësh udhëtim me disa ndalesa, Azem Galica vdiq në duart e bashkëluftëtarëve të vet dhe të bashkëshortes Shote. Ishte ora 06.00 i 25 korrikut, kur teksa jepte amanetet e fundit, ai dha shpirt.

Azemi dhe Serbia

Për të kuptuar më mirë se kush ishte dhe sa peshë kishte Azem Galica mjafton të sjellim një deklaratë të deputetit të Kosovës, Jovan Magovçeviçi në Parlamentin e Beogradit, më 11 tetor 1923 i irrituar ndaj veprimatrisë së tij.

”Zotërinj, unë i kam dy vota, një si deputet i rregullt i Kuvendit Popullor dhe një si deputet i jashtëm i shtetit të Azem Galicës”.

Për luftën në Arbërinë e Vogël folën qarqet e mëdha politike e diplomatike të Evropës.

Shtypi i asaj kohe e kishte lëndë të parë këtë betejë.

“Në luftën dëshprimtare që u ba, u plaguen 150 shqiptarë. Disa nga këta kanë ardhë për shpëtim në Krumë… Sigurisht Azemi nuk dihet se ku ndodhet.”

Vlen të përmendet se në këto momente doli si kushtrim thirrja që duket sikur kumbon edhe sot:

“Prite Azem Galicën”!

Varri nga shpella në një kompleks përkujtimor

Ishte një nga amanetet e Azem Galicës që ta varrosnin në një vend të sigurt, të fshehtë dhe të thellë, në mënyrë që trupin të mos ia gjenin serbët.

Bashkëshortja dhe miqtë e tij e varrosën në një vend ku do qëndronte për 47 vjet. Në shpellën “Çuku që kërcet” të malit të Përçevës, 73 metra thellë, varri i tij u ngjan më shumë atyre të faraonëve të Egjiptit të lashtë.

Në vitin 1974 eshtrat u nxorën prej andej dhe u varrosën në varrezat e familjes në Galicë.

Duhet të kalonin 96 vjet që eshtrat dhe varri i Azem Galicës të merrte nderin që meritonte. Më 19 gusht të vitit 2016 shteti i Kosovës i kreu nderim zyrtar, më dinjitozin heroit të vet.

Teksa eshtrat e Azem Galicës varroseshin për herë të dytë, pjesëmarërsit e ceremonisë shikonin me sytë e tyre një hero që besoi se Kosova një ditë do ishte e pavarur dhe e çliruar nga vargonjtë serbë.

Isa Boletini, Azem Galica, Adem Jashari

Tre heronjtë simbol të Kosovës kanë një lidhje të çuditshme mes tyre. Në vitin 1909 teksa kryengritësit kosovarë marshonin hipur në kuaj në Drenicë për të luftuar kundër serbëve, Isa Boletinit i bëri përshtypje një djalë 20-vjeçar që drejtonte trimat e tij shumë herë më të mëdhenj në moshë se ai.

Pasi pyeti se cili ishte ai dhe shoqëruesit i thanë se ishte djali i Bejtë Galicës, Isa Boletini iu afrua dhe i tha:

“Të lumtë ore djalosh trim. Ti paske vendosur të çosh në vend amanetin e babait tënd, rrugën e tij lufatarke. Zemra m’u bë më mal, sepse Bejta nuk paska vdekur”.

Më 25 korrik 1990 teksa përkulej me plot nderim në varrin e Azem Galicës, Adem Jashari u betua se do të vazhdonte rrugën e lirisë në emër të tij.

Isa Boletini, Azem Galica dhe Adem Jashari, u vranë nga serbët duke u kthyer në simbol të luftës për liri.

10 fakte

Azem Galica është një nga heronjtë më të paepur për liri në historinë e Kosovës ndaj pushtimit serb

Bashkë me Isa Boletinin dhe Adem Jasharin, Azem Galica ra dëshmor duke luftuar me armë në dorë ndaj ushtrisë serbe

Azem Galica deri ditën që ndërroi jetë kishte 14 vjet që luftonte me armë në dorë me çetën e tij kundër pushtetit serb në Kosovë

Pas dy vitesh qëndrimi në burgun e Pozharevcit, në Serbi 1913-1915, Azem Galica u arratis dhe jetoi për shumë kohë i fshehur nga xhandarmëria serbe

Azem Galica komandonte çetën e tij me qindra luftëtarë, të gjithë burra të zonës së Drenicës që përfshinte edhe fshatin e tij Galicë

Azem Galica vdiq i plagosur dy herë teksa luftoi i rrethuar në kullën e tij nga 2 mijë ushtarë serbë që sulmuan të gjithë zonën e Drenicës

Edhe pse në gjendje të rëndë, shokët e tij arritën ta largojnë nga rrethimi, por ai vdiq dy ditë më pas nga plagët e marra

Azem Galica ishte martuar me Qerime Halil Radishevën nga Mitrovica, e njohur si Shote Galica, që u bë edhe bashkëluftëtarja e tij në çdo betejë

Shote Galica ishte në çdo moment gjatë luftimeve të Azemit, kur ai u plagos e deri sa ndërroi jetë

Në vitin 1926 Shote Galica shpërngulet të jetojë në Shullaz të Fushë-Krujës dhe vdiq një vit më vonë aty, më 3 korrik 1927, në mjerim dhe e papërfillur nga shteti i Ahmet Zogut, president në atë kohë.

(Marrë nga “Panorama”, Roland Qafoku: “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar 1912-2017”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here