VELIU “QORTON” DEPUTETËT E LDK-SË – “VENDIMET MERREN NË KRYESI TË PARTISË”

0
281

Deklarimet e mbrëmshme të deputetit të LDK-së, Arben Gashi se LDK ka hequr dorë nga mocioni për rrëzimin e qeverisë Haradinaj, i ka komentuar nënkryetari i kësaj partie, Agim Veliu.

Veliu në një prononcim për Gazetën Blic ka thënë se Lidhja Demokratike asnjëherë nuk ka pasur qëndrim zyrtar që qeveria duhet të rrëzohet përmes mocionit.

Kryetari i Podujevës, gjithashtu ka deklaruar se nëse nuk arrihet konsensusi që LDK ia ka ofruar të gjitha partive, që përmes konsensusit të përgjithshëm vendi të shkojë në zgjedhje, atëherë mund të përdoren mjetet e tjera.

“Qëndrimi i kryesisë së LDK-së, nuk ka qenë me fillu me rrëzimin e Qeverisë me mocion, qëndrimi i LDK-së ka qenë me fillu një tryezë me partitë politike me i identifiku çështjet problematike me Kosovën me i diskutu bashkërisht cilat mund ti zgjidhim cilat nuk mund ti zgjidhim. Nëse gjatë përpjekjes tonë nuk arrihet një konsensus për këtë çështje, atëherë opsionet tjera mbeten të hapura , mirëpo ne prapë ulemi në kryesi të LDK-së e marrim qëndrim”, ka thënë Veliu.

Veliu ka shtuar se secili anëtar i LDK-së mund të deklarojë çka do, por këtë mund ta bëjë individualisht, e jo në emër të partisë.

“Deklarimet individuale, janë deklarime individuale që unë nuk i gjykoj, ata i kanë mendimet e veta kanihere i shprehin dhe unë nuk jam kundër asaj që ata me u shpreh lirshëm si mendojnë, mirëpo LDK-ja, veprimet i bon në bazë të qëndrimeve të strukturave dhe organeve të saj, e jo në bazë të deklarimeve ditore të individëve, kushdo qofshin ata”, tha Veliu.

Në tryezën e përfaqësuesve nga partitë politike që u mbajt ditë më parë, LDK ishte kritikuar që nuk i kishte përmendur fare zgjedhjet e parakohshme.

Por, Veliu thotë se Lidhja Demokratike e ka thirrur atë tryezë për qëllimin e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme, dhe se sipas tij nëse nuk do të ketë hapa drejt kësaj çështje, atëherë do të përdoret metoda tjera për ndërprerjen e funksionimit të kësaj qeverie.

“LDK po e pret ftesën sepse ne u morëm vesh në tryezën e kaluar që të vazhdohet me tryeza, mbet që tryezën e radhës me ftu PDK na e kemi konfirmu pjesëmarrjen qysh atë ditë, ne po e presim ftesën, do të marrim pjesë dhe do të diskutojmë për opsionet. Do merrmi vesh për kohën terminët kohore dhe si të lëvizim përpara. Por, nëse e vërejmë që nuk ka përparim, atëherë ne kthemi prape në kryesi të LDK, para se të marrim çfarëdo vendimi”, ka thënë Veliu për Gazetën Blic.

Por, përkundër shumicës së bashkë partiakëve të tij, që vazhdimisht kanë deklaruar se vendi do të shkojë në zgjedhje këtë vit, Veliu u shpreh se nuk mund të garantojë për një gjë tillë.

Veliu u shpreh se një gjë tashmë dihet sigurt, që vendi po vazhdon të jetë në një krizë institucionale, për shkak se pozita i posedon vetëm 52 vota.

“Unë nuk mundem sot me thanë asgjë nëse do të ketë zgjedhje këtë vit ose jo, por ajo që dihet është se ka krizë në vend, ashtu siç edhe e kemi than krizë institucionale e edhe politike, sepse qeveria ka mbet me 52 vota, e ka humb legjitimitetin e edhe shumicën, edhe kjo po shihet edhe në kuvend ku asnjë vendim nuk po mund të merret asnjë seancë nuk po arrin të fillojë e të përfundoj si duhet. Por tash për tash ne si LDK nuk kemi ndonjë angazhim më të fuqishëm me mbledh vota përkrahje për mocion ose çfarëdo rruge tjetër sepse duam ti shterim këto mundësi për të cilat jemi marrë vesh në kryesin e LDK-së” i ka thënë Veliu.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here