Albin, pse ke frikë nga varri i Rugovës?

0
269

Albin Kurti shquhet për qëndrimet e tij, të cilat karakterizohen me rezistencë të vazhdueshme. Ndonëse divergjencat e tij me Presidentin Rugova janë të ditura, ekzistojnë edhe ngjashmëri goxha të theksuara. Gjithsesi, Albin Kurti, asnjëherë nuk arriti të dalë përtej egos së tij, duke mos i shkuar asnjëherë tek varri Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Nuk e vizitoi asnjëherë varrin e Rugovës, por kryetari i Vetëvendosjes, ka vizituar varrin e Alija Izetbegoviçit dhe monumentin e 1 mijë e 601 fëmijëve të vrarë në Sarajevë. Të vizitosh varrin e një ish- presidenti fqinj, dhe mos të vizitosh varrin e ish- presidentit të vendit tënd, dëshmon për mos respekt të realiteti të vendit tuaj, të punës dhe veprës që ka bërë ish- presidenti i vendit për lirinë që sot e gëzojmë të gjithë, edhe Albini. Kjo ndodh vetëm tek shqiptari, i cili të falë çdo gjë, por jo suksesin. Xhelozia e madhe për figurën markante të Rugovës, po u humb arsyen shumë kujt, të cilët nuk po arrijnë të pranojnë realitetin se Rugova është vetë Kosova. Kjo s’ka të bëjë as me LDK- në, as me anëtarët e saj, as me të tjerët, kjo ka të bëjë me realitetin, me popullin, që respektin për Rugovën e kanë shprehur me kohë.

Rugova u shndërrua ikonë dhe si i tillë do mbetet gjithmonë. Por, herë pas herë, Albini edhe ka zbutur disi qëndrimin e tij anti- Rugovë. Në një intervistë kishte deklaruar “Ibrahim Rugova besoj që ka qenë një kritik i mirë letrar, i cili në kohën e okupimit të Serbisë ka bërë rezistencë paqësore. Dhe mospajtimi ka qenë se rezistenca paqësore ka qenë tejet pasive”. Besoj se Albini ia ka futur kot, pasi ishte Rugova ai që mbajti gjallë jetën në Kosovë, duke themeluar institucionet paralele, pastaj duke organizuar aktivitetet edhe të luftës, të cilat më vonë edhe rezultuan me beteja të famshme siç është ajo e Koshares. Nëse Albini ende nuk e ka kuptuar një gjë të tillë është paaftësi e tij, apo mungesë kurajo për të pranuar realitetin.

Mbase figura e Rugovës e kthyer në mit e tremb Albinin, i cili dikur ishte ithtar që të mos “mitizohen” liderët duke thënë në fillet e VV- së, se “nuk ka babë, por ka ide”.

Megjithatë edhe Albini është mitizuar shumë brenda VV- së, pa të cilin kjo parti nuk mund të mbijetojë. Edhe pse Albin Kurti, me një ideologji politike krejt ndryshe nga Rugova, mund të themi se Kurti është një figurë karizmatike e VV- së njejtë, sikurse Rugova për LDK- në. Përveç kësaj që i bashkon, duket se shumë gjëra i ndajnë Albinin me Rugovën, i cili edhe nga varri po arrin të sfidojë, jo vetëm Albinin, por të gjithë politikanët. Pasi Rugova është i paarritshëm dhe krejt unik. Gjithsesi është krejt e pavend që të vizitosh varrin e Izetbegoviqit dhe jo të Rugovës, pasi atë që ka bërë Rugova për Kosovën s’ka arritur dot ta bëjë, as Alija për Bosnjën. Në Bosnjë u vranë afërsisht 200.000 banorë, ndërsa në Kosovë afërsisht 12.000. Kjo falë meritës së presidentit Rugova, vizionit dhe aftësisë së tij.

Nuk ka nevojë figura e Rugovës që të vizitohet nga Albini, por Albini ka nevojë të çlirohet nga inferioriteti karshi Rugovës. Duke qenë inferior, krijohet xhelozi, e pastaj xhelozia e turpëron, në hall ke ra Albin, por bëhu burrë, e mos u turpëro.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here