Dy rrugët e LDK-së pas tendencave për përçarje

0
99

Gjendja jo e mirë shëndetësore e Isa Mustafës, e la LDK-në pa zot shtëpie për disa muaj. Përgjatë kësaj kohe, ky subjekt bëri disa veprime me të cilat linte të kuptohej se brenda po shkon gjithçka në rregull. Kërkesat e vazhdueshme të deputetëve për dërgimin e vendit në zgjedhje për shkak të keqqeverisjes aktuale e karakterizuan këtë subjekt politik në periudhën kur Isa Mustafa nuk ishte në shtëpi.

Mirëpo, kthimi i tij nga shërimi jashtë vendit e sidomos sugjerimi i mjekëve për terapi të mëtejme, sikur i dha krah disa anëtarëve të LDK-së për të shfaqur hapur pretendimet e tyre për të ardhmen e partisë në drejtimin e shtetit apo edhe brenda saj.

LDK , e cila doli partia e parë në zgjedhjet lokale të nëntorit, nuk arriti t`i shpëtonte “përçarjeve” nga brenda.

Pashmangshëm, në këtë situatë na kujtohet i ashtuquajturi “Kuvendi i karrigeve” i vitit 2006, kur vdekja e Presidentit Rugova, nxori në sipërfaqe pretendimet e personaliteteve të tjera për poste brenda partisë.

Ky Kuvend, kishte eskaluar në dhunë ndërmjet anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të Partisë.

Tashmë është bërë e zakonshme që të gjitha “krisjet” brenda e LDK-së t`i adresohen SHIK-ut dhe partive kundërshtare të saj. Jo se nuk qëndron kjo. Por, për t`u përzier në punët e LDK-së, SHIK-u patjetër se duhet ta ketë një vegël apo edhe shumë vegla brenda LDK-së. Të tillë ka pasur edhe në të kaluarën dhe ka edhe tani.

Andaj, për të mos e thelluar përçarjen që veç ka dalë në sipërfaqe, LDK ka nevojë për një figurë unifikuese sikurse është z. Isa Mustafa.

Vetëm në kohën e Presidentit Rugova dhe në kohën e Isa Mustafës, LDK ka njohur ditët më të mira të saj. Këtë të fundit e dëshmoi edhe rezultati në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar.

Pas këtyre zgjedhjeve, zhvillimeve brenda subjekteve tjera dhe gabimeve të Ramush Haradinajt në qeverisje, u krijua përshtypja në opinion se ky ishte momenti kur LDK do të duhej ta tregonte veten.

E pikërisht në këtë moment, elektoratit të LDK-së i erdhi “goditja” nga vet drejtuesit e saj.

Nën fasadën e bukur, në të vërtetë fshihej mendësia e vjetër e anëtarëve, që ishte ambicia për poste shtetërore e partiake, ani pse procesi zgjedhor brenda partisë do të nisë tek vitin e ardhshëm.

Këto zhvillime brenda LDK-së, me ose pa “justifikimin” e përzierjes së SHIK-ut, po lënë shije të hidhur tek elektorati i cili u ri-zgjua në nëntor.

Ata mund të zhgënjehen shumë lehtë, edhe në rast të ndonjë procesi zgjedhor parlamentar që po thuhet se do të ndodhë shumë shpejt.

Andaj, për të mos e forcuar këtë zhgënjim tek elektorati, LDK duhet të mbajë një mbledhje urgjente të Këshillit të Përgjithshëm dhe të vendosë për hapat e mëtejme që duhet t`i ndjekin si parti politike.

Ka vetëm dy rrugë për LDK-në e sotme. Nën 1 të respektojë votën e anëtarësisë dhe të elektoratit e cila e ka nxjerrë gjithmonë faqebardhë dhe nën 2. Të respektojë dëshirën për pushtet të klaneve të caktuara brenda saj. Zgjidh e merr! Fundja elektorati është ai që bën zgjidhjen përfundimtare.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here