GDP drejt rikthimit në Vetëvendosje apo pjesë e Qeverisë?

0
147

Dorëheqjet e njëpasnjëshme nga Lëvizja Vetëvendosje nuk kishin të ndalur. Pas dorëheqjes së Dardan Molliqajt, Aida Dërgutit, Visar Ymerit dhe Dardan Sejdiut, nga Vetëvendosje, shumë shpejtë iu bashkuan edhe deputetja Shqipe Pantina, Zgjim Hyseni, Faton Topalli, Dukagjin Gorani, Driton Çaushi, Frashër Krasniqi, Besa Baftiu e Salih Salihu.

Ndaj largimit të tyre kishte reaguar edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Ky i fundit, kishte thënë se nuk mban inat me ata që dhanë dorëheqje dhe se i ka pritur për diskutim pas lirimit nga burgu.

Tashmë të regjistruar edhe zyrtarisht si Grup i deputetëve të pavaruar pas ndarjes nga Lëvizja Vetëvendosje do të themelojnë parti të re. Kështu të paktën ka lënë të kuptohet Visar Ymeri.

Deputeti Ymeri nëpërmjet një deklarate për media e ka lënë të hapur mundësinë e krijimit të një partie të re.

“Nuk ka arsye për t’u ngutur, më mirë është ta bëjmë një subjekt me koncept të qartë politik. Po flasim për kornizat tona ideologjike”, pati thënë Ymeri.

‘’Alternativa Socialdemokrate’’, kështu pritet të quhet partia më e re e cila thuhet se do të jetë në krye me deputetin Visar Ymeri.

Ndarja e tillë, nga disa aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje u konsiderua si tradhti ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.

Njohësi i çështjeve politike, Haki Abazi grupin e deputetëve të pavarur e vlerëson si grup me ambicie të sëmura për pushtet. Sipas tij, GDP kanë qenë negociator të procesit të votimit të demarkacionit dhe kanë kontribouar në degradimin e shtetit.

Grup me ambicie për pushtet

Image
Haki Abazi
FOTO GALERI
‘’Grupi i vogël i të vetëlarguarve nga VV është një kompozicion i individëve të interesave të lidhura me ambiciet e sëmura për pushtet. Këta kanë vendosur që angazhimin politik të tyre ta vendosin në shërbim të një tranzicioni dhe strategjie për exit-in e klanit PRONTO. Këta po duan që të ju sigurojne këtyre një garancion që kur largohen nga pushteti nuk do të ju prekin pasurinë e paligjshme që kanë krijuar shitësit dhe përfituesit e privatizimit të aseteve publike, shoqërore. Nuk është hiç me rëndësi se si e bëjnë, këta kanë qenë edhe negociator të procesit të votimit të demarkacionit dhe tani janë hisedare të agjendës së degradimit të shtetit’’, ka thënë Abazi.

GDP, pjesë e qeverisë?

Një prej figurave të rëndësishme të Lëvizjes Vetëvendosjes, Arbër Zaimi ka thënë se megjithëse nuk ka më kontakte me asnjë nga GDP, nuk e ka përjashtuar mundësinë që të bëhen pjesë e Qeverisë.

Image
Arbër Zaimi
FOTO GALERI
‘’Nuk kam asnjë kontakt me atë grup, siç kanë thënë dhe vetë, do ta krijojnë një parti politike. Nga mediat raportohet se po takohen haptazi me perfaqësues të qeverisë, apo edhe me sekserë, kështu që ndoshta bëhen pjesë e qeverisë. Të shohim’’, është shprehur Zaimi.

Kërkohet kthimi i GDP-së në Lëvizjen Vetëvendosje

Në anën tjetër, për aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Tafili ky grup nuk i ka të qarta qendrimet e tyre dhe si i tillë nuk është stabil.

Image
Avni Tafili
FOTO GALERI
‘’Nuk besoj që ky grup është unik. Ende nuk e kanë të qartë nëse janë GDP apo GPD. Ende nuk e dijmë cila është substanca që i mban bashkë, ende nuk i kanë qëndrimet e tyre të qarta. Ata flasin e shkruajnë si Vetëvendosje, duke bërë ca ndryshime, me ca parashtresa e prapashtresa. Me çfarë kauze do të kërkonin votë dhe mbështetjen e qytetarëve? Kauzës, me të cilën u mbështetën, mendoj se ia kthyen shpinën’’, ka deklaruar Tafili.

Tafili vlerëson se arsyeja e largimit të tyre ishte bllokimi i demokracisë brenda Lëvizjes Vetëvendosje dhe pengimi i kandidimit për Kryetar të LVV-së, Albin Kurtit. Madje, aktivisti e ka një propozim për ta quajtur partinë e ardhshme të GDP-së si, ‘’Partia e frymës Socialiste’’.

‘’Ata (GDP) dolën jashtë Lëvizjes me një kauzë, bllokimi i demokracisë brenda Lëvizjes duke dashur të pengojnë të drejtën e aktivistit dhe deputetit Kurti për të kandiduar për Kryetar. Ata e dijnë më mirë se çfarë duan, si do të funksionojnë dhe a do të formojnë parti. Nëse do të formonin parti, ndoshta do t’i shkonte grupit një emër si, Partia e Frymës Socialiste. Atë që pres nga GDP, disa t’i rikthehen shtëpisë, Vetëvendosjes, disa të kalojnë në parti tjera, duke mbetur disa si GDP. Kjo varet nga disa procese. Sidoqoftë, ky grup shpresoj të vazhdojë t’i mbajë qëndrimet e palëkundura, mbi të cilët u votuan dhe e përkrahen nga aktivistët dhe simpatizantët e Lëvizjes Vetëvendosje! dhe votuesëve të saj’’, përfundon Avni Tafili për gazetën ‘’Bota sot’’.

Anëtarët e Grupit të deputetëve të Pavarur, megjithëse të kontaktuar nga gazeta ‘’Bota sot’’, për të marrë një qëndrim të tyre, asnjë nuk kanë qenë të qasshëm. Ndërsa Visar Ymeri nuk ka pranuar të flasë për këtë temë

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here