Kërkohet dorëheqja e Kadri Veselit

0
280

Sipas njohësve të zhvillimeve politike në vend, Kadri Veseli duhet të dorë-hiqet për shkak të fjalorit të tij. Ata konsiderojnë se pozita e krye-kuvendarit duhet të përfaqësohet nga një person me vlera të larta morale, intelektuale, kombëtare, por mbi të gjitha duhet ta ketë vlerën unifikimit e jo përçarës. Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, analisti Rexhep Shahu, ka thënë se Veseli po mbrohet, për shkak se siç ka thënë ai, fjalët mund të tejkalohen në kushte mbrojtje nga gazi lotsjellës.

Institucionit më të lartë përfaqësues e ligjvënës të Kosovës, po i humb kredibiliteti. Kjo për shkak të gjuhës dhe fjalorit banal, që po përdoret shpesh në seancat plenare nga përfaqësuesit e Kuvendit të Kosovës.

Një gjë e tillë ka ndodhur edhe në seancën e jashtëzakonshme për miratimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, ku kryeparlamentari Kadri Veseli ka sharë njërin nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, i cili ka hedhur gaz lotsjellës, për të penguar mbajtjen e seancës.

“Ta q***** robt, ta q*****”, ka thënë Veseli, pasi ka kërkuar që punimet e Kuvendit të ndërpriten.

Këtë veprim, i pari i Kuvendit e ka pranuar në një emision televiziv, por nuk ka treguar se drejt kujt ka qenë ofendimi.

”Do t’i përmend dy elemente, ju e keni parë Ramiz Kelmendin dhe Flora Brovinën, e cila më shumë ka qëndruar e shtrirë, dhe fillimisht duhet të mendojmë njerëzisht”, ka thënë kryeparlamentari Kadri Veseli.

Për gjuhën e kryeparlamentarit ka komentuar edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca, i cili ka kërkuar një kurs edukate për Veselin.

Sipas tij, Veseli nuk ka edukatë për të qenë kryeparlamentar.

“Na nevojitet edhe një kod elementar apo ndoshta bënë edhe me ia mbajtë edhe një kurs edukativ kryetarit të Kuvendit. Nëse e keni dëgjuar si ka sharë kryetari i Parlamentit, është edhe e incizuar, qysh ka sharë në seancën për demarkacionin, atëherë kjo bëhet shumë urgjente, sepse kjo po vërtetohet se nuk e ka as edukatën, as kulturën elementare për të qenë në atë pozitë të kryeparlamentarit”, ka thënë Konjufca në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës.

Ndërkohë, sipas njohësve të zhvillimeve politike në vend, Kadri Veseli duhet të dorëhiqet për shkak të fjalorit të tij. Ata konsiderojnë se pozita e kryekuvendarit duhet të përfaqësohet nga një person me vlera të larta morale, intelektuale, kombëtare, por mbi të gjitha duhet ta ketë vlerën unifikimit e jo përçarës.

Image
Rexhep Shahu
Veseli të dorëhiqet

Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, analisti Rexhep Shahu, ka thënë se Veseli po mbrohet, për shkak se siç ka thënë ai, fjalët mund të tejkalohen në kushte mbrojtje nga gazi lotsjellës.

“Besoj se është çështje e komplikuar. Për ta larguar e largon vota, për ta dënuar e dënon vota. Nuk e di se si e ka kodi i etikës së Kuvendit të Kosovës. Ndërkohë, ai mbrohet se në kushte mbrojtje nga gazi lotsjellës, edhe tejkalohen fjalët, siç tejkalohen mjetet demokratike në Kuvend, pasi gazi lotsjellës nuk është mjet demokratik proteste, siç nuk është për shembull plumbi, mjet demokratik”, ka pohuar Shahu.

Ai ka theksuar se Veseli duhet të dorëhiqet, mirëpo është shprehur pesimist se mund të ndodhë një gjë e tillë.

“Ai duhet të dorëhiqet dhe kjo është më demokratikja, por dorëheqjet në botën shqiptare janë shfaqje e huaj”, ka thënë Rexhep Shahu.

Image
Hidajet Ahmeti
Aktrimi i Veselit

Edhe politologu Hidajet Ahmeti, ka dënuar gjuhën, të cilën po e përdor kryeparlamentari Kadri Veseli, duke thënë se ai po ndikon që Kuvendit t’i humbet kredibiliteti dhe besimi në raport ndërkombëtar.

“Kjo gjuhë jo parlamentare më së miri tregon për fytyrën e vërtetë të Kadri Veselit e jo personifikimin e një aktori që jemi mësuar ta shohim gjatë seancave në Parlamentin e Republikës së Kosovës. Për gjuhën e përdorur, më shumë dëmtohet substanca dhe i humbet kredibilitet i institucionit të Kuvendit se sa personi i cili ka përdorur gjuhën, pasi që kemi të bëjnë institucionin më të lartë përfaqësues e ligjvënës. Me praktika të tilla jo parlamentare , imazhi, serioziteti, sinqeriteti,besimi e kredibiliteti i institucionit të Kuvendit në raport ndërkombëtar zbehet në vazhdimësi, por edhe në raport me opinionin e brendshëm Kosovar”, është shprehur Ahmeti për gazetën “Bota sot”.

Ai më tej ka thënë se për fjalorin fyes nuk mjafton kërkim falja nga Kadri Veseli, por, ai duhet të jep dorëheqje nga pozita e kryekuvendarit.

Sipas tij, kryekuvendari duhet të përfaqësohet nga një njeri me vlerë unifikimi e jo përçarës.

“Nuk është hera e parë që njeriu i apostrofuar rrëshqet prej aktrimit të tij që jemi mësuar ta shohim gjatë udhëheqjes së seancave të tij parlamentare, të cilat në vazhdimësi po shpërfaqin personalitetin e tij të vërtetë. Për gjuhën fyese të përdorur në seancën parlamentare, nuk mjafton një kërkim falje formale, të cilën jemi mësuar ta dëgjojmë në fjalorin e Kadri Veselit, por duhet të jetë një presion më i theksuar nga shoqëria civile, por edhe nga deputetët e Kuvendit që së paku të jep dorëheqje nga pozita e kryekuvendarit, pasi që udhëheqja e institucionit nga ky njeri është pasqyrë e gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Përkundrazi, pozita e krye kuvendarit duhet të përfaqësohet nga një person më vlera të larta morale, intelektuale, kombëtare, por mbi të gjitha duhet ta ketë vlerën unifikimit e jo përçarës”, ka pohuar Hidajet Ahmeti.

Image
Skender Zogaj
Zogaj: Kuvendi i Kosovës është shndërruar në cirk gabelësh

Ndërsa, analisti tjetër politik Skender Zogaj, mendon se Kuvendi i Kosovës, është shndërruar në cirk gabelësh, jo vetëm për fjalorin e ndytë, por edhe me veprimet e ndyta në çdo pikëpamje.

Duke folur për gazetën “Bota sot”, Zogaj ka theksuar se rezultat i këtyre, është edhe sharja e Kadri Veselit.

“Fjalori që po përdoret në Kuvendin e Kosovës është bërë më i pistë se fshesa e toaleteve, sepse, tashmë jemi dëshmitarë të një gare që kuvendarët tanë bëjnë në përdorimin e gjuhës sa më të ndyrë. Prandaj, gjuha e shumicës së kuvendarëve është si e kasapëve në thertoret publike, dhe, këtu edhe qëndron problemi i Kuvendit të Kosovës, që është shndërruar në cirk gabelësh, jo vetëm për fjalorin e ndytë, por edhe me veprimet e ndyta në çdo pikëpamje. Të gjithë jemi dëshmitarë se në seancat e Kuvendit të Kosovës fjalimet e deputetëve në të shumtën e herëve, në tërësi, janë manifeste trishtuese të një rrugaçërie skajshmëritë primitive, që nuk do të duhej të ndodhte as në tregun e vjetërsirave. Rezultat i kësaj është edhe sharja e kryeparlamentarit Veseli, që nuk e vlen të komentohet”, është shprehur Skender Zogaj.

Ai ka përmendur edhe rastin e ministres norvegjeze, e cila ka dhënë dorëheqje për shkak të një postimi në Facebook, duke thënë se një gjë e tillë nuk ndodhë në Kosovë, edhe nëse ndodhin vrasje.

Zogaj shpreson që qytetarët të mos vazhdojnë të dënojnë veten me votimin e këtyre parlamentarëve.

“Në vend të komentimit të sharjes së Kadri Veselit unë do të theksoj shembullin e këtyre ditëve të një ministreshe norvegjeze, e cila në Facebook ka shkruar një fjali (pa asnjë fjalë fyese) mospajtimi me mënyrën e dhënies së një ndihme, dhe, kjo nuk i ka pëlqyer publikut, prandaj ministresha pa asnjë hezitim ka dhënë dorëheqje nga pozita! Por, kjo ndodh në Norvegji dhe nuk i përket Kosovës, ku njerëzit jo vetëm që mund të shajnë e fyejnë, por mund edhe të vrasin e të mos japin kurrfarë përgjegjësie, siç ka ndodhur në raste të shumta. Prandaj, Kadri Veseli për shkak të fjalorit banal nuk duhet të largohet nga pozita e kryeparlamentarit, sepse rreth rrotull tij janë së paku edhe 40 parlamentarë që me ndotësi fjalori ia kalojnë Kadri Veselit. Dhashtë Zoti, që shqiptarëve t’ua kthjellojë mendjen që ta kuptojnë se, nuk duhet të vazhdojnë ta dënojnë vetveten me votimin e kësi lloj parlamentarësh”, ka përfunduar për “Bota sot” analisti Skender Zogaj

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here