Ja pse mbeti Vetëvendosja e vetme në rrugën kundër SHIK-ut

0
54

Debati për SHIK-un pritet të rikthehet sërish në Kuvendin e Kosovës. Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, para disa ditësh ka rinisur zyrtarisht mbledhjen e nënshkrimeve për formimin e Komisionit hetues Parlamentar me qëllim të hetimit dhe zbardhjes së veprimtarisë së “Shërbimit Informativ të Kosovës”.

Në këtë drejtim, Vetëvendosje thotë se do të kërkojnë mbështetjen e grupeve tjera parlamentare.

Në ndërkohë, lajmin e ka kumtuar edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se këtë herë do t’i mbledhin të gjitha nënshkrimet e duhura.

“Në legjislaturën e katërt i patëm mbledhur 27 nënshkrime. Në legjislaturën e pestë i kemi mbledhur 38 nënshkrime. Tash do t’i mbledhim 40, aq sa nevojiten”, ka shkruar ajo ndër të tjera.

“Bota sot” ka kontaktuar me disa parti tjera parlamentare, ku sipas tyre ende nuk është e sigurt përkrahja e tyre për Vetëvendosjen.

Gaxherri: Ka tema më të rëndësishme

Ndërkaq, deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se ka tema më te rëndësishme se formimi i këtij komisioni.

Image
Besa Gaxherri
FOTO GALERI
“Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk ka marrë ndonjë vendim rreth kësaj, por do e shohim se si do vendosim, edhe pse ne ende nuk kemi marrë ndonjë informatë zyrtare rreth kësaj iniciative për formimin e një komisioni hetues parlamentar për hetimin e SHIK-ut. Mendoj që ka tema më të rëndësishme për momentin që ja vlen të diskutohen” ka theksuar Gaxherri.

Edhe AAK-ja ende nuk e ka diskutuar këtë temë. Këtë e konfirmoi për “Bota sot” deputetja nga kjo parti, Time Kadrijaj.

“Të them të drejtën ne e dimë që Vetëvendosja ka filluar këtë iniciativë ku ka kërkuar edhe përkrahjen e partive tjera në Kuvend, mirëpo grupi parlamentar ende nuk është ulur që të diskutojë rreth kësaj çështje, e të vendoset se cili do jetë qëndrimi ynë”,-ka thënë Kadrijaj.

Deputeti nga radhët e NISMA-s, Haxhi Shala, ka thënë për “Bota sot” se partia e tij ende nuk është ulur që të diskutojnë rreth kësaj çështje, ku Shala e sheh jo serioze Vetëvendosjen.

“Nuk e di se a e kanë përnime Vetëvendosja, ata këtë iniciativë e kanë pasur edhe në të kaluarën, mirëpo tash të shohim se çfarë do të ndodh. Partia jonë ende nuk është mbledhur për të biseduar se a do të jetë përkrahëse e kësaj iniciative. Kur të marrim vendim, do të merret vesh besoj”, -tha Shala.

Millaku: LDK e pa interesuar

Ndërkaq, deputetja e Vetëvendosjes, Drita Millaku, ka thënë se ata kanë filluar zyrtarisht kësaj iniciative, mirëpo nuk i kanë nënshkrimet e LDK-së që i nevojiten patjetër.

Image
Drita Millaku
FOTO GALERI
“Ne kemi filluar zyrtarisht këtë iniciativë, mirëpo na nevojiten nënshkrimet e LDK-së, por siç po shihet këta nuk janë të interesuar dhe janë bërë paterice e PDK së. Si duket LDK-ja e ka vetëm retorik elektorale luftën kundër SHIK-ut pa ndonjë veprim konkret”-është shprehur Millaku.

Krasniqi: E mira do ishte që edhe partitë tjera ta përkrahin Vetëvendosjen

Ndërsa njohësi i çështjeve politike, Faik Krasniqi, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se do ishte mirë që edhe partitë e tjera parlamentare, ta përkrahin këtë iniciativë, edhe pse e sheh të vështirë këtë.

“Padyshim qe partitë politike do te duhej ta përkrahin iniciativën e Vetëvendosjes për formimin e një komisioni hetues parlamentar për SHIK-un, por meqë partitë e tjera janë ne koalicion me PDK-ne, vështirë se do ta përkrahin një iniciative te tille”,-thotë ai.

Image
Faik Krasniqi
FOTO GALERI
Krasniqi beson se disa figura të rëndësishme të LDK-së, do ta përkrahin këtë iniciativë, ani pse LDK-ja e kishte kundërshtuar në të kaluarën.

“Një iniciative te tille Vetëvendosje e pate marre edhe gjate kohës kur PDK-ja ishte ne koalicion me LDK-ne, por nuk gjeti përkrahjen e kësaj te fundit. Madje zyrtaret e LDK-se patën përdorur tone te ashpra ndaj Vetëvendosjes për marrjen e kësaj iniciative. LDK-ja edhe pse është ne opozite, prape dyshoj qe shume figura te saj te rëndësishme do ta përkrahin një iniciative të tillë. Sidoqoftë, një komision hetues parlamentar do te duhej të kishte jo vetëm për SHIK-un, por edhe për shërbime te tjera qe kane vepruar ilegalisht ne Kosove”,-përfundoi Krasniqi për “Bota sot”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here