Ramush Haradinaj ia kërkon “hallallin” Shpejtim Bulliqit! Shkoi Kulla, Çakorri e Bjelluha….

0
361

Haradinaj ka takuar Shpejtim Bulliqin dhe anëtarët e tjerë të këtij komisioni, si duket, siç thonë në zhargonin popullor për të ia kërkuar “hallallin”, pasi hodhi poshtë punën e këtij komisioni me ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion
“Ratifikimi i kësaj marrëveshje flas në aspektin profesional përmes një raporti, raport ky që është i Komisionit Shtetërorë për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Pikës Kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi me të gjeturat e saj, jashtëzakonisht shumë e ka komplikuar situatën”, ka thënë Isufi.

Me 26 gusht të vitit 2015, në Vjenë të Austrisë, Kosova dhe Mali i Zi, do të nënshkruanin marrëveshjen për shënjimin e kufirit mes këtyre dy shteteve.

Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi, ishte nënshkruar nga Hashim Thaçi, në atë kohë Ministër i Jashtëm dhe zëvendëskryeministër i Kosovës dhe Skender Hyseni, Ministër i Punëve të Brendshme.

“Kjo është një ditë e rëndësishme për Kosovën, për Malin e Zi por edhe për tërë rajonin, që dëshmon se rajoni ka hyrë në një periudhë të bashkëpunimit dhe po ecën sigurt në rrugën e integrimeve euro-atlantike”, kishte thënë Hashim Thaçi pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje.

Kjo marrëveshje e nënshkruar, ishte ratifikuar nga Parlamenti malazez, por jo edhe nga ai i Kosovës.

Ishte pikërisht Ramush Haradinaj, ai që me 8 shtator të vitit 2015, kishte lëshuar mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme, duke mos dashur që ta diskutojë fare raportin për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi të Kryetarit të Komisionit Shtetëror për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi, Murat Mehës, të cilin Haradinaj madje e kishte fyer rënë duke e quajtur edhe “peder”.

“Nuk bën me shpërnda raportin e atij pederi këtu… Nuk do të lejoj me ndodh takimi i komisionit me raport të atij njeriu këtu… Fizikisht nuk e lejoj derisa të vjen policia unë nuk dal prej kësaj salle., sepse duhet edhe ju ta keni një kufi se deri ku mund të shkoni kështu , nuk është temë hajgare, nuk është temë opozitare, është temë e territorit të këtij vendi…. Nuk guxoni raport të Murat pederit me pru edhe njëherë këtu. Nuk ka kështu, nuk është ky vend bash qysh po kujtojnë njerëzit , kujt t’i ç… i pari me ardh me u tall me ne”, kishte thënë Haradinaj.

Dhe nga këtu, Haradinaj luftën e vazhdoi edhe në Kuvend dhe në rrugë, ku së bashku me Vetëvendosjen dhe Nismën, kundërshtuan dhe penguan ratifikimin e kësaj marrëveshje në Kuvend.

Për tri vite, koalicioni qeverisës LDK-PDK, me kryeministër Isa Mustafën nuk kishte arritur që ta sjellë në Kuvend për votim këtë marrëveshje, si pasojë e dhunës dhe gazit lotsjellës në Kuvend, ku Kosova u bë top lajm i mediave botërore për gazin e përdorur në Kuvend.

Gjatë kësaj kohe, Ramush Haradinaj, kishte drejtuar akuza të rënda ndaj PDK-së, të cilin e quante si të keqën më të madhe për Kosovën.

Dhe, pas tri viteve, PDK vendosi ta rrezojë Qeverinë Mustafa, duke përkrahur mocionin me mosbesimit ndaj Qeverisë, të nisur nga Nisma, dhe i përkrahur nga AAK dhe Vetëvendosje, si dhe minoritetet.

Ishte 10 maji i vitit 2017, kur me votat e PDK-së u rrëzuar qeveria Mustafa, ku arsyetimi i Veselit ishte se koalicioni qeverisës nuk arrinte të merrte vendime për çështje të mëdha, duke aluduar në Demarkacionin.

Dhe, ndodhi ajo që pak kush e priste. Ramush Haradinaj, në zgjedhjet e mbajtura u dorëzua përballë Kadri Veselit.

Ky i fundit, duke parë egon për pushtet, dhe frikën nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, Haradinajt ia ofroi postin e kryeministrit.

Dhe Ramushi nuk u mendua dy herë. Harroi kritikat ndaj PDK-së, të keqes më të madhe të Kosovës, sipas tij.

Arsyetimi i tij ishte se me këtë koalicion do të krijojë një koalicion të gjerë ku shumicën do ta kenë shqiptarët.

Por zgjedhjet e dëshmuan të kundërtën.

Edhe pse u bashkuan PDK, AAK, NISMA, e sa e sa parti të vogla, ky koalicion arriti të marr vetëm 39 deputetë, ndërsa shumicën shqiptare e fituan Vetëvendosje dhe LDK.

Pas bllokadës disa mujore, Ramush Haradinaj, me bekimin e Beogradit, priti për afro 3 orë që deputetët e Listës Serbë të kthehen nga takimi me Vuqiçn, nga ku kishin marrë bekimin e Beogradit që ta votojnë Haradinajn për kryeministër.

Pas 3 muajsh bllokadë, Ramush Haradinaj, me bashkëngjitjen në koalicion edhe të AKR-së, u zgjodh kryeministër i Kosovës.

Puna e parë që Haradinaj bëri me të ardhur në pushtet, ishte shkarkimi i komisionit të Murat Mehes, dhe në vend të tij krijoi një komision të ri me në krye me Shpejtim Bulliqin.

Shpejtim Bulliqi, ishte ai i cili me çdo kusht insistonte që nga marrëveshja e nënshkruar nga Hashim Thaçi, Kosova humb 8200 hektarë tokë në kufirin me Malin e Zi.

“E dimë këtë problematik dhe për shkak të kësaj ne jemi munduar që t’i bindim se e kanë bërë punën keq. Kosova humb 82 kilometra katror nëse ratifikohet marrëveshja e tanishme”, ksihte thënë ndër të tjerash Bulliqi, pas dështimit që të bind deputetët për humbjen e tokës, sa ishte pjesë e Kuvendit, si deputet i LDK-së.

Dhe, nuk vonoi shumë dhe ky komision sjelli një raport të ri, ku këmbëngulte që Kosova humb tokë me Malin e Zi, duke akuzuar komisionin paraprak, atë të Murat Mehes së ishte në dijeni që janë duke humbur tokë.

Më 13 nëntor 2017, Kryesuesi i Komisionit Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, Shpejtim Bulliqi kishte raportuar para Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane lidhur me gjetjet për demarkimin e kufirit Kosovë-Mal i Zi.

“Komisioni Meha ka tejkaluar kompetencat e veta për faktin se kemi mungesë të një marrëveshje ndërkombëtare dhe ka qenë i themeluar me vetëm një detyrë, demarkimin e atij kufiri, por në asnjë formë dhënia e një vije të re kufitare, gjë që na ka rezultuar vija e re kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi”, kishte thënë Bulliqi.

Ndërsa, me vonë ky komision kishte dalë me raport të plotë, ku konstatonte që Kosova humb tokë me Malin e Zi.

Por, Ramush Haradinaj edhe njëherë u dorëzua. Ai me dorën e tij, nënshkroi procedimin në Kuvend të marrëveshjes së vitit 2015 të nënshkruar nga Hashim Thaçi. Së bashku me këtë marrëveshje, në Kuvend ishte vendosur të procedohej edhe raporti i komisionit Bulliqi.

Por, për votimin e kësaj marrëveshje, koalicioni qeverisë nuk i kishte votat.

Pas disa tentimeve për të siguruar votat, koalicioni qeverisë dështoi. Dhe Ramush Haradinaj, madje kërcënonte deputetët e LDK-së, të cilët kërkonin që raporti Bulliqi të përfshihej vetëm si pikë orientuese, e jo si raport. Haradinaj, kishte thënë se sa të jetë kryeministër një gjë e tillë nuk do të ndodhtë kurrë.

Por, nuk kishin kaluar as edhe dy ditë, Haradinaj kishte pranuar kushtin e LDK-së, dhe marrëveshja për demarkacionin, të cilën Haradinaj e kundërshtonte me çdo kusht sa ishte në opozitë ishte gati për votim në Kuvend.

Por, edhe pas 4 tentimeve të Kuvendit, mungonin votat. Haradinaj ishte aktivizuar me çdo kusht që të siguronte votat për të kaluar këtë marrëveshje. Marrëveshje kjo e cila sipas Haradinaj, Mali të Zi i falte 8200 hektarë tokë Kosove.

Dhe pas 4 dështimeve, nën gazin lotsjellës, gjatë ditës së mërkurë, Kuvendi i Kosovës me 80 vota për ratifikoi marrëveshjen e nënshkruar nga Hashim Thaçi në vitin 2015 për shënjimin e kufirit me Malin e Zi.

Ndërsa, pas ratifikimit të kësaj marrëveshje, Haradinaj e përshëndeti këtë dhe harroi se dikur thoshte se me këtë marrëveshje Kosova humb Kullën e Çakorrin.

“Kuvendi i Kosovës me sukses ratifikoi Marrëveshjen e Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi. Mirënjohës për të gjithë deputetët që votuan pro, si dhe për durimin dhe mirëkuptimin e popullit të Kosovës. E përkushtuar në krijimin e një shoqërie demokratike, të bazuar në rend e ligj, Kosova tani pret që Bashkimi Evropian të bëjë pjesën e vet, ashtu siç u premtua, që më në fund qytetarëve të Kosovës t’u mundësohet lëvizja e lirë në BE, si të gjithë evropianëve tjerë”, shkroi në faqen e tij në facebook, Ramush Haradinaj,

Dhe të enjten, Haradinaj ka takuar Shpejtim Bulliqin dhe anëtarët e tjerë të këtij komisioni, si duket, siç thonë në zhargonin popullor për të ia kërkuar “hallallin”, pasi hodhi poshtë punën e këtij komisioni me ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion.

“Puna e palodhshme dhe e mbështetur në fakte e Komisionit për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, argumentet e të cilëve ndihmuan shumë lidershipin politik për të marrë vendime të duhura shtetërore, e veçmas puna e tyre i ka ndihmuar deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët me ratifikimin e Marrëveshjes i dhanë përgjigje një çështjeje që kishte mbetur pezull plot tre vjet. Pjesë e marrëveshjes së ratifikuar është edhe raporti i Komisionit dhe deklarata e dy presidentëve që na obligon të bëjmë korrektimet e nevojshme në drejtim të Çakorrit dhe Kullës. Përkrahja e Komisionit për formimin e trupës së përbashkët me Malin e Zi është jetike në procesin e korrigjimeve të vijës kufitare sipas ligjit të ratifikuar dje”, shkroi Haradinaj në facebook, duke njoftuar për takimin e mbajtur.

Por, se gjërat janë komplikuar tash, e konfirmon edhe Florim Isufi, anëtar i këtij komisioni.

Isufi në një prononcim me Insajderin, ka thënë se me ratifikimin marrëveshjes është komplikuar jashtëzakonisht situata.

“Ratifikimi i kësaj marrëveshje flas në aspektin profesional përmes një raporti, raport ky që është i Komisionit Shtetërorë për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Pikës Kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi me të gjeturat e saj, jashtëzakonisht shumë e ka komplikuar situatën”.

“E para për shkak se marrëveshja është ratifikuar sipas dokumentacionit të komisionit të kaluar, ndërsa në ligj është raporti i cili thotë se ai dokumentacion nuk e ka kryer punën qysh duhet dhe tash nuk e di se si juristët do t’ia lidhin kokën kësaj pune”, ka thënë Isufi.

Ai ka thënë se po të kishte qenë në pozitën e deputetit do të jepte dorëheqjen para se të votonte pro apo kundër ratifikimit të marrëveshjes aktuale.

“Nëse unë kisha qenë deputet më përpara kisha dhënë dorëheqje se me e votuar këtë marrëveshje ose mos me e votuar, domethënë asnjërën as pro dhe as kundër nuk kisha qëndruam, pro nuk kisha votuar për shkak të marrëveshjes së vitit 2015, ndërsa kundër nuk kisha votuar për shkak të raportit të vitit 2017. Tash nuk e di unë duhet ta analizoj dhe besoj që brenda katër apo pesë ditëve do të dal me një qëndrimin tim”, ka përfunduar Isufi.

Kujtojmë se me marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2015 nga Hashim Thaçi, e të cilën Ramush Haradinaj e ratifikoi në Kuvend, Kulla, Çakorri, Bjelluha tashmë i takojnë Malit të Zi.

Ndërsa, me ratifikimin e Demarkacionit, u dëshmua se gjitha sulmet ndaj ish kryeministrit Mustafa ishin të padrejta, dhe është njeriu që, nëse jo diçka tjetër, meriton së paku një kërkim falje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here