Çka i bashkoi të dorëhequrit e VV-së me deputetët tjerë të kësaj partie

0
200

Ndonëse disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë dhënë dorëheqje nga kjo parti, megjithatë ata sot ishin në linjë me qëndrimet e kësaj partie në Kuvend.

Gjatë fjalës së shefit të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ai hodhi kritika ndaj kryetarit të Kuvendit për mënyrën e interpretimit të rregullores së punës.

“Sa i përket metodologjisë së pushtetit dhe të mazhorancës këtu po udhëqihet përmes një principi – ju duhet të jeni të dëgjueshëm si opozitë për gjithçka që ne kërkojmë të na e votoni, por ne nuk votojmë asgjë që ju propozoni. Por jo që nuk votojmë kundër, por nuk votojmë fare, duke e pamundësuar vazhdimin e seancës”, ka shtuar ai.

Konjufca tha se shumicës parlamentare do t’ia kthejnë me të njëjtën metodologji, siç ata bëjnë kur është fjala për opozitën.

“Atëherë nuk kemi rrugëzgjidhje tjetër përpos që t’ua kthejmë me monedhën e njëjtë, me metodën e njëjtë, ama veç mos e harroni një gjë – nëse hyn Kuvendi në këtë cikël që ne t’ua kthejmë në të njëjtën mënyrë, mos harroni se asnjë ligj nuk mund ta kaloni dhe pamundësohet funksionimi i Kuvendit. Atëherë nëse po e kërkoni patjetër këtë gjë, atëherë kjo do të ndodh”, ka thënë tutje deputeti Konjufca.

Pas këtij fjalimi, Konjufca doli nga salla, pas tij dolën të gjithë deputetët e Vetëvendosjes që ishin në sallë, përfshirë edhe të dorëhequrit.

Ndër deputetët e dorëhequr që iu bashkuan qëndrimit të VV-së, ishte edhe Frashër Krasniqi, Dardan Sejdiu, Driton Çaushi./Insajderi.com

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here