Sulmi ndaj Azem Vllasit: Thaçi e Veseli japin dëshmitë e tyre në prokurori

0
254

Presidenti dhe kryeparlamentari tashmë janë intervistuar nga Prokuroria në rastin ndaj Murat Jasharit dhe 9 të akuzuarve të tjerë të dyshuar si pjesëtarë të organizatës “Syri i Popullit”.

Murat Jashari është vëllai i dëshmorit Ismet Jashari, i njohur gjatë luftës si Komandant Kumanova dhe njëri nga themeluesit e UÇK-së.

Grupi ku bën pjesë edhe Murat Jashari akuzohet se krijoi një listë të “tradhtarëve të kombit” në të cilën ndodhen edhe Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.

Në dëshminë e tij para Prokurorisë, Hashim Thaçi ka thënë se për grupin kishte dëgjuar nga mediat ndërsa akuzat për tradhti i ka quajtur të motiveve politike.

“Gjithë aktivitetin tim jetësor e politik e kam zhvilluar për lirinë dhe pavarësinë e këtij vendi. Etiketimet e tilla janë me motive politike të nxitura për justifikim moral dhe veprime terroriste ndaj meje dhe personaliteteve tjera politike të vendit”, citohet Thaçi në deklaratën e dhënë në Prokurori të cilën e ka siguruar kallxo.com.

Dëshmitari tjetër i Prokurorisë, Kadri Veseli, i ka sqaruar prokurorit se Jasharin e njeh si vëllanë e heroit të kombit ndërsa ka thënë se nuk ka ndonjë gjë personale me asnjërin prej të akuzuarve.

Hetimi ndaj “Syrit të Popullit” ka nisur pas plagosjes së avokatit Azem Vllasi. Prokuroria pretendon se dorasi ishte Murat Jashari ndërsa grupi prej 9 personash ishte një grup i strukturuar.

Gati një vit pasi avokati Azem Vllasi ishte plagosur në hyrje të banesës së tij, pas një pune intensive të grumbullimit të provave, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 10 personave të dyshuar si pjesëtarë të organizatës kriminale “Syri i Popullit”, me të ashtuquajturit “Avni Rrustema”, të dyshuar për disa vepra penale.

Përmes një njoftimi për media, Prokuroria bënë të ditur se mbi të dyshuarit rëndojnë disa vepra penale.

“Të dyshuarit për pjesëtarë të organizatës “Syri i Popullit”, me të ashtuquajturit “Avni Rrustema” dyshohen se kanë kryer veprat penale: hakmarrje në ndihmë, dhunim, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe hakmarrje.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, M.J., A.Ll., R.S., S.R., R.T., B.K., S.B., H.H., B.L.. dhe L.L., me datë 15.05.2015, si pjesëtarë të organizatës kriminale “Syri i Popullit”, me të ashtuquajturit “Avni Rrustema” diku, në një shtet europian, kanë marrë vendim që në mars të vitit 2017 të fillojnë me aksione të kundërligjshme, me qëllim që seriozisht të destabilizojnë ose të shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetues, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

Gjithnjë sipas njoftimit të Prokurorisë, të pandehurit kanë pasur edhe fondin të quajtur “Liria e Atdheut”.

Kjo organizatë “Syri i Popullit” në bazë të planit të shkruar ka pasur një strukturë të organizuar të hierarkisë, në të cilën janë përfshirë me emra të koduar dhe secili i ka pasur të ndara detyrat dhe përgjegjësitë e veta, kështu që më 13 mars 2017 i pandehuri M.J. ka tentuar ta vrasë të dëmtuarin Azem Vllasi si ish-funksionar i Kosovës i viteve ’80, i cili sipas planit të tyre operativ, është vlerësuar i pari në listë si tradhtar i vendit.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit me këto veprime kanë kryer veprën penale – përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, i pandehuri A.Ll. sipas Prokurorisë akuzohet se derisa ishte në qendrën e paraburgimit në Lipjan, duke e përdorur kanosjen dhe forcën e ka kryer veprën penale “dhunim”.

Po ashtu, me rastin e bastisjes së shtëpisë së të pandehurit B.K. me datë 25.05.2017, është konfiskuar një pistoletë e gazit ‘’Voltran Mini’’ e kalibrit 8 mm me gaz, të cilën e kishte pasur në posedim pa lejen e organit kompetent. Gjithashtu, në shtëpinë e tij është gjetur dhe konfiskuar një pushkë ajrore me diabolla 250 copë (municion i pushkës ajrore), të cilat i pandehuri i ka poseduar pa lejen e organit kompetent. Me këtë ka kryer veprën penale – mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

I pandehuri M.J. duke qenë në gjendje të paaftësisë mendore për t’i kuptuar dhe kontrolluar veprimet e veta për shkak të sëmundjes, ngase vuan nga çrregullimi skizoafektiv- tipi manikal, me karakter të përhershëm, me psikosimptomatologji të shkallës nga mesatare në të rëndë, me datë 13.03.2017 në ora 07:50 ka shkuar në banesën e të dëmtuarit A.V. në rrugën “Hajdar Dushi” në Prishtinë, që ta privojë nga jeta si ish-udhëheqës i lartë i LKJ-së dhe ish-udhëheqës i Kosovës, duke e konsideruar si tradhtar për shkak të qëndrimeve të tij lidhur me demonstratat e vitit 1981 dhe çështjes kombëtare. Me këtë kishte për të kryer veprën penale- hakmarrje.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka marrë aktvendim për pezullimin e hetimit kundër S.Xh., A.A., A.H. dhe M.A., të cilët deri më tani kanë qenë të paarritshëm për Prokurorinë. Por vlen të theksohet se Prokuroria i ka ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale ligjore.

Ndaj personave R.S., Xh.B., A.P., E.Ll., A.S dhe A.I., janë zhvilluar hetimet, mirëpo Prokuroria Speciale nuk ka gjetur prova të mjaftuara për ngritjen e aktakuzës. Në mungesë të provave janë pushuar hetimet.

PSRK-ja ndaj 17 personave pasi i ka ndërmarrë veprimet hetimore për shkak të kompetencës lëndore, për këta persona e ka dërguar rastin në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, në kompetencë të mëtejme.

Në këtë aktakuzë i kemi 2 të dëmtuar ndërsa në cilësi të dëshmitarëve janë propozuar 61 persona. Ndërsa, nga 10 të akuzuarit 4 prej tyre gjinden në masën e paraburgimit, 1 në arrest shtëpiak dhe 1 nën masën lajmërim në Polici.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here