Donika Gërvalla : sot e tregoi veten edhe njëherë „cullak“ se….

0
251

Hashim Thaçi nuk e fsheh tronditjen që ditën e Pavarësisë nuk u përgjakën rrugët e Prishtinës

Hashim Thaçi sot e tregoi veten edhe njëherë „cullak“, si njeri dhe si politikan.. Ai i fyu pjesëmarrësit e qetë të një proteste masive dhe nuk mundi ta fshehë tronditjen e tij rreth faktit që sot, ditën e Pavarësisë nuk pati dhunë dhe gjakderdhje. E pakapshme!
Një karakter i tillë nuk ka se çfarë të kërkojë në postin e Presidentit të Republikës së Kosovës. Është thjesht e pakapshme se si kryetari i LDK-së, partisë së Ibrahim Rugovës, vihet në këtë formë në shërbim të një figure të tillë dhe në oponencë të hapur me elektoratin besnik të partisë së tij.

Presidenti i Republikës së Kosovës, të cilin Kushtetuta e përkufizon si person unifikues, nuk mund të jetë Hashim Thaçi, të paktë jo me vota të deputetëve të LDK-së. Ai sot, duke provokuar hapur dhunën me deklaratën e tij të marrë, përfundimisht e ka diskualifikuar vetveten për çdo lloj posti në politikën kosovare.

Ashtu siç e pat kërcënuar hapur fizikisht para shumë vitesh Kryetarin e Kuvendit, Prof. Nexhat Dacin, ashtu si ai dhe Kadri Veseli kanë kërcënuar shumëkënd për të mbajtur pushtetin dhe trashur xhepin, ashtu ai sot u paraqit si kapo i një bande kriminale, i cili tregohet i dëshpëruar që sot nuk iu dha mundësia e pritur për t’i rrahur apo ndoshta edhe më tepër kundërshtarët e tij. Ndryshe nuk mund të kuptohet shprehja e tij e sotme.

Hashim Thaçi për Kosovën është një bombë me sahat, një rrezik i madh politik. Si të tillë e njohim prej vitesh dhe kjo është arsyeja pse ai kurrë nuk do të mund të fitonte shumicën e votës popullore në zgjedhje të drejtpërdrejta. Dhe ai këtë duket ta dijë shumë mirë. Sot na tregoi se pse një shumicë bindëse në Kosovë nuk i beson dhe e konsideron si kokë të krimit dhe të korrupsionit – sepse sot, si edhe në të kaluarën ka dëshmuar që nuk stepet as para dhunës primitive për të arritur qëllimet e tij.

Pse Isa Mustafa ka vendosur të dorëzohet para një figure të tillë, kjo është çështje e tij. Por as Isa Mustafa dhe as LDK nuk guxon ta lërë Kosovën në duar të Hashim Thaçit, i cili sot pa hezitim dhe duke u zgërdhirë na dëshmoi që është i rrezikshëm, primitiv, brutal dhe i papërmbajtshëm.

Qeverisja e Hashim Thaçit Kosovës i ka sjellë varfëri, radikalizim dhe izolim.
Është koha që kjo fazë të përfundojë njëherë e përgjithmonë.

Është koha të hidhet poshtë kandidatura e Thaçit, të reformohet LDK, të shkohet me një LDK të reformuar në zgjedhje të reja dhe me një LDK të fortë të ngrihet Kosova në këmbë të veta. Nuk do të jetë lehtë, por është e pashmangshme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here