Eksklozive : Rasti “Toka”: Sërish telashe me gjyqtarë, shtyhet për 1 shkurt gjykimi

0
54

1 shkurti është caktuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj Azem Sylës dhe 21 tjerëve të akuzuar në rastin “Toka”. Kjo pasi seanca e të mërkurës u ndërpre, meqë avokati i Sylës, Besnik Berisha, në pjesën e seancës që u mbyll për media, kërkoi përjashtimin nga trupi gjykues të njërit prej gjyqtarëve të EULEX-it

Seanca e parë e shqyrtimit gjyqësor të rastit “Toka” ka dështuar prapë. Shkas, sërish ka qenë përbërja e trupit gjykues, raporton Gazeta Express.

Gjyqtari Vladimir Mikula, në përbërje të trupit gjykues për këtë rast, sipas avokatit të Azem Sylës po përbën problem. Ndaj edhe Besnik Berisha kërkoi që seanca të mbyllet, dhe që në prani të trupit gjykues, prokurorit dhe avokatëve të tjerë, t’i japë sqarimet. Ndonëse disa prej tyre i bëri të ditura derisa publiku e mediat ishin ende në sallë.

Avokati Berisha tha se gjyqtari Mikula do të jetë gjyqtar në Gjykatën Speciale, dhe në rast se gjatë kohës sa zhvillohet gjyqi ndaj Azem Sylës dhe 21 të tjerëve nisin punën dhomat e specializuara për krime lufte, atëherë gjyqtari në fjalë do të duhet ta braktisë procesin “Toka”.

Shqetësim tjetër, ky avokat tha se mbetet edhe mandati i EULEX-it, që parashihet të përfundojë në qershor të këtij viti. Sipas Besnik Berishës, nuk sigurohet gjykim i drejtë nëse ky trup gjykues i përbërë nga dy gjyqtarë të këtij misioni, përfshirë edhe kryetarin e saj, përshpejtojnë shqyrtimet gjyqësore vetëm që ky gjykim të marrë epilog para largimit të EULEX-it nga Kosova.

Ndërkohë, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Petko Petkov, kërkoi që sallën ta lirojnë mediat dhe publiku, edhe pse prokurori Danilo Cecareli kundërshtoi këto rrethana.

Pas rreth 20 minutash, u bë e ditur se seanca u ndërpre, sikurse u anulua edhe shqyrtimi gjyqësor i paraparë për të enjten dhe ditët tjera të janarit.

Avokati Besnik Berisha, pas mbylljes së seancës, u tha mediave se ka përsëritur të njëjtat shqetësime edhe brenda shqyrtimit të mbyllur. Ai tha se konkretisht ka kërkuar edhe përjashtimin e gjyqtarit Mikula për arsyet e njëjta që i tha në sallë, dhe po ashtu edhe për të tjera që i konsideroi arsye personale të klientit të tij Azem Syla.

Berisha tha edhe se vetë kërkoi që t’i jepet kohë deri të premten për t’i elaboruar me shkrim kërkesat e tij ndaj gjykatës, shkruan Gazeta Express.

“Më vonë unë vetë konsiderova se duhet të elaborohet në letër çdo gjë që kisha planifikuar ta parashtroj dhe me miratimin e trupit gjykues u anulua seanca për sot, vazhdohet me datën 1 shkurt”, tha ai pas seancës.

Ndryshe, Prokuroria Speciale në vitin 2016 ka ngritur aktakuzën për rastin e njohur si “Toka”, në të cilin përfshihet ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla, dhe 21 persona të tjerë për krim të organizuar, tjetërsim të pronave shoqërore në Veternik e Llapnasellë.

Sipas aktakuzës, 22 të akuzuarit ngarkohen me veprat penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.

Numri i të akuzuarve për këtë rast shkon në 39 persona gjithsej, pasi 17 të akuzuar të tjerë janë përfshirë në aktakuzën e dytë të ngritur nga Prokuroria për rastin “Toka”.

Zona Express, prodhim i Gazetës Express, në maj të vitit 2016, kishte sjellë dokumentarin “Komandanti i Çagllavicës”, i cili flet pikërisht për këto akuza ndaj Azem Sylësdhe grupit të tij. /GazetaExpress/.
Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/rasti-toka-serish-telashe-me-gjyqtare-shtyhet-per-1-shkurt-gjykimi-490877/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here