Ekslozive ; Zbulohet Dëshmitari: Truproja i Thaçi m’i kërkoi 65 mijë euro

0
283

Në gjykimin e ish-zyrtarëve të Akreditimit, Basri Muja e Ferdije Zhushi, si dhe Armend Mujës, u lexua dëshmia e dëshmitarit Driton Ajeti.

Gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor kishte qenë e planifikuar që si dëshmitar i radhës të dëgjohej Agon Demjahaj por pasi që i njëjti nuk u paraqit në Gjykatë, trupi gjykues vazhdoi me leximin e deklaratës së dëshmitarit Driton Ajeti, pronar i kolegjit “Biomedica”.

Driton Ajeti këtë deklaratë e kishte dhënë në vitin 2013 në Polici, me ç’rast kishte dëshmuar rreth akreditimit të programeve për kolegjin “Biomedica”.
Në deklaratën e tij të dhënë në Polici, Ajeti kishte deklaruar se për akreditimin e programeve për kolegjin “Biomedica” fillimisht Basri Muja i kishte kërkuar atij shumën prej 10 mijë eurove.

Për këtë shumë të cilën ia kishte kërkuar Basri Muja, dëshmitari kishte thënë se ishte takuar së bashku me Armend Mujën në një kafene dhe ia kishte dhënë atij 5 mijë euro.

Ndonëse kishte deklaruar se për shumën të cilën ia kishte dhënë Armendit kishte shkuar edhe në zyrë te Basri Muja, të cilit i kishte kërkuar një fature në lidhje me atë shumë, por Basri Muja i ishte përgjigjur me fjalët: “Çfarë fature po kërkon?”.

Tutje në këtë deklaratë dëshmitari përmend edhe një rast ku ishte takuar me Basri Mujën në një restorant në Mitrovicë, duke thënë se Basri Muja i kishte kërkuar atij 50 mijë euro për akreditim të programeve.

Dhe pasi që dëshmitari e kishte pyetur Mujën se për çfarë po i kërkon ato të holla, Muja i është përgjigjur: “Po hap universitet, është punë e madhe kjo”.

Sipas kësaj deklarate thuhet se dëshmitari më pas e kishte pyetur Mujën se nëse për vitin e parë po i paguante 50 mijë euro, sa do të duhet që të paguante për vitin e dytë.

“I thash vitin e parë duhet me i jep 50 mijë, e vitin e dytë?”, ai më tha: “Për vitin e dytë duhet 150 mijë e për vitin e tretë 50 me 50”, thuhet në deklaratën e dëshmitarit Driton Ajeti të dhënë në Polici.

Më pas, sipas kësaj deklarate, dëshmitari ka thënë: “I thash: Ma futni një plumb në kokë”, e ai më tha: “Mos bo hajgare se ty të kemi shok, dhe i shënoj në letër datat e pagesës”.

Gjatë leximit të kësaj deklarate u përmend edhe një person me emrin Murat, i cili sipas dëshmitarit ka qenë truproja e Hashim Thaçit, për të cilin ka deklaruar se ia ka kërkuar 65 mijë euro për akreditim të programeve.

Në lidhje me këtë deklaratë të dëshmitarit të dhënë në Polici, pati reagim nga mbrojtësit e të akuzuarve.

Madje mbrojtësi i Basri Mujës, avokat Bajram Tmava propozoi që si provë të dëgjohej një deklaratë e dëshmitarit e dhënë në vitin 2011 në emisionin “Jeta në Kosovë”, e që sipas mbrojtjes me dëgjimin e kësaj deklarate do të mund të vërtetohet jopërputhshmëria e kësaj deklarate me intervistën e tij të dhënë në emisionin “Jeta në Kosovë”.

Propozim ky i cili i aprovua nga trupi gjykues, i cili vendosi që të përsëritet edhe një herë ftesa për dëshmitarin Agon Demjahaj që i njëjti të ftohej që të dëshmonte si dëshmitar në seancën e radhës.

Në këtë proces gjyqësor Basri Muja dhe Ferdije Zhushi ngarkohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje dhe në vazhdim dhe për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerjeje.

Ndërsa Armend Muja akuzohet për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here