Adem Demaqi & Ukshin Hoti –

0
320

Ukshin Hoti

Lëvizja e proceseve politike në drejtim të demokracisë në Kosovë, por edhe në Shqipëri, do të ishte tepër dubioze dhe e ndarë me siguri në kategori të veçanta shoqërore, pa kontributin e veçantë të Adem Demaçit, – Bacës, legjendës së gjallë të popullit shqiptar. Ashtu si thotë edhe kënga, ai pjesën më vitale të jetës së vet e treti nëpër burgje dhe kazamate të titizmit jugosllav. I tërë një mekanizëm shtetëror dhe e tërë një makineri ndërkombëtare politike, me decenie të tëra u përpoq gati me sukses të plotë ta heshte jo vetëm kuptimin dhe qëllimin e qëndrimit të tij nëpër burgje, por edhe vet atë, ekzistencën e tij.

Për këtë shkak figura e tij e rëndomtë në mënyrë gati të padiskutueshme kaloi në legjendë;

u tret në shpirtin e gjallë të popullit dhe u mishërua me ëndërrën e tij shekullore;

Demaçi dhe populli u bënë një. Nuk ishte më tutje vetëm një bir i denjë i popullit, por gati vetë populli. Për politikën tani e tujte ishte i rrezikshëm, për aq sa ishte i rrezikshëm vetëdijësimi politik i popullit shqiptar. Dhe, këtë ai e artikuloi me inteligjencën e tij të mprehtë;

me shpjegimet e thjeshta, por definitive dhe të prera; me referencat e tij – shpatë që copëtonin, por që nuk therrnin. Demaçi nuk e luftoi në veçanti asnjë armik, por që të gjithë së bashku. E luftoi dhe e mundi çdokend dhe secilin që deshi ta pengonte emencipimin e popullit shqiptar. Për këtë shkak figura dhe personaliteti i tij u mishërua me progresin; me çdo lëvizje progresive;

me marshin përpara të proceseve politike ndër shqiptarët në përgjithësi. Ai nuk i kontribuoi në veçanti asnjë kthese, sepse i shndërruar në popull, i kaloi që të gjitha së bashku me të. Megjithatë, të gjitha kthesat, dhe ajo e përcaktimit për Republikë, si edhe ajo e përcaktimit për demokraci, e vinin re Demaçin.

Demaçi i shndërruar vetëm në vete, për të gjitha kthesat, do të ishte njësoj i rëndë, enigmatik, i pazbërthyeshëm dhe i panjohur. Për këtë shkak, madhështia e tij nuk qëndron në të njohurit e tij nga populli, por edhe në të njohurit e popullit në vetën e tij.

Komuniteti politik evropian me një gjest fisnik, duke i ndarë çmimin “Saharov”, deshi ta nderonte, por Komuniteti politik evropian do t’ia ketë borxh gjithmonë rrespektin, sepse Demaçi i shndërruar në popull nuk mund të nderohet. Ai mund vetëm të respektohet.

Për Demaçin mund të shkruhet gjithçka, por mund të thuhet vetëm një: është një histori e gjallë në lëvizje e sipër dhe si e tillë të detyron jo vetëm respektin, por edhe dashurinë; jo vetë dashurinë, por edhe përcaktimin.

Mund të jesh me të, përbri tij apo kundër tij, por nuk mund të jesh indiferent ndaj tij.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here