Biografia e Ter e Rapsodet Augustin Ukaj

0
393

AUGUSTIN UKAJ
(1939-2004)
Këndon kryesisht: Popullore Rapsodike

Augustin Ukaj është një këngëtar i njohur. I lindur në Has të Thatë të Gjakovës në një kohë të egër kur po ndërroheshin mbretëritë Augustin Ukaj u bë zëri më autentik i përfaqësimit në folklor të shqiptarëve të shtypur dhe të ndjekur nga dhuna, qe po iknin nëpër rrugët e botës. Ai mblodhi me pasion dhe koleksionoi tregimet për luftën dhe vdekjen, bukën dhe kripën. Melodia e tij ishte zëri autentik, një zë që drodhi Dukagjinin dhe Kosovën, Diasporën dhe viset shqiptare në tërë Ballkanin. Augustin Ukaj u bë me kohën zëri më i veçantë, artikulues i pashoq, ai e dinte dhembjen e gurit, iu foli trimave në zë, betejave dhe historive. Ai sa ishte i lidhur me historinë e shqiptarit nëpër kohë e lidhte edhe fati me njerëz të zakonshëm me të cilët ndërronte bisedat dhe historitë.

Shqiptarët e Kosovës në këngën e Augustin Ukajt filluan të dëgjojnë për historinë dhe kronikat e vjetra, për qendresën nëpër luftëra, për njerëzit e vrarë për shkronjat shqipe. Augustini ishte këngëtar i dhembjes dhe vajit me zërin autentik që dridhej bashkë me telat e çiftelisë, një jetë ishte me këngën dhe për këngën. Ai nuk e këndonte këngën për ta përfunduar si tekst, ai e dëshironte këngën, e ndjente, qeshte dhe qante me të, heronjtë e këngës nuk ktheheshin të vdekur në varreza, ata jetonin në jetë të jetëve, endeshin nëpër mite dhe legjenda fushave të Dukagjinit, e shkruanin historinë në gurë dhe në gjak ndërsa Bilbili i Kosovës e kthente në dhembje, në shqetësim, në këngë të cilat si tragjedi orale barteshin brez pas brezi. Sot kur mbushen 10 vite të kalimit të tij në amshim shoqëria e Kosovës duhet të rikujtojë vlerat që me këngë sfiduan historinë, që përgatitën një komb për betejën e madhe duke e rikthyer tek rrënjët.

Bilbili i Kosovës kur rikujtohet, bashkë me të përkujtohen trimat në zë të cilëve u këndoi dhe për të cilët ndërtoi katedralen e vuajtjes dhe të krenarisë. Vitet ikin ndersa zëri mbetet, zëri i Bilbilit të Kosovës mbeti kronikë që shënoi historinë prej Skënderbeut e deri tek dhembja e njeriut të Dukagjinit, njeriut të zakonshëm qe ikte nëpër rrugët e botës për një copë bukë dhe shpresë. “Kjo këngë po kendohet për pleq e për të ri” do të na thoshte Bilbili, ndërsa ne tani këngën po e dimë por zëri nuk po na del. Lavdi jetës dhe veprës së Bilbilit të Kosovës, vendit të tij që ishte fjala, plaga dhe loti i këngës së tij.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here